Arkivi Qendror i Filmit, shtëpia ku prej dekadash flenë të dokumentuara filma dhe gjithçka tjetër nga historia dhe kultura jonë, tani nuk do të dëmtohen më, as nga lagështia dhe as nga i ftohti.

Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Zhou Ding, ka vizituar Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit për të dhuruar një sistem ftohës, i cili siguron ruajtjen e 44 mijë bobinave, brenda standardeve europiane, paisje e cila ishte prishur që nga viti 2004.

Zoti Ambasador është treguar entuziast për projektin, ndërsa ka vlerësuar punën e arkivit si të pazëvëndësueshme.

"Ajo që është veçanarisht e rrallë, është që dokumentarët e çmuara të miqësisë së rrallë Kinë - Shqipëri, ruhen ende këtu. Mendoj se arti ka vlerë të përjetshme dhe historia gjithmonë meriton respekt.

Vjet dhe sivjet, ambasada kineze i ka dhuruar arkivit pajisjet për kontrollin e lagështisë dhe ka financuar projektin e rinovimit të sistemit të kontrollit të temperaturës, për të zgjatur jetëgjatësinë e këtyre materialeve të çmuara. Ndihem i nderuar dhe krenar që ambasada jonë mund të kontribuojë për ruajtjen e kujtimeve kombëtare dhe të trashëgimeve kulturore të Shqipërisë", u shpreh ambasadori Zhou Ding.

Në fjalën e tij përshëndetëse, zoti Ambasador, u shpeh qartë se falë miqësisë tradicionale kino-shqiptare dhe përpjekjeve të përbashkëta, shkëmbimi kulturor artistik midis dy vendeve ka qenë gjithmonë shumë aktiv.

"Kina dhe Shqipëria janë vendet që çmojnë historinë, kulturën dhe traditat e veta, ndërkohë, ne i përmbahemi karakteristikave, si të qenët të hapur, tolerant dhe gjithëpërfshirës, karakteristika të cilat duhet të jenë parimi i rëndësishëm i shkëmbimeve midis vendeve dhe midis qytetërimeve në epokën pas pandemisë.

Vitin e kaluar u shënua 70-vjetori i marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Shqipërisë dhe me këtë rast janë zhvilluar mjaft shkëmbime midis dy vendeve si dhe e kanë vizituar Shqipërinë shumë grupe artistike kineze dhe numri i turistëve kinezë në Shqipëri është rritur me 20%, por dhe se dhe ky Arkiv ndërtoi bashkëpunimin me Arkivin Kombëtar të Filmit të Kinës. Ne presim që, pas kësaj pandemie, të thellojmë bashkëpunimin me Ministrinë e Kulturës dhe të gjithë institucionet kulturore shqiptare, për të nxitur lulëzimin e kulturave të dy vendeve, si dhe njohjen e ndërsjelltë midis dy popujve tanë. Kam besim që Arkivi i Filmit do të luajë rolin e veçantë në këtë fushë".

E pranishme në ceremoni ishte edhe Ministria e Kulturës Elva Margariti. Në fjalën e saj ajo u ndal tek misioni i Arkivit Qendror të Filmit dhe perspektiva.

"Arkivi nuk mund të jetë një magazinë filmi, arkivi duhet të jetë një muze, një hapësirë për dialog, duhet të jetë një hapësirë për fëmijët, një hapësirë krenarie për të gjithë ne", vlerësoi ministrja Margariti.

Në Arkivin Shtetëror të Filmit ruhet e gjithë trashëgimia filmike shqiptare. Drejtoresha e këtij arkivi, zonja Iris Elezi tregon se një nga përgjegjësitë e Arkivit ka qenë krijimi i kushteve të favorshme për jetëgjatësinë e filmit.

"Jemi duke folur për temperaturën edhe lagështirën. Sikundër na mbështet Ministria e Kulturës, këtë vit na mbështet edhe Ambasada e Kinës dhe më në fund lagështia në AQSH është sipas standardeve. Kompresori i dytë i sistemit ftohës, i vitit 1984 i ndërtuar nga suedezët është këtu dhe kemi kthyer 100 për qind sistemin ftohës që nuk funksiononte".

Pas inaugurimit të kompresorit ftohës në Arkiv të Filmit u prezantua për të pranishmit dhe filmi dokumentar “Krah për krah” me regji të Endri Kekos.

Nuk është, as e papritur dhe, as ngjall habi fakti se kinemaja shqiptare dhe sidomos filmat e periudhës së para viteve '90 janë shumë të dashur për publikun kinez.

Sipas të dhënave, nga filmi i parë shqiptar bardhezi “Tana” në vitin 1958 deri në vitin 1999, Kina importoi afro 30 filma shqiptarë, ku mbi 10 prej tyre kishin si temë antifashizmin. Këto filma shoqëruan një brez të tërë kinezësh. Filmat shqiptarë ndoshta ishin filmat e vetëm të huaj që mund të shiheshin në atë kohë nga populli kinez.

Fakt është se në vitet 60-të dhe 70-të, një pjesë e madhe e këtyre filmave janë dubluar në gjuhën kineze, si përshembull "Oshëtimë në bregdet", "Njësiti guerril", "Ngadhnjim mbi vdekjen", "Prita", "Mëngjese lufte" , "I teti në bronx", "Shtigje lufte", "Dimri i fundit" etj. Të gjitha këta filma shqiptar, u mirëpritën nga shikuesit kinezë.

Hyrja e filmave shqiptare në Kinë pasuroi jetën kulturore të publikut kinez dhe ndikoi te një brez i tërë.

Në fillimin e vitit 2003, një kompani e produkteve audiovizuale në Kinë, bleu të drejtat e autorit të 20 filmave shqiptarë dhe i publikoi në një disk në tregun e mbarë Kinës, në dy variantet e kohës, DVD dhe VCD. Në fillim ishte e paqartë, nëse këto filma do të shiteshin, apo jo. Por në fund, u shitën më shumë disqe nga sa parashikohej. Shumë të moshuar i blenë këto filma dhe i panë me shumë nostalgji. Madje ato u blenë edhe nga të rinjtë që ua dhuruan prindërve të tyre.

Filmat shqiptarë të asaj kohe, janë aq të njohur në Kinë, sa mund t’i gjesh me titra në versionin kinez të Youtube-it, Youku.

Kina e sotme është një vend i hapur ndaj zhvillimeve. Në kinematë e saj shfaqen filma të ndryshëm të huaj, ndërsa artistët kinezë janë bërë të njohur deri edhe në botën e madhe të Hollivudit. E megjithatë, prap se prap, filmat e vjetër shqiptarë ngjallin nostalgji dhe respekt.

Shenjë e kësaj kujtese, është edhe ndihmesa e dhënë nga ana e Ambasadës së Kinës, në shpëtimin e 44 mijë bobinave në Arkivin Qendror të Filmit.