"Gjatë kohës së misionit të ndihmës, na u dha shumë respekt, besim dhe mirëkuptim. Shpresojmë që ta ruajmë këtë atmosferë dhe të kemi më shumë energji për të mbrojtur shëndetin e njerëzve".
17 mjekë dhe infermierë të grupit të parë të qytetit Dalian të Kinës veriore që ishin në Wuhan për 55 ditë u rikthyen ditët e fundit në vendlindjet e tyre dhe do t'i nënshtrohen një periudhe 14-ditore karantinimi. Ata u shprehën se janë njerëz të thjeshtë dhe se janë ndier të emocionuar nga respekti, besimi dhe mirënjohja që u dhanë të sëmurët. Kjo i ka motivuar të punojnë edhe më shumë.
Nuk jemi heronj
"Nuk mendoj se jam një heroinë." Mjekja Cao Lihua nga Spitali nr.2 pranë Univerisitetit Mjekësor të Daliangut tha se preferon të jetë një mjeke që ofron besim për të sëmurët ose një mësuese model për nxënësit. Të gjithë anëtarët që punuan në Wuhan nuk mendojnë se janë heronj. Ne thjesht kemi bërë detyrën tonë. Jemi të nderuar që patëm mundësinë të shkojmë në fushëbetejën kryesore dhe të luanim një rol të rëndësishëm në përballimin e shumë të sëmurve." Cao Lihua tha gjithashtu se mjekët janë njerëz të zakonshëm duke shtuar se të "gjithë njerëzit do bënin të njëjtën gjë si ne nëse do përballeshin me atë gjendje".
Infermierja Dai Hong nga spitali nr.1 pranë Univerisitetit Mjekësor të Daliangut tha se misioni i shpëtimit është detyra jonë. Ne thjesht sa shkuam në një tjetër qytet për të bërë punën që bëjmë, tha ajo. Ajo theksoi se nuk e ka parë asnjëherë veten si heroinë. "Jemi njerëz të thjeshtë dhe kemi bërë punën. Kjo është një gjendje e veçantë, prandaj kemi fokusuar forcat tona. Do t'i shpëtojmë të gjithë të sëmurët kudo që janë. Shpresojmë që të gjithë të kenë shëndet të mirë dhe gjithashtu që të sëmurit të kenë besim te ne dhe të na kuptojnë".
Dai Hong tha gjithashtu se gjatë punës në Wuhan duheshin më shumë përpjekje fizike se zakonisht. Për të ulur konsumimin e veshjeve të mbrojtjes, dy orë para nisjes së punës nuk pija ujë. Veshjet janë hermetike, djersitemi shumë. Pas 8 orësh, rrobat e brendshme ishin të lagura.
Mjeku Wang Zhiyu nga Spitali nr.2 pranë Univerisitetit Mjekësor të Daliangut tha se stafi mjekësor i qytetit Wuhan është lodhur shumë. Ata kanë punuar ditë e natë, me mbingarkesë fizike dhe psikologjike dhe nuk kanë pushuar prej fillimit të janarit.
Kemi nevojë për besimin e masave popullore
Mjekja Cao Lihua tha se bluzat e bardha kanë ndier nivelin e lartë të besimit nga të sëmurët dhe të afërmit e tyre dhe kjo i ka dhënë më shumë forcë stafit mjekësor. Ne respektojmë dhe kuptojmë njëri-tjetrin, shtoi mjekja. Ajo kujtoi se në ditën e parë të nisjes së punës në Wuhan, mjekët dhe infermierët ndienë mikpritjen e banorëve të Wuhan-it. Çdo ditë, shtoi ajo, kur ecja në rrugë ndieja mbështetjen e banorëve të thjeshtë.
Cao tha se profesioni i mjekut kërkon studim të vazhdueshëm dhe besimin e masave popullore, prandaj mjekët trajnohen për të ngritur nivelin dhe punojnë për mbrojtjen e shëndetit të banorëve.
Infermierja Dai Hong tha se gjatë epidemisë, njerëzit kërkuan ndihmë dhe se vetëm stafi mjekësor mund t'i ndihmonte të sëmurët.
Vdekja e çdo të sëmurit do të më japë vendosmërinë
Mjekja Zhou Hua nga Spitali Qinghuachanggeng në Pekin është një anëtare e ekipit të Pekinit për ndihmën ndaj provincës Hubei. Nga 27 janari, ajo filloi punë në Spitalin e Kolegjit Mjekësor Tongji pranë Universitetit të Shkencës dhe Teknologjisë Huazhong. Ajo shprehu dëshirën të punojë për pacientët në fazë kritike të sëmundjes.
Zhou Hua tha: "Kam përjetuar ndjenjën e humbjes së një anëtari të familjes. Edhe nëse ky anëtar po shpëtohet në spital, ende është pjesë e një familjeje." Si një mjeke për trajtim intensiv, ajo tha se përvoja në Hubei i dha forcë. Ne duhet të bëjmë çmos për të ruajtur jetën e të sëmurëve".
Një pacient me Parkinson u infektua nga koronavirusi dhe falë trajtimit dhe këshillave të Zhou Hua-së gjendja e tij u përmirësua. Gjatë takimit me Zhou Hua-në në dhomën e spitalit, i sëmuri e pyeti mjeken se a mundet që pasi të dalë nga spitali ata të të bënin një foto? Zhou iu përgjigj: "Patjetër, kur të dilni nga spitali do të bëjmë një fotografi. "
Zhou tha se përvoja në Hubei e forcoi më shumë.
Nëse i trajtoni të sëmurët si të afërm, të njëjtën gjë do të bëjnë edhe ata me ju
Këtë pranverë, mjekja ushtarake 57 vjecarja Chen Hong duhet të dilte në pension. Por, për shkak të koronavirusit, Chen dhe kolegët e saj shkuan në Wuhan për të ndihmuar me parandalimin e kontrollin e epidemisë.
Pas mbërritjes në Wuhan, ajo punoi si kryeinfermiere në spitalin Huoshenshan. Në pavijon dëgjohej zhurma e hapave të saj të shpejtë.
Chen Hong tha se të sëmurët e varin shpresën dhe mbështeten te infermierët. Shumë mjekë ndoshta nuk arrijnë të shohin të parët problemet e të sëmurëve, por infermierët munden. Prandaj kujdesi ndaj pacientëve nuk është vetëm kërkesë e mjekut, por edhe detyrë morale e vetë infermierëve, në këtë mënyrë mjekët luajnë rol të vërtetë, infermierët rol të rëndësishëm.
Në fillim të shkurtit, një paciente e verbër po qëndronte në dhomat e të sëmurëve për të cilët përgjigjej Chen Hong. Chen pa se të sëmurëve u kishte rënë morali, prandaj ajo nisi të gjente mënyra si t'i ngrihte pak humorin të sëmurve me qëllim që ata të ndiejnë sadopak dashuri familjare. Gjatë trajtimit të pacientëve, Chen shpesh shoqëronte të sëmurët ose ju jepte ushqime të vogla. Pas largimit nga spitali, të sëmurët e ftuan atë që në të ardhmen të bëjë turizëm në Wuhan dhe ata do ta shoqërojnë.
Ende edhe sot, Chen Hong është e emocionuar dhe me lot në sy. Ajo tha : "Trajtoni të sëmurët si të afërm dhe ata do të mendojnë se jeni të afërmit e tyre."(Çang Çuo)