Instituti Konfuci në Universitetin e Tiranës, ashtu si të gjitha institucionet arsimore dhe kulturore në vend, në përballje me situatën e emergjencës për shkak të pandemisë COVID 19 ka përshtatur programet mësimore, kurset e gjuhës kineze dhe veprimtarinë e tij. Madje nga data 10 qershor ky institut ka ofruar për të gjithë të interesuarit dhe studentët e Universitetit të Tiranës një program veror me kurse falas të nivelit fillestar të gjuhës kineze deri më 20 qershor 2020.
Drejtori shqiptar i Institutit Erion Malaj tregon për Radio Ejani vazhdimin e programit mësimor online, platformat e ndjekura, vështirësitë e mësimit online por dhe vijimësinë e tij në varësi të situates së mbrojtjes nga pandemia e koronavirusit.jani vazhdimin e programit mësimor online, platformat e ndjekura, vështirësitë e mësimit online por dhe vijimësinë e tij në varësi të situates për parandalimin dhe mbrojtjen nga pandemia e koronavirusit.
CMG: Pandemia COVID 19 ka prekur dhe veprimtarinë e institucioneve arsimore dhe kulturore kudo nëpër botë. Si ju përshtat veprimtaria e Institutit "Konfuci" masave shtrënguese të pandemisë?
Erion Malaj: Në Institutin Konfuci në Universitetin e Tiranës jemi përballur si mbarë bota me situatën e pandemisë, shkaktuar nga COVID 19 dhe në fillim patëm vështirësi sepse nuk ishim të përgatitur nga ana akademike për të përballuar një situatë të tillë. Në kohë rekord në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës arritëm të ngrinim një sistem për dhënien e kurseve të gjuhës dhe kulturës kineze online, duke përdorur platforma ndërkombëtarisht të njohura siç është zoom. Por edhe nëpërmjet formave të tjera të rrjeteve sociale kemi arritur të mbërrijmë te studentët tanë, duke u krijuar atyre mundësi studimi për të mos u shkëputur në asnjë moment nga kurset e gjuhës dhe kulturës kineze.
CMG: Zhvillimi i kurseve të gjuhës dhe kulturës kineze online ishte i vështirë për stafin pedagogjik dhe studentët e Institutit tuaj?
Erion Malaj: Pjesa më e madhe e studentëve dhe e të interesuarve në Shqipëri për të mësuar gjuhën dhe kulturën kineze janë moshë e re dhe nuk kanë patur vështirësi në aksesimin apo përdorimin e teknologjisë. Sigurisht as pedagogët nuk kanë patur vështirësi për menaxhimin nëpërmjet këtyre platformave online të klasave dhe leksioneve. Pra çdo gjë ka ecur sipas programit. Do të thosha që përveç javës së parë kur gjithçka ishte rijësi për ne, leksionet në vijim kanë vazhduar pa asnjë problem.
CMG: Keni bashkëpunuar gjatë kësaj periudhe izolimi me institucionet simotra, qoftë dhe për mbështjetje apo shkëmbim përvoje?
Erion Malaj: Po, kemi qenë në kontakt me disa kolegë të mi, drejtorë të instituteve Konfuci në rajon, por dhe në ato të Evropës Qendrore dhe Perëndimore. Koordinimi ka qenë shumë i mirë sepse kemi arritur të japim dhe të marrim me njeri-tjetrin informacione të rëndësishme . Vështirësitë më të mëdha i kemi hasur kur është diskutuar rreth mbarëvajtjes së disa testimeve apo provimeve me shkrim të gjuhës kineze, kjo për faktin se është e domosdoshme që ato të bëhen me shkrim dhe për këtë arësye kemi vendosur që të kryhen në korrik. Sipas normave dhe rregulloreve për situatën të vendosura nga qeveria do të ndjekim të gjitha udhëzimet në mënyrë që mbarëvajtja e provimit të jetë e suksesëshme dhe stafi akademik e studentët të mos përballen me rrezikshmëri për shkak të COVID 19.
CMG: Pjesë e stafit pedagogjik të institutit Konfuci pjesa më e madhe janë pedagogë kinezë. Ku ndodheshin ata gjatë periudhës së izolimit dhe si do të jetë në vijim pjesmarrja e tyre në veprimtarinë e Institutit?
Erion Malaj: Të gjithë pedagogët dhe drejtori i palës kineze i Institutit kanë qenë dhe janë në Tiranë, sepse ata nuk kanë lëvizur gjatë situatës së pandemisë për shkak se deri në ditën e shpalljes së emergjencës ne kemi vijuar punën tonë, si zakonisht. Pas vendosjes së gjendjes së izolimit ne veprimtarinë tonë e kemi zhvilluar online, madje edhe shumë mbledhje pune të stafit pedagogjik ne i kemi zhvilluar online.Pas lehtësimit të masave shtrënguese stafi administrativ dhe pedagogjik del rregullisht në punë në Institut, duke respektuar të gjitha masat e distancimit dhe të mbrojtjes nga infektimi.
CMG: Tashmë pas lehtësimit të masave shtrënguese që u morën për përballimin e emergjencës COVID-19, si po vijon veprimtaria e Institutit "Konfuci" dhe çfarë strategjie do të ndiqet me nisjen e vitit të ri akademik?
Erion Malaj: Nëpërmjet platformës online ne do të vazhdojmë leksionet për të gjithë studentët tanë deri në muajin shtator. Ndërsa në tetor kur normalisht nis viti i ri akademik duhet parë situata, duke respektuar vendimet që do të merren nga qeveria shqiptare dhe konkretisht nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë si dhe udhëzimeve të Inspektoriatit të Arsimit të Lartë në Shqipëri, do të veprojë dhe Instituti Konfuci. Aktualisht po punojmë online dhe do të vazhdojmë kështu deri në kthimin në normalitet të situatës.
Intervistoi Eda Merepeza