Viti i ri shkollor 2020-2021 nisi të hënën në 1760 shkolla të Shqipërisë, ku 30 mijë mësues edukojnë 480 mijë nxënës. Ky vit përballet me sfidën e pandemisë, ndaj dhe procesi mësimor, i shoqëruar me protokollin mjekësor do të jetë ndryshe nga vitet e tjera. Kjo për shkak se në 1100 shkolla të vendit mësimi do të zhvillohet me një turn, por në 480 shkolla me dy turne dhe në 180 të tjera me 4 turne. Ministria e Arsimit e Shqipërisë ka njoftuar se në rast të infektimit të mësuesve me Covid 19, ka në dispozicion 1 mijë mësues për zëvendësimin e tyre.
Ministrja e shëndetësisë e Shqipërisë Ogerta Manastirliu i është drejtuar me një mesazh nxënësve në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.
“Hapja e shkollave këtë vit ka një rëndësi të vecantë. Vec faktit që fëmijët tanë do të vijojnë rrugën e dijes, do të duhet të vijojmë përballjen me virusin Covid 19 dhe nuk do të jetë e lehtë. Periudha e vjeshtë-dimrit që po afron përvec forcimit të kapaciteteve të sistemit shëndetësor kërkon angazhimin e të gjithë qytetarëve, vecanërisht të cdo prindi për rolin e rëndësishëm që duhet të luajë secili prej nesh për të frenuar përhapjen e Covid 19. Si prindër duhet ti marrim përgjegjësitë që na takojnë për ti rikujtuar fëmijëve tanë rregullat e higjenës personale, për ti mësuar se vendosja e maskës, ruajtja e distancës dhe përqafimi me zemër të bën superhero”, tha ministrja Manastirliu.
Ndërkohë gjatë takimit të mbajtur me mësuesit e përzgjedhur për të regjistruar mësimet në RTSH Shkolla kryeministri shqiptar Edi Rama e vuri theksin te sfida që duhet përballuar me hapjen e shkollave ndaj mundësisë së transmetimit të virusit. Sipas tij, moskthimi i nxënësve në bankat e shkollave ishte opsioni më i keq, që do të sillte pasoja të rënda psikologjike tek fëmijët.
“Jemi në gjendje të ofrojmë një rrugë alternative mësimi për të gjithë nxënësit po sidomos në kushtet e sotme kur procesi arsimor është i sfiduar nga domosdoshmëria për të mbrojtur njëkohësisht edhe shëndetin e fëmijëve, familjeve dhe kjo është më e lehtë ta thuash sesa ta bësh pasi e dimë shumë mirë që me hapjen e shkollave rritet në mënyrë të konsiderueshme mundësia e transmetimit dhe patjetër që është sfidë më vete”, u shpreh Kryeministri Rama.
Kërkesa e kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe e specialistëve të arsimit të lartë për kryerje masive të testimit te mësuesit u kundërshtua nga Instituti i Shëndetit Pubik. Në një prononcim për Televizionin Shqiptar, epidemiologia Eugena Tomini tha se testimi masiv nuk është rezultativ pasi ai shërben vetëm për qëllime studimore dhe jo parandaluese.
“Testimi është momental. Asnjë testim paraprak, sado masiv të jetë nuk mund të vlerësojë situatën shëndetësore nëse mund të shfaqen shenja klinike të nesërmen dhe ndërkohë individi ka qenë në kontakt me fëmijët apo me mësuesit disa ditë më parë” tha Tomini.
Një lajm i mire në këtë vit shkollor është dhe hapja e 35 shkollave profesionale në të gjithë vendin, që do të frekuentohen nga mbi 20 mijë nxënës.
Për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut e punës Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimit ka përmirësuar kurrikulat. Janë përditësuar 26 kurrikula me kërkesat e tregut të punës dhe nevojat e nxënësve në arsim profesional. Janë zhvilluar 2 profile të reja në “teknologji bujqësore” dhe “teknike peshkimi”. Janë përshtatur 125 kurrikula me sistemin e ri të kodimit sipas kërkesave të kornizës shqiptare të kualifikimeve dhe është përmirësuar struktura e modeleve të praktikës profesionale, duke u fokusuar në rezultatet e të nxënit të kërkuara në botën e punës.
