Profesori i asociuar në neurokirurgji Kita Sallabanda, kryetar i Shoqatës së Radiokirurgjisë së Spanjës dhe anëtar i Federatës së mjekëve shqiptarë në botë është bërë i njohur për publikun shqiptar për opinionet e tij në media, lidhur me epideminë COVID-19. Në një intervistë për gazetaren Eda Merepeza ai ndan opinionet e tij me Radio Ejani

CMG: Prof. Sallabanda ju keni ndjekur situatën epidemike në Shqipëri hap pas hapi dhe keni dhënë vlerësimet tuaja për të pothuajse në të gjitha mediat shqiptare. Si i vlerësoni masat e mara në Shqipëri për kontrollin e epidemisë?

Prof.asc Kita Sallabanda: Fillimisht shumë të mira, të guximshme dhe efikase, ndërsa muajt e fundit me disa mangësi në numrin e testeve, në gjurmuesit epidemiologjikë dhe në nivelin e trajtimit të të sëmurëve rëndë. Gjithësesi do ta vlerësoja me nota pozitive. Ka një problem perceptimi në shoqërinë shqiptare, që duhet korrigjuar dhe kjo nuk është vetëm punë e qeverisë, por e gjithë shoqërisë.


CMG: Vendet mesdhetare, ku përfshihet dhe Shqipëria me ardhjen e sezonit veror dhe frekuentimin e plazheve duket sikur e harruan virusin. A është koha për të shtrënguar masat mbrojtëse ndaj përhapjes më të gjerë të tij, kryesisht të mbajtjes me detyrim të maskës?

Prof.asc. Kita Sallabanda: Po, ky është problem i perceptimit. Unë ndodhem tani në Tiranë dhe dal tërë kohës me maskë, që këtu pothuajse nuk e përdorin. Veç kësaj duhen kontrolluar grumbullimet e njerëzve dhe duhen ndërgjegjësuar moshat e reja.

CMG: Po afrohet nisja e vitit të ri shkollor. Shume vende përfshirë dhe Shqipërinë kanë shpallur nisjen e tij. Mendoni se me zbatimin e masave mbrojtëse do të shmanget shtimi i të prekurve në institucionet shkollore?

Prof.asc. Kita Sallabanda: Ky është një problem jo vetëm shqiptar, por i tërë Evropës dhe botës, sepse është e vështirë të zgjidhet ndaj kërkon impenjimi total me masa të jashtëzakonëshme kontrolli dhe distancim social.

CMG: Vaksina do te jetë “drita në fund të tunelit” të pandemisë? Tashmë po eksperimentohen vaksina nga vende të ndryshme të botës. Cili është vlerësimi juaj për vaksinat?

Prof.asc. Kita Sallabanda: Është një çeshtje komplekse. Mendoj se kërkon qetësi, rigorozitet shkencor dhe kohën e mjaftueshme për tu vërtetuar dhe provuar. Mendoj që në gjashtëmujorin e pare të 2021 do ta kemi vaksinën.

CMG: Jeni pjesë e Federatës së mjekëve shqiptarë në botë. Cili është kontributi i Federatës në luftën kundër pandemisë dhe mbështetjen e institucioneve shqiptare të shëndetësisë për këtë?

Prof.asc. Kita Sallabanda: Kemi bërë thirrje për ndërgjegjësimin e opinionit publik dhe jemi përpjekur të japim eksperiencën tone. Kemi shprehur gatishmrinë tone për të bashkëpunuar me qeverinë dhe institucionet shqiptare. Kemi transmetuar opinionin tone se si mund të zgjidhen problemet në trevat shqiptare.


CMG: Gushti ju solli për pushime në Shqipëri. Si një ndër mjekët më të ndjekur nga publiku shqiptar në daljet tuaja në media, çfarë këshillash do të jepni për betejën në vazhdim ndaj COVID-19?

Prof.asc. Kita Sallabanda: Duhet ndërgjegjësim, kujdes, masa mbrojtëse individuale. Virusi është real, jeton me ne dhe deri sa të kemi vaksinën duhet të mbrohemi. Të tregohet kujdes për fëmijët edhe pse pa shenja klinike ata janë burim infeksioni. Virusi godet çdo moshë, edhe moshat e reja. Sidomos të rinjtë nuk duhet të kthehen në elemente të transmetimit të virusit. Dhe mos harroni që pasojat mund të jenë të rënda për shëndetin.

Intervistoi: Eda Merepeza