“Mbrëmjet binin gjithmonë të njëjta, sa që ndonjëherë ngjante sikur përsëriteshin me po atë kolorit, zbehtësi e pipëtima të mekura nëpër largësitë ku digjeshin muzgjet e përndjekur nga yjet. Porsa bjerrej drita e dhomës, sodisja përmes perdes së lëshuar, e cila më fanitej sikur mbulonte botën, ashtu si në skenat e ndërtuar në periudhën antike anës së shpateve, ku janë luajtur dramat dhe komeditë njerëzore, aty ku si padashur shprisheshin vështrimet e ngurta të të pagjumëve.”
(fragment nga romani “Robi i lartësive” i autorit Ermir Nika)
CMG: Takohemi sërish me shkrimtarin Ermir Nika, i cili na besoi të parëve lajmin për botimin e romanit të tij “Robi i lartësive” kushtuar teknikut kinez Chen Pao Y, që humbi jetën në malin e Dajtit ku po instalonte antenën për transmetim të Televizionit Shqiptar në vitet 70-të. Romani erdhi në duart e lexuesve në janar të këtij viti nga shtëpia botuese “Fan Noli”. Si është pritur “Robi i lartësive nga lexuesi shqiptar?
Ermir Nika: Ju falenderoj për këtë hapësirë që i keni kushtuar romanit tim, i cili në lëmin e botimeve shqiptare, ndonëse jam autor i tij e shoh si ekspert i botimeve dhe mendoj se sjell një frymë ndryshe përsa i përket subjektit, klimës që krijon një zhvendosje të ndjeshme nga fryma e komercialitetit që sot mbizotëron jo vetëm në tregun shqiptar, por dhe në atë global. Romani me sa shoh është pritur mirë, madje javën që shkoi ka patur interesim nga miq, të cilët më kanë thënë se nuk po e gjejnë në librari. Bisedova me botuesin, i cili më premtoi se do të furnizojë libraritë. Ky interesim i madh më habit se të them të drejtën nuk e kisha pritur, por fakti që interesimi është në rritje tregon se është zgjuar geni i një kujtese të shoqërisë sonë, që ka fjetur prej katër dekadash dhe është zgjuar pikërisht me një mit që dukej i harruar, Chen Pao Y dhe historia e tij.
CMG: A është promovuar në Tiranë romani “Robi i lartësive”, duke patur parasysh kushtet e emergjencës pandemike që ndërpreu shumë veprimtari.
Ermir Nika: Për arësye të pandemisë romani ndonëse u botua në këtë periudhë, por promovimi u shty. Ndaj njoftova dhe ambasadën kineze në Tiranë për botimin e këtij libri që nuk i përket vetëm lexuesit shqiptar, por dhe atij kinez me shpresë se promovimi do të bëhet së shpejti.
CMG: Fillimisht krijimit tuaj ju i keni dhënë formën e një skenari filmi, por më pas vepra përfundoi si roman. Besoni se mbi këtë vepër letrare mund të realizohet një film artistik?
Ermir Nika: Fillimisht vepra erdhi në një formë filmike sepse vetë kujtesa vjen e tillë, pastaj vepra më çoi vetë drejt një romani. Nuk e kisha menduar si një roman , madje shumë prej atyre që e kanë lexuar më kanë thënë se mund të bëhet një film i mire. Unë mendoj që në të ardhmen mund të rikthehemi te një bashkëpunim i rëndësishëm dhe uroj të jetë mes kinematografisë sonë dhe asaj kineze. Chen Pao Y ka mbetur këtu dhe ai është simbol i një marrëdhënieje e cila u ndërpre. Në këtë aspekt romani, ndonëse nuk besoj në rastësira, u botua pikërisht në periudhën kur ndodhi pandemia dhe Kina ishte në qendër të vemendjes.
CMG: Fragmente të romanit “Robi i lartësive” janë përkthyer dhe në rumanisht. Si u bë e mundur kjo?
Ermir Nika:Kjo u bë e mundur nëpërmjet albanologut të njohur rumun Marius Dobrescu, mik i imi, i cili ka qenë student në vitet 70-të në Tiranë, pikërisht në atë periudhë kur Kina ka qenë shumë e pranishme në jetën sociale dhe politike shqiptare. Ai kishte pare një artikull që fliste për këtë subjekt dhe më that i nisja një kapitull se donte ta lexonte dhe nëse do ti pëlqente do ta përkthente në gjuhën rumune për ta botuar më pas në një revistë letrare të njohur në këtë vend. Pas një muaji komunikim më erdhi revista ku ishte botuar kapitulli nga romani im dhe ishte një surprizë e bukur, pasi unë kisha menduar se linja e romanit do të jetë gjithmonë Shqipëria dhe Kina, por në këtë rast nuk ishte. Gjithmonë kam menduar se marrëdhënia jonë nuk duhet të mbetet në një komunikim ekonomik, industrial apo tregtar siç brezi i ri e njeh me markën “Made in China”, por duhet të dime se çdo marrëdhënie së pari krijohet nga marrëdhëniet njerëzore. Ndodhi që një inxhinier kinez dha jetën në Shqipëri ndonëse me punën e tij kishte ngritur antena në të gjithë Kinën. Ai dha jetën këtu dhe mbeti në Shqipëri dhe kur u prishën marrëdhëniet midis dy vendeve. Pikërisht mbi këtë simbol unë ngrita një vepër.
CMG; A do të dëshironit që romani të botohej dhe në kinezisht? Keni patur ndonjë bashkëpunim për këtë?
Ermir Nika: Kur shkruan një vepër dhe je i lidhur shpirtërisht me të nuk mendon për famë. Unë do të doja që vepra të ndërtonte komunikim me shoqërinë kineze, pasi romani u flet dhe atyre, i flet të ardhmes. Unë mendoj që tashmë vepra duhet të komunikojë dhe me lexuesin kinez. Kam zhvilluar disa biseda me albanologen kineze Gina (Ke Jing), e cila ka shprehur interes për tu njohur me këtë vepër.
CMG: Jeni autor i 9 librave dhe natyrshëm pyesim çfarë po përgatitet në laboratorin tuaj krijues?
Ermir Nika: Pas botimit të vëllimit me poezi “Kuarteti bohem”i cili u është prezantuar në disa antologji ndërkombëtare, pra në disa gjuhë iu kushtova tërësisht romanit “Robi i lartësive”. Njëkohësisht gjatë këtyre viteve kam ngritur disa linja romanesh dhe njeri prej tyre me një subjekt disi të veçantë përsëri lidhet me hapësirën aziatike. Një tjetër projekt janë ditaret e shqiptarëve në kampet naziste të përqëndrimit Aushwitz dhe Mathauzen si dhe dy romane të tjera në proces krijimi.
Intervistoi Eda Merepeza