Në një rrëfim të shtruar për "ditët e saj" në karantinë poetja dhe botuesja e njohur Rita Filipi, drejtuese e Shtëpisë Botuese "Albas" flet për fitoren e librit dhe të të lexuarit ndaj izolimit, për dëmin që ai i solli botimeve dhe planet e afërme

CMG: Qysh prej marsit pothuajse e mbarë bota është në vetëizolim. Po libri si po e përballon izolimin e lexuesve të tij?

Rita Filipi: Në radhë të parë ju falenderoj që më dhatë kënaqësinë për këtë intervistë te Radio e Jashtme e Kinës. Duke qenë se e gjithë bota si asnjëherë tjetër përjetoi të njëjtën situatë të vështirë izolimi, mendoj, se edhe dukuritë që kanë lidhje me librin, i kemi të ngjashme. Libri ashtu si monedha, ka dy anë; njëra lidhet me leximin, tjetra me shitjen. Për atë çka lidhje me leximin, mendoj, se si asnjëherë tjetër njerëzit iu janë drejtuar bibliotekave të tyre. Sa herë i themi vetes, sapo të lirohemi nga punët e shumta, do të gjej kohë të lexoj për qejf. Nuk e kam në kuptimin e fjalës "qejf", për të kaluar kohën, por për të gjetur një situatë, kur të mos jemi aq shumë të mbingarkuar dhe në lëvizje. Libri nuk lexohet në nxitim e sipër. Libri do qetësi. Vërtet shumë të qetë mendërisht nuk kemi qenë, por të qetë në kuptimin e lëvizjes po. Kështu që libri ka shërbyer shumë edhe për të na hequr stresin e të menduarit tërë kohën për pandeminë. Kam parë njerëz mjaft aktiv në lidhje me prezantime librash, me mendimet e tyre kritike apo vlerësuese, jo vetëm te shqiptarët, por edhe në vendet e tjera. Bota është bërë shumë e vogël prej internetit, kështu që mund të ndjekim njerëz të thjeshtë e personalitete të shquara të botës, të cilët rekomandojnë libra të ndryshëm. Kjo është gjë shumë e mirë, siç është dhe leximi online apo me video të postuara nga njerëz të ndryshëm, aktorë apo nga vetë shkrimtarët dhe poetët.

CMG: Si drejtuese e shtëpisë botuese "Albas" a është "prekur" veprimtaria juaj nga pandemia.

Rita Filipi: Si gurisht që po. Mendoj se të gjithë botuesit janë në situatë të vështirë, sikurse dhe shumica e bizneseve të tjera. Rënia e ekonomisë na vë të gjithëve në vështirësi; shumë aktivitete librash u anulluan…ja së fundi Panairi Ndërkombëtar i Librit për Fëmijë në Bolonjë, ku do të bënim disa marrëveshje për blerjet e të drejtave të disa librave, Panairi i Librit në Prishtinë, etj. Normal ne mund të komunikojmë me kompanitë e huaja apo bashkëpunëtorët edhe online, por është një situatë që duhet t'i hedhim hapat më me kujdes, kur bëhet fjalë për titujt që do të botojmë. Ndihet një rënie e madhe e shitjeve duke bërë krahasimet me situatën para pandemisë. Por më e rëndësishme për ne është të ruajmë të paprekur të gjithë stafin që e kemi shumë të kualifikuar. Dhe kur shoh se sa mik i mirë për njerëzit ka qenë libri në këtë situatë të vështirë, jam e bindur se do të durojmë dhe do të vazhdojmë të sjellim tituj të mirë dhe cilësorë edhe këtë vit, që si zakonisht do t'i i prezantojmë në Panairin e Librit të Tiranës në nëntor.

CMG: Në median sociale jeni mjaft aktive si pjesë e nismës "Unë lexoj", si dhe keni postuar video ku interpretoni poezitë tuaja. Si janë pritur këto video dhe a ju duket se komunikimi online do të përdoret shpesh në të ardhmen e afërt?

Rita Filipi: Unë i jam bashkuar nismës së Qendrës së Librit për Fëmijë me drejtuese Zj. Anisa Ymerin, e cila është mjaft aktive dhe e pasionuar për të nxitur fëmijët që të lexojnë. I jam bashkuar me qejf kësaj nisme, duke qenë se ne kemi botime aq të shumta dhe aq gjithëpërfshirëse për fëmijët. Po kështu i jam bashkuar dhe nismës për lexim nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, pranë Ministrisë së Kulturës, me drejtuese Zj. Alda Bardhylin, e cila dhe po bën një punë shumë të madhe në promovime vlerash kombëtare dhe botërore të njerëzve të letrave. Leximi i librave është mirëpritur si nga fëmijët edhe të rriturit. Po ajo çka është më interesante, lidhet me poezinë. Poetët përherë kanë dashur t'i lexojnë vetë poezitë e tyre. Histori e njohur kjo. Ndonjëherë mendojmë se recitimi i jep vlerë poezisë. Unë do të thoja se leximi e përcjell më mirë e më qartë mendimin e poezisë te lexuesi. Interpretimi i jep më shumë ndjenjë, por jo çdo poezi e ka të shprehur hapur ndjesinë. Sidomos poezia moderne, që e fsheh ndjesinë pas metaforave. Gjithësesi për mua ka qenë një kënaqësi e madhe reagimi pozitiv i miqve të mi virtualë. Kur lexon, transmeton një energji tjetër të ngrohtë, intime, përmes zërit, syve, mimikës te lexuesi. Është bukur. Dhe më është shtuar kënaqësia për ta vazhduar edhe pas pandemisë. Ndaj mendoj se komunikimi online do të përdoret edhe më shpesh, në shumë drejtime. Edhe në komunikime pune, për mbledhje, prezantime idesh apo produkte të reja , pasi kursen kohë, por edhe para. Kështu që investime të mëdha do të vazhdojnë të bëhen në teknologjinë e komunikimit. Se sa të afërt janë bërë njerëzit e gjithë botës me njëri-tjetrin, na e tregoi shumë mirë pandemia.

CMG: Ju ka nxitur ide të reja kjo periudhë?

Rita Filipi: Po. Përveç ditëve të para që vërtet ishin shokuese, mendoj se kjo situatë më ka vënë në sprovën se si mund ta përballoj izolimin fizik, duke i kundërvënë lirinë mendore dhe atë shpirtërore. Dhe kur ndihesh mirë me veten, është kusht kryesor për të nxjerrë nga duart punë të mira. Po realizoj një projekt që ka lidhje me profesionin tim. Gjithashtu, po shkruaj, dhe më pëlqen ajo që po bëj. Se kur do të mbarojë, nuk e di. Rëndësi ka që po shkruaj.

Eda Merepeza