Prindërit, pjesë e sfidës shkollore ndaj pandemisë, ndonëse disi të shqetësuar për hapjen e shkollave për shkak të mundësisë së transmetimit të Covid 19 në mbi 80% të të anketuarve për këtë çeshtje, janë shprehur pro fillimit të vitit të ri shkollor.
“Të them të drejtën jam pak e shqetësuar për fëmijët e mi këtë vit shkollor. Nuk jam e sigurtë nëse do të dinë të mbajnë maskën gjatë mësimit dhe a do të mund të mbrohen sipas rregullave të paracaktuara. Megjithatë unë e kam plotësuar formularin që dy fëmijët e mi të ndjekin mësimin sepse mendoj që mësimi online nuk funksionin si mësimi në klasë”, thotë nëna e dy nxënësve.
Këtë shtator nxënësit shqiptarë kanë hyrë në mjediset shkollore me maska mbrojtëse dhe të pajisur me dezinfektues. Ata tashmë i presin rregulla të reja, për sigurinë e tyre shëndetësore dhe mbajtjen larg të Covid 19.
Nxënësit hyjnë në shkollë me maska mbrojtëse dhe në distancë 2 m, ndërsa para futjes në godinë u matet temperatura, u dezinfektohen duart dhe këpucët. Në mjediset e brendshme të shkollave ka sinjalistikë për distancimin fizik të nxënësve. Në klasa numri i nxënësve është i përgjysmuar dhe qëndrojnë në banka të veçanta, të cilat nuk i ndërrojnë gjatë ditës mësimore. Në tavolinën e mësuesit ndodhet dezinfektuesi, në përdorim për të dhe nxënësit.
Nxënësit çdo ditë duhet të kenë me vete të plotësuar formularin e deklarimit të gjendjes së tyre shëndetësore dhe të familjarëve, e cila nënshkruhet nga prindërit. Të njejtin formular çdo ditë duhet të paraqesin dhe mësuesit.
Masat e mara në shkollat shqiptare janë vlerësuar dhe nga drejtoresha e OBSH-së në Tiranë, Bettina Menne e cila në një deklaratë për mediat vuri në dukje se “Është e një e drejtë themelore që fëmijët të kthehen në shkolla. Ministria e Shëndetësisë ka marrë pjesë aktive në takimet që është folur për këtë temë me ministritë e tjera, për të konsideruar qasjet më të sigurta. Hapja e shkollave bazuar në eksperienca të tjera krijon risqe të reja dhe raste të reja të mundshme, do të varet nga mënyra e menaxhimit brenda shkollave dhe nga prindërit në shtëpi. Pozitivja është se fëmijët nuk e zhvillojnë këtë sëmundje në formë agresive dhe të rënduar. por vetëm në raste të rralla te sëmundjeve bashkëshoqëruese”, theksoi ajo
Mbyllja e shkollave për shkak të pandemisë ka prekur 1.3 miliardë nxënës në mbarë botën. Agjencitë e OKB-së paralajmëruan se mbyllja në masë e strukturave arsimore paraqet një rrezik të paprecedentë për arsimimin dhe mirëqenien e fëmijëve, veçanërisht për fëmijët më të margjinalizuar të cilët mbështeten te shkolla për arsimimin, shëndetin, sigurinë dhe ushqyerjen e tyre. Me afrimin e vjeshtës dhe nisjen e vitit të ri shkollor shtete të ndryshme po zbatojnë politika të ndryshme, bazuar në kushtet e veçanta të përhapjes së koronavirusit. Ndërkohë virologët thonë se ka pak dëshmi të transmetimit të COVID-19 në shkolla.
Shkollat, sipas OBSH-së, duhet të zbatojnë verifikimin e gjendjes shëndetësore të nxënësve, mësuesve dhe stafit përcjellës dhe të zbatojnë politikën e ashtuquajtur, “nëse nuk ndihesh mirë – qëndro në shtëpi”. Masat e rekomanduara nga OBSH-ja mbeten distanca fizike në klasa, larja e shpeshtë ose dezinfektimi i duarve, ajrosja e hapësirës se shkollave dhe vendosja e maskave.