Shaolin Kung Fu (Shaolin Gongfu) (kinezisht: 少林 功夫; pinyin: Shàolín gōngfu), i quajtur ndryshe Shaolin Wushu (Shaolin Ushu) (少林 武術; Shàolín wǔshù) ose Shaolin quan (Shaolin Quan)(少林 拳; Shàolínquán), është një nga stilet më të vjetra, më të mëdha dhe më të famshme të wushu (Ushusë) ose kung fu (gongfusë). Ai kombinon filozofinë Ch'an (Çan) dhe artet marciale dhe I ka fillesat 1500 vjet më parë në tempullin Shaolin në provincën kineze Henan (Hënan). Emri Shaolin përdoret gjithashtu si markë për të ashtuquajturat stile të jashtme të kung fu (gongfusë). Shumë stile të arteve marciale në Kinën jugore dhe veriore përdorin emrin Shaolin.
Intervisstë me Z.Albert Kola, Instruktor i Akademisë Shaolin Kung Fu në Tiranë
"Shaolin Kung Fu”, një aset shumë i rëndësishëm për çdo student që ka synim për të arritur qëllimin profesional.
Kur është hapur Akademia “Shaolin Kung Fu” këtu në Tiranë?
Albert Kola: Shkolla është themeluar në shtator të vitit 2013 dhe vijon të jetë aktive me frekuentim dhe interes të madh nga qytetarët e Tiranës.
Ju vetë kur e keni nisur këtë sport?
Albert Kola: Unë e kam nisur në Athinë të Greqisë dhe që nga mosha 9 vjeçare e kam vazhduar pa ndërprerje. Pra më ka shoqëruar nga fëmijëria, adoleshenca e deri tani që jam profesor, duke ushtruar profesionin edhe në Akademinë që unë kam përfunduar, si dhe pas kthimit në vendlindjen time, Shqipëri.
Në çfarë kategorish futet Shaolin Kung Fu në artet marciale kineze?
Albert Kola: Shaolin Kung Fu është një miks kombinimesh të ushtrimeve që nuk përbën vetëm pjesën fizike ose marciale luftarake, por të mëson që të kesh kontroll psikologjik dhe mendor që janë shumë të rëndësishëm, pra të dish se çfarë bën, si e bën dhe pse e bën. Ka të bëjë me një lidhje me anën shpirtërore, pra janë tre elemente, pjesa psikologjike, pjesa shpirtërore dhe ajo fizike. Është art marcial , ka teknikat e vetëmbrojtjes, por njëkohësisht duhet të kordinohesh që ti të jesh ai që kontrollon trupin për vetëmbrojtje.
Cilët janë grupmoshat që i përshtatet Shaolin Kung Fu-së?
Albert Kola: Kjo është një pikë shumë e fortë e Kung Fu-së sepse është ndër të vetmet arte në fushën e sporteve, të cilin mund ta frekuentojnë mosha të ndryshme nga 3 vjeç dhe deri në 90. Pra janë disa grupmosha siç është mosha e tretë ose mosha e fëmijërisë të cilat mund të bëhen pjesë e ushtrimeve Shaolin Kung Fu. Praktikuesit e këtij sporti mund të gjejnë veten në të, të krijojnë njohuri fizike, duke nisur nga hapat e para, siç është gjuha që fëmija mëson të flasë ose të ecë. Edhe Kung Fu-ja i mëson të kontrollojnë dhe të menaxhojnë trupin dhe mendjen.
Ka pasur interes gjatë këtyre viteve për të marrë pjesë në Akademinë Kung Fu?
Albert Kola: Dëshira ka qenë shumë e madhe dhe të gjithë ata kanë dëgjuar për të kanë pasur një fazë të parë kureshtjeje për ta provuar, por ka qenë e vështirë njohja me të dhe prezantimi, duke qenë se është një art i ri në Shqipëri por edhe në perëndim, sepse nuk ka shumë vite që ka ardhur nga Kina. Për të gjithë ata që kanë bërë njohjen e parë ka qenë kureshtje dhe sigurisht dëshirë për ta provuar. Unë konstatoj se pas 7 viteve të veprimtarisë së shkollës sonë është rritur shumë interesimi për të.
Kush janë më shumë të interesuar djemtë apo vajzat?
Albert Kola: Para se të kthehesha në Shqipëri mendoja se meshkujt këtu janë më të apasionuar për këtë sport, por në fakt gjeta diçka komplet ndryshe, sepse janë femrat më të interesuara. Megjithatë edhe meshkujt nuk mbeten prapa sepse edhe ata janë të pasionuar pas sporteve marciale. Mund të them se pjesëmarrja femra-meshkuj është 50 me 50. Femrat që e frekuentojnë Akademinë tone janë që nga vajzat e vogla e deri te moshat e mëdha, të cilat janë të interesuara dhe me një zell shumë të madh. Ndjehem shumë mirë kur të dyja gjinitë balancojnë energjitë femërore dhe mashkullore.
Sa zgjasin kurset në Akademinë Shaolin Kung Fu dhe çfarë përfitojnë nxënësit?
Albert Kola: Ky lloj sporti mund të ushtrohet gjithë jetën, nga fëmijëria deri në moshat e treta. E rëndësishme është që ne përmbushim kërkesat e të gjithë studentëve . Pra nëse dikush do të aplikojë vetëm si sport për mirëmbajtje fizike ditore ose jetike dhe nëse dikush do ta bëjë si diçka profesionale. Në rastin profesional secili bazohet te puna profesionale e bërë, kërkesat që kanë, por që mund të arrijë nga niveli 1 ose nga rripi i parë deri te rripi i zi. Ai mund të sfidojë teknikat duke dhënë disa testime në çdo nivel, duke fituar brezin dhe në fund pasi të marrë rripin e zi mund të diplomohet. Diplomat e Akademisë sonë njihen në të gjithë botën. Pra është një aset shumë i rëndësishëm për çdo student që synon arritjen e objektivit profesional.
Faleminderit për bisdën dhe ju uroj suksese në punën tuaj dhe Akademisë suaj Shaolin Kung Fu.
Albert Kola: Faleminderit dhe ishte kënaqësi dhe më vjen mirë që ka emisione që trajtojnë kultura siç është kultura kineze e cila është shumë e lashtë dhe ka vlera të mëdha për Shqipërinë dhe jo vetëm.