Në përballjen me epideminë e koronavirusit që prej futjes zyrtarisht në hartën e vendeve të prekura nga COVID-19 më 9 mars, qeveria shqiptare ka ndërmarë masa të rrepta për parandalimin e përhapjes së virusit, duke u paralizuar puna në qindra biznese të vendit. Pjesa më e madhe e veprimtarive prodhuese vazhdojnë të jenë të mbyllura, ndërkohë që qeveria shqiptare ka publikuar në mënyrë ciklike listat e hapjes së disa prej veprimtarive me risk të ulët dhe të mesëm për përhapjen e epidemisë.
Përveç spitaleve dhe poliklinikave, farmacitë kanë vazhduar punën pa u ndalur, në përputhje me oraret e përcaktuara të liridaljes së qytetarëve. Farmacitë kanë marë masa të shumta për parandalimin e përhapjes së epidemisë, duke vendosur xhama ndarës në banakët e shërbimit për klientët, por dhe duke respektuar rregullat e higjienës e të pajisjes me maska dhe doreza plastike. Farmacistja Ema fjet për punën në kushtet e epidemisë.
"Quhem Ema Vaso, nga Ema Farma në Tiranë. Farmacia jonë ka shërbyer gjatë gjithë periudhës së pandemisë sipas fashave të orareve që ka vendosur qeveria. Kemi shërbyer me përkushtim dhe me frikën e infektimit si dhe të çuarjes së infeksionit te familjarët tanë në shtëpi. Kemi punuar në një kohë të vështirë"
Pyetjes sonë se çfarë masash shtesë kanë marë për ruajtjen e higjienës dhe mbrojtjen e klientëve nga kontaminimi me koronavirus, ajo u përgjigj:
"Unë vendosa një fasadë xhami gati një metër e ca pët të ndarë hapësirën e shërbimit të klientit. Njëkohësisht morëm masa me dezinfektues dhe higjenizues të posaçëm për farmacinë. Gjithashtu po përdorim maskat dhe dorezat, si një higjienë e shtuar në punën tonë"
A ka patur mungesa farmacia në furnizimin me maska, doreza, dezinfektues, por dhe me medikamente të tjera, të kërkuara nga qytetarët që trajtohen për sëmundje të ndryshme ?
"Në këtë periudhë krahas punës së përditëshme dhe përkushtimit ndaj klientëve për t'i këshilluar hasëm vështirësi në gjetjen e produkteve të emergjencës së epidemisë. E kam fjalën për çmimet e rritura të këtyre produkteve, që pa të drejtë ju faturuan farmacive"
Në fillim të prillit disa kompani iu rikthyen punës me urdhër të qeverisë për hapjen e veprimtarisë së bizneseve me risk të ulët për përhapjen e epidemisë. Një ndër këto është dhe një call center, ku masat mbrojtëse të punonjësve tashmë janë në qendër të punës së përditëshme me orar dhe personel të reduktuar. Këtë e mësojmë nga menaxherja e call center, Eni.
"Në call center-in që unë drejtoj punojnë 50 operatorë si dhe 10 punonjës të stafit. Nga emergjenca COVID-19 kemi patur shumë probleme sepse shumica e operatorëve u detyruan të largohen për karantinim pranë familjeve të tyre, jashtë Tirane. Ne e mbyllëm punën më 12 mars dhe menjëherë filloi dezinfektimi i mjediseve të punës. Pas urdhërit të qeverisë, para dy ditësh startuam përsëri aktivitetin tonë"
Si po punohet aktualisht në call center ? A është reduktuar numri i operatorëve dhe çfarë masash janë marë për ruajtjen e distancimit të atyre që po punojnë dhe të kushteve higjenike në mjedisin e punës? Për këtë menaxherja Eni sqaron:
"Aktualisht po punojmë me një staf të reduktuar operatorësh, duke patur parasysh që duhet ruajtur distanca 2 metër. Kryhet rregullisht dezinfektimi i ambjentit të punës dhe kemi pajisur punonjësit me doreza, maska dhe mjete dezinfektuese. Operatorët janë të ndarë në distancën e përcaktuar tashmë, por dhe me shirita adezivi"
Klinikat private kanë vijuar punën me orare të reduktuara, duke u shërbyer qytetarëve që vuajnë nga sëmundje kronike dhe vizitat mjekësore i kanë rutinë të përditshmërisë së tyre. Mjekët janë në vijën e parë të përballjes me epideminë COVID-19, por një përvojë të re pune përbën kjo situatë edhe për mjekët e specialiteteve të tjera, që punojnë në klinikat private. Masat e mara prej këtyre klinikave janë në përshtatje me rregullat e Ministrisë së Shëndetësisë për të parandaluar përhapjen e epidemisë dhe për të ndërgjegjësuar qytetarët në këtë drejtim. Mjekja Lorena tregon përshtatjen me këtë mënyrë të re të punës së saj.
