Intervistë me trajnuesen e parë të Face Yogës në Shqipëri, Laura Xhaxhiu

CMG: Prej disa muajsh jeni bërë e njohur si trajnuesja e parë në Shqipëri e face yoga, apo joga e fytyrës. Çfarë është face yoga?

Face Yoga është mënyra më e lehtë dhe efektive për të patur ose për të rifituar një pamje natyrale, rinore pa përdorur produkte te shtrenjta kozmetike, mbushës, kimikate ose botox. Ajo është një alternativë 100% natyrale ndaj të gjithë recetave anti-plakje që serviren në ditët e sotme.

Face Yoga përbëhet nga një grup ushtrimesh shumë të thjeshta, të cilat janë krijuar për të çlodhur dhe tonifikuar muskujt e fytyrës. Qëllimi i tyre kryesor është ta bëjnë fytyrën tonë të duket rinore, e freskët dhe të shkëlqejë pavarësisht moshës. Face Yoga nuk kërkon kohë, mund të bëhet nga rehatia e shtëpisë dhe nuk ka kosto. Eshtë e thjeshtë dhe lehtësisht e arritshme për të gjitha grate, sidomos mbi moshën 40 vjeçare, por Face Yoga është miqësore dhe për meshkujt. Gjithçka ju nevojitet është fytyra dhe duart tuaja.

CMG: Si e zbuluat face yoga-n?

Gjithë jetën jam kujdesur për fytyrën time. Por, rreth dhjetë vjet me parë kur po hyja në të 40-at e mija, vura re se po e humbja betejën me bukurinë dhe freskinë e fytyrës. Një rrudhë më shumë në sy, një qepallë e lodhur, buzë me volum të humbur dhe…..kaq më mjaftuan që të ngrija alarmet brenda vetes. Gjeta rrugën më “të shkurter” dhe me rezultate super të “shpejta“ dhe “optimiste”. Një trajtim Botoxi dhe fillers! Gjilpërat mbi buzë, ballë e qafë me rikthyen një rini mashtruese që nuk zgjati shumë. Tre – gjashtë muaj, dhe sërish e pashë veten të mundur nga rrudhat dhe nga lëkura e dikurshme, që u rikthyen të pamëshirshme dhe përbuzëse ndaj çdo ndërhyrjeje të jashtme.Ç’duhet të bëja? Të krijoja varësi ndaj tyre, apo të gjeja një alternativë më pak të kushtueshme dhe më shumë natyrale?! Ishin kohrat e nje drame të vërtetë të një gruaje në meso-moshë, që kishte humbur çdo betejë me plakjen e fytyres se saj, dikur të bukur dhe rrezatuese….

Deri sa tre vjet më parë në një nga udhëtimet e mia në Azi, rastësisht u bëra pjesë e një seminari mbi yogën e fytyrës. E regjistruar në një kurs 6 javor njoha një tjetër botë: ishte e thjeshtë, natyrale, kërkonte pak para, pak kohë, por shumë dashuri për veten. Çdo gjë përmblidhej në një grup ushtrimesh të thjeshta të muskujve të fytyrës, të masazhimit të tyre, të relaksimit si dhe një informacion i bollshëm mbi kujdesin natyral të fytyrës dhe të një jete të shëndetshme pranë natyrës. Ndryshimet filluan të vinin ngadalë, me durim, përmes një rutine të përditshme ushtrimesh te thjeshta, deri sa fillova të ndjej ndryshim, një përmirësim të lehtë, por besimplotë dhe shpresëdhënës.

Pas thuajse 1 viti intensiv studimesh, në Janar 2019 u diplomova nga mjeshtrja japoneze, Fumiko Takatsku, krijuese e Face Yoga Method, si mësuese e certifikuar ndërkombëtare e Metodës së Face Yogës, me të drejtën për të dhënë kurse dhe mësime për një fytyre të tonifikuar, të shëndetshme dhe plot shkëlqim.

Qysh prej një viti më në fund ndjehem mjaft mirë me portretin tim. Me vetem 10 minuta ushtrime çdo ditë, me një stil natyral jetese dhe zakone te shëndetshme të të ushqyerit dhe të kujdesit ndaj fytyrës, tani, kur shoh portretin tim në pasqyrë më vjen të them…Unë munda! Ja dola dhe do të vijoj t’ia dal! Dhe ashtu si unë, edhe shumë gra të tjera që e duan veten e tyre, lekurën e tyre dhe investojnë më të mirën dhe më të shëndetëshmen për veten do t’ia dalin!

CMG: Përveç promovimit të face yoga-s në media dhe rrjetet sociale, si po e zhvilloni trajnimin për të? A ka interes për face yoga-n në Shqipëri?

