Bisedë me Z.Enver Muça, ish-student në Pekin

Zoti Enver Muça ka studiuar në Kinë për Gjuhë dhe Letërsi kineze në vitet 1961-1966. Gjatë një bisede të ngrohtë për mikrofonin e Radio Ejani ai solli kujtimet e atyre viteve studentore, por edhe rikthimin nostalgjik të disa viteve më vonë në Kinë.

Ju keni studiuar në Pekin nga viti 1961 -1966 për Gjuhë dhe Letërsi Kineze. Çfarë ndjesie kishit në ditën e parë të mbrritjes në Pekin?

Enver Muça:Në fakt unë nuk kam vajtur në Pekin direkt. Fillimisht pasi u kthyem nga ish Bashkimi Sovjetik ku kam studiuar për pilot, shkuam në Kinë për të vazhduar studimet për pilot. Mbas disa muajsh në shkollën Çinxhou e cila ishte shkollë e aviacionit ushtarak, dola i paaftë nga ana shëndetësore dhe kalova si student në universitetin e Pekinit për Gjuhë dhe Letërsi Kineze. Natyrisht ditët e para nuk i kalova në Pekin, por fillimisht në kantone, më pas me tren deri në Shinzhou, qytet për përmasat tona shumë i madh, por për Kinë një qytet i zakonshëm. Pekini pastaj ishte një befasi për mua qysh në atë kohë, pavarësisht se ishte një qytet i madh. Pritja ishte e jashtëzakonshme dhe menjëherë u ambientuam dhe na u duk vetja sikur jemi në vendin tonë.


Çfarë kujtoni nga vitet studentore në Pekin?

Enver Muça :Natyrisht kujtimet janë shumë, por dashamirësia dhe respekti i popullit kinez për ne ishte i çuditshëm sepse na respektonin dhe na donin sikur të ishim fëmijët e tyre sepse ne ishim akoma studentë të moshës 20-21 vjeçar. Pra janë të pashlyeshme kujtimet për Kinën.

Keni ndonjë kujtim të veçantë që ju e ruani si nostalgji të atyre viteve?

Enver Muça :Të veçanta ka shumë dhe të veçantat përbëjnë të tërën, kështu që megjithëse kanë kaluar gati 50 vjet nuk harrohen jo vetëm nga mosha që kishim sepse janë kujtime të herëshme, por nuk harrohen dhe nga mënyra e pritjes dhe e dashurisë së kinezëve për ne sepse na njihnin shumë mirë nëpërmjet filmave të asaj kohe. Gjithmonë na thërrisnin me emrat e personazheve të filmave shqiptarë. Këto kanë qenë kujtime shumë interesante.

Pasi mbaruat studimet dhe u kthyet në Shqipëri, keni vizituar Kinën edhe dy herë të tjera. Mund të na tegoni për këto udhëtime?

Enver Muça :Po jam kthyer dy herë, një herë me një delegacion qeveritar si pjesëtar i delegacionit në vitin 1974 dhe herën e dytë me ekipin Dinamo të volejbollit të femrave në rolin e përkthyesit dhe zv/përgjegjësit të ekipit. Që në atë kohë vura re ndryshimet e mëdha, megjithëse ishin 10 vjet që na ndanin qëkur unë nuk kisha qenë në Kinë. Ndryshimet kishin filluar dhe Kina kishte filluar të bënte hapa të mëdha përpara


Rikthimi juaj dy herë të tjera në Kinë ishte nostalgjik, duke qenë se ju kishit studiuar 5 vite atje. E pritët me kënaqësi rikthimin në Kinë?

Enver Muça :Me shumë kënaqësi, ishte me të vërtetë një mall edhe për moshën që kisha kaluar, por edhe për Kinën në përgjithësi. Pata mundësinë në këto dy vizita të takoj miq të vjetër kinez , bashkëstudentë me të cilët kishim kaluar një periudhë kohë . Madje takova dhe studentët shqiptarë që kishin vajtur në ato fillime.

Vazhdoni të ruani akoma kontakte nëpërmjet emailit apo dhe rrjeteve sociale me miq në Kinë ?

Enver Muça :Unë i ruaj pak a shumë kontaktet, por nuk kam kontakte të freskëta ose kontakte me miqtë e mi të vjetër. Deri para një viti kam pasur miq të ngushtë një çift të moshuar kinezësh, të cilët kishin ardhur dhe qëndronin te djali i tyre. Ishin dy njerëz të jashtëzakonshëm të cilët tani kanë ikur në Kinë, por herë pas here komunikojmë nëpërmjet rrjeteve sociale.


Ju jeni edhe autor i librit “Plaku Mu”. Mund të na tregoni se kur e keni botuar këtë libër dhe çfarë keni trajtuar në të?

Enver Muça :Libri titullohet “Frymëzime djaloshare në pleqëri, Plaku Mu”. Mbiemri im është Muça dhe në Kinë zakonisht e kanë zakon që thonë “llau Mu”, që do të thotë “plaku Mu” ose i moshuari Mu. Unë për hir të nostalgjisë e vura këtë titull librit, që është një vepër e thjeshtë dhe modeste me disa poezi me humor, por ndërkohë janë edhe dy tre poezi nostalgji për Kinën. Ky libër është botuar para 5 vitesh, por jo se jam poet dhe as shkrimtar, thjesht një frymëzim i momentit, ku nuk harrova të përmend edhe Kinën në këtë libër.

Faleminderit shumë për këtë intervistë në rubrikën “Kujtoj”

Enver Muça :Sinqerisht ju falënderoj dhe pse kisha emocione kam folur me zemër. Kinën unë e dashuroj, jo vetëm unë por gjithë brezi ynë që kemi studiuar në ato vite nuk e harrojmë atë popull fisnik punëtor, të dashur, të pritshëm. Ju falënderoj nga zemra.