Intervistë me gazetarin e njohur Rezear Xhaxhiu, moderator i programit televiziv "PASDITE ME XHAXHIUN" në FAX NEWS TV

CMG: Pothuajse e gjithë bota ndodhet në vetizolim, në përballje me koronavirusin. Shqipëria, si pjesë e këtij realiteti po përpiqet ta kalojë me sa më pak pasoja këtë përballje. Komenti juaj për gjendjen në përgjithësi, këtë realitet të ri të njerëzimit.

Rezear Xhaxhiu: Eshtë mëse e vërtetë. Njerëzimi po përballet me një krizë globale fati i së cilës është shpejt të parashikohet se si do të shkojë. Ndoshta është kriza më e madhe e gjeneratës sonë që pas Luftës së Dytë Botërore. Një krizë e tillë, që besoj se kapi të papërgatitur të gjitha shtetet dhe shoqëritë në mbarë botën, duket se kërkon zgjidhjen e dy problemeve thelbësore dhe immediate a fuqizimin e mëtejshëm të shoqërisë njerëzore dhe kapërcimin e murit mes nacionalizmit dhe solidaritetit global. Jam i mendimit se vendimet që do të marrin njerëzit, qeveritë, shtetet, brenda javëve të ardhshme mund të formësojnë botën në vitet në vazhdim. Ndoshta ato do të formësojnë jo vetëm sistemet tona të kujdesit shëndetësor. por edhe ekonominë, politikën dhe kulturën.

CMG: Si i vlerësoni masat e mara deri tani në Shqipëri për uljen e përhapjes së koronavirusit? A janë ato efektive?

Rezear Xhaxhiu: Mendoj se Shqipëria humbi kohë për t'u përgatitur ndaj pandemisë, qoftë kjo në kapacitetet testuese, mbrojtësve ndaj personelit, mobilizimin e kujdesit parësor, kapaciteteve laboratorike etj etj..Por në fazën e dytë të pandemisë gjërat u morën më seriozisht. Kështu masat e marra nga qeveria, propaganda, sensibilizimi i qytetarëve si dhe funksionimi normal i zinxhirit të shërbimit shëndetësor besoj se dhanë ndikimin e tyre që deri tani Covid -19 të mos ketë një përhapje të frikshme në Shqipëri.

CMG: Media vazhdon veprimtarinë e saj informuese, aq të domosdoshme për publikun në kohë vetizolimi. Ju si gazetar me karrierë në median shqiptare, si po punoni këto kohë?

Rezear Xhaxhiu: Jam i mendimit se media po e luan më së miri rolin e saj informues në këtë periudhë të ngjeshur me lajme. Reporterët e Tv janë në linjën e parë të raportimit të përditshëm dhe janë ndoshta skalioni për të cilin duhet të përkulemi me respekt për punën dhe misionin e tyre të përditshëm, edhe pse në disa raste kjo punë bëhet shkujdesur e nxituar dhe aprofesionale. Une vijoj normalisht punën time si drejtues i një talk-show të përmbasditshëm ne televizion, i kushtezuar edhe nga disa pamundësira që të imponon kjo kohë karantinash, kujdesi personal etj.

CMG: Kina u godit e para nga COVID-19, duke tërhequr me këtë rast vemendjen e opinionit publik botëror sa i përket menaxhimit të situatës. Komenti juaj për modelin kinez të përballimit të koronavirusit.

Rezear Xhaxhiu: Modeli kinez i përballjes me Covid- 19 ishte impresionues. Unë mendoj se vetëm një shoqëri e tillë si ajo kineze mund t'i bëjë ballë një agresioni të tillë virusal. Disiplina, vullneti, qëndrueshmëria dhe besimi në vetvete dhe tek shteti arritën që të amortizojnë dëmet dhe pasojat në njerëz që shkaktoi Covid-19 në një vend dhe popullsi me përmasa si ajo e Kinës. Mendoj se pak vende te tjera mund të bëjnë atë që bëri Kina përsa i përket menaxhimit dhe strategjive që ndoqi në përballimin e një situate të tillë të jashtëzakonshme.

CMG: Cfarë do të bëni pas daljes nga vetizolimi?

Rezear Xhaxhiu: Do të doja të udhëtoja, si për t'i marrë hak karantinës vetëizolimit dhe "burgut" që jam i detyruar ta bëj pa qef këto kohë. Do të doja të zbuloja vende të reja, kultura të reja, shoqëri të reja sic njeriu kërkon ta bëjë pas një fatkeqësie të madhe planetare.

Eda Merepeza