Ndërkohë që praktika e Face Yogës është mjaft e përhapur në Lindjen e Largët, në Evropë ajo është bërë e njohur gjerësisht dekadën e fundit. Ndërkohë në Shqipëri, sapo ka hyrë, dhe mua më është dashur të punoj fort jo vetem me promovimin e saj por mbi të gjitha të punoj fuqishëm për të ndërgjegjësuar shoqërinë shqiptare se bukuria e fytyrës sonë në rradhë të parë gjendet në duart tona dhe në forcën e vullnetit tone. Face Yoga ka thyer mitin e moshës dhe bukurisë. Sot kemi gra të bukura dhe të freskëta edhe ne moshën 65 po 78 vjeç, mjafton ta duam veten dhe të kujdesemi të paktën 10 minuta në ditë për të.

Ndihem mjaft e kënaqur pasi Face Yoga ka zgjuar interes të madh edhe në Shqipëri, jo vetem për mbi 40 vjeçaret e lart por dhe te vajzat 25 – 35 vjeç, të cilat dëshirojnë të parandalojnë shenjat e moshimit apo të plakjes.

Aktualisht unë jam duke organizuar kurse kryesisht on-line nëpërmjet platformës ZOOM apo SKYPE në shqip dhe në gjuhën angleze. Kurset jane dy llojesh: Kurse private per individë ku punohet në mënyrë të personalizuar si dhe kurse në grupe deri në 8 persona për metodën e Face Yogës.

Virtualiteti e ka bërë botën të duket shumë e vogël, pasi ka fshirë kufijtë dhe ka minimizuar distancat. Klientet e mija janë jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga ShBA, Singapori, Australia, Mbretëria e Bashkuar, etj.


CMG: Ju jeni drejtore ekzekutive e organizatës joqeveritare Open Doors, prej disa vitesh. Si arrini që të harmonizoni punën tuaj të përditëshme me trajnimet për face yoga-n?

Unë punoj prej rreth 15 vitesh në botën e menaxhimit të projekteve në organizatën Open Doors që ka për qëllim të fuqizojë gratë dhe të rinjtë. Ky profesion më ka mësuar të punoj në disa projekte njëkohësish , ndërkohë që më është dashur të udhëtoj shumë, të shkruaj projekte të reja, apo të përgatis raporte për projekte që janë në përfundim. Pikërisht kjo mënyrë e të punuarit, kërkon një menaxhim shumë të mirë të kohës si dhe një prioritarizim të detyrave dhe obligimeve. Kështu që edhe krijimin dhe punën në organizimin e kurseve të trainimit të Face Yoga Energy, e kam konsideruar si një projekt më shumë në agendën time. Kur punon me pasion dhe dashuri, gjen gjithmonë kohë për ta bërë. Unë ndihem mjaf mirë gjatë kurseve të Face Yogës pasi të gjitha studentet e mija më japin shumë motiv dhe energji pozitive. Ndihem me fat pasi unë paguhem për një “punë” të cilën dua ta bëj. Dhe kjo nuk është e pakët, apo jo?!

CMG: Izolimi nga pandemia COVID 19 dhe më pas përshtatja me normalitetin e ri, si ndikuan në përditshmërinë tuaj?

Disa situata tejet të vështira dhe të mbarsura me frikë dhe pasiguri, si kjo e COVID 19 , nganjëherë vijnë për mbarë pasi na shtyjnë të ndërmarrim aksione për të cilat në gjëndje normale mendojmë qe “nuk jemi akoma gati”

Pikërisht situata e pandemisë së COVID 19 ishte shtytja e duhur për mua, që nisa të promovoj intensivisht Face Yogën në Media dhe Mediat Sociale pikërisht në këtë kohë. Ishte koha kur të gjitha projektet dhe aktivitet që kisha me organizatën Open Doors u bllokuan, dhe koha në dispozicion ishte shumë e madhe. Kështu që Face Yoga Energy është një nga produkt i këtij momenti tejet të vështirë.

CMG: Ju dhe bashkëshorti, gazetari i njohur Rezear Xhaxhiu e keni pasion turizmin. A keni patur rast të vizitoni Kinën dhe cilat janë përshtypjet tuaja nga kjo vizitë?

Turizmi dhe veçanërisht turizmi kulturor është një nga hobit e mija dhe të Rezearit. Përpara 2 vitesh, në gusht–shtator 2018 ne zhvilluam një udhëtim të mrekulluleshëm për rreth 6 javë në Azi. Dy nga destinacionet tona të udhëtimit ishin Hong Kong-u dhe Makao. Jam e mrekulluar nga këto dy provinca të Kinës, ku shijuam gjithshka: nga natyra e mrekullueshme, tempujt e lashtë, miksimi i kulturave, lifestyle dhe ushqimi aq i shëndetshëm dhe deri tek kontaktet me vendësit. Kina vijon të mbetet për ne destinacioni i ëndrrave për faktin se është një vend me kulturë të lashtë dhe me një kulinari të mrekullueshme. Unë personalisht kam edhe një motiv mjaft të fortë për të vizituar këtë vend, sidomos kur bëhet fjalë për të zbuluar traditat e lashta shëruese kineze të kujdesit për lëkurën, aq te famshme deri në ditët e sotme.

Intervistoi Eda Merepeza