"Unë jam mjeke pranë një klinike private në Tiranë. Ka patur ndryshim në aktivitetin tonë të përditshëm me pacientët përsa u përket orareve. Duke qenë se shëndetësia ka vazhduar punën pa ndërprerje ne kemi qenë të detyruar t'u përgjigjemi kërkesave dhe nevojave të pacientëve në këto ditë të vështira. Kemi punuar me orar të reduktuar sipas orareve të lëvizjes të miratuara nga qeveria. Por ne u jemi përgjigjur pacientëve dhe përtej këtyre orareve."
Si ka ndikuar kjo emergjencë në punën e përditëshme të mjekëve të specialiteteve të ndryshme?
" Ne si personel shëndetësor jemi më të ndërgjegjësuar përsa u përket masave të mara. Kështu pjesë e punës sonë të përditëshme janë jo vetëm maskat dhe dorezat, me të cilat janë pajisur dhe qytetarët, por dhe veshjet njëpërdorimshe, vizierat për mbrojtjen e fytyrës, si dhe respektimi i distancës gjatë vizitave mjekësore të pacientëve"
Punonjësit e mediave gjatë kësaj periudhe epidemie kanë vijuar informimin e publikut, pa ndërprerë transmetimet audiovizuale. Autoriteti i Mediave Audiovizive nëpërmjet një mesazhi drejtuar të gjithë mediave të cilat vijojnë punën në kushtet e epidemisë së koronavirusit u ka bërë me dije që të kujdesen me përgjegjësi maksimale për personelin në redaksitë e lajmeve dhe studio. Theksi është vënë tek respektimi i distancës nga njëri-tjetri si dhe te shmangia e emisioneve me publik.
Një numër i madh biznesesh ka rifilluar aktivitetin e tyre, përmes praktikave të rrepta të kufizimit të përhapjes së Covid-19. Lista e bizneseve përfshin një sërë aktivitetesh bujqësore dhe ato të tregtimit me shumicë dhe pakicë të pothuajse gjithë produkteve. Bazuar në listën e shpallur nga qeveria ka rinisur tregtia e veshjeve, e mishit, peshkut, elektroshtëpiaket, automjeteve dhe pjesëve të tyre, etj. Por do të vazhdojnë të mbeten mbyllur baret, restorantet, parukeritë dhe shërbime të ngjashme që veprojnë përmes kontaktit të afërt të stafit me klientët. Ministria e Shëndetësisë ka shpallur kushte të rrepta sigurie për kompanitë, të cilat duhet t'u sigurojnë punonjësve kushtet e duhura, për të mos u infektuar nga koronavirusi. Biznese si supermarketet apo dhe restorantet po ofrojnë shërbimet e tyre online si dhe kanë punësuar njerëz apo kanë krijuar partnerë në fushën e shërbimeve dhe dërgesave dhe vazhdojnë normalisht funksionimin e punës së tyre.
Parlamenti shqiptar vendosi shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shpallur kundër epidemisë së koronavirusit deri më 23qershor. Ndërkohë kryeministri Edi Rama në një postim në facebook ka theksuar se "Në kushtet kur mund të shohim me optimizëm të arsyeshëm fundin e muajit maj si një dalje nga kjo fazë e parë përballje të gjithanëshme me armikun e padukshëm, ku një pjesë e madhe e aktivitetit ekonomik mund të rikthehet në një normalitet të ri dhe shumëkush mund të kthehet në punë me rregulla të mirëpërcaktuara".
Eda Merepeza