Shqipëria nuk ka asnjë të prekur nga koronavirusi, por po rrit masat e mbikqyrjes dhe të perforcimit të kapaciteteve të institucioneve shëndetësore pas shpalljes së emergjencës globale nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ministria e Shëndetësisë mblodhi të premten task forcën me synim rritjen e vigjilencës dhe kapjen e hershme të rasteve. Kreu i shëndetësisë shqiptare, Ogerta Manastirliu u ndal në masat që po merren me këtë rast, ndonëse Shqipëria konsiderohet ende me rrezik të ulët për përhapjen e koronavirusit dhe nuk do të mbyllen kufijtë.
"Aktualisht është e nevojshme të rrisim masat për zbulimin e hershëm të rasteve, duke zbuluar shenjat klinike apo radiologjike si dhe diagnozat e hershme laboratorike, si dhe të realizojmë izolimet adekuate të rasteve dhe gjithashtu të marrim masa për funksionimin e karantinës vetëm nëse do të jetë e nevojshme pas analizës së thelluar rast pas rasti.OBSH-ja dhe të dhënat që ajo paraqet kanë treguar deri në këtë moment që kufizimi i lëvizjes së njerëzve dhe mallrave mund të jetë joefektiv ndaj ne do të rrisim gjithashtu këshillimin e udhëtarëve që udhëtojnë drejt Kinës" u shpreh ministrja shqiptare e shëndetësisë.
Përfaqësuesi i OBSH-së për Shqipërinë tha se shtetet duhet të risin transparencën në raportimin e rasteve, ndërsa OBSH do të ndihmojë financiarisht vendet që kanë sistem të dobët shëndetësor, si dhe është përshpejtuar kërkimi i vaksinave dhe medikamenteve që trajtojnë koronavirusin.
Lidhur me masat që duhet të merren për emergjencën e koronavirusit është shprehur për mediat dhe presidenti i Republikës, Ilir Meta. Ai theksoi se Shqipëria duhet të marrë masat më të forta sidomos pas konfirmimit të dy rasteve në Italinë fqinje.
"Mendoj se pas shpalljes së gjendjes së emergjencës globale nga OBSH-ja duhen marrë masat më të forta të mundshme, sanitare dhe epidemiologjike për të parandaluar këtë virus, për të penetruar në vendin tonë. Aq më tepër kur tashmë janë konstatuar dy raste në Italinë fqinje dhe ndoshta edhe në vende të tjera pranë nesh. Unë mendoj se është koha për të marra masat më të forta, Shqipëria ka një eksperiencë me raste të tilla sikurse ka qenë parandalimi i suksesshëm i SARS-it dikur, por është e rëndësishme të theksohet se çdo nënvlerësim do të jetë më pasoja kritike. Jemi në një proces komunikimi, besoj se rastet në vendet fqinje tregojnë qartë që jemi seriozisht të ekspozuar dhe duhet të parandalojmë deportimin e këtij virusi në vendin tonë", tha Meta.
OBSH shpalli emergjencën globale pasi virusi po vazhdon të përhapet me shpejtësi edhe jashtë Kinës. Koronavirusi është në qendër të raportimeve ditore në edicionet informative, por dhe në programe të posacme të mediave kryesore shqiptare, ku një vend të rëndësishëm kanë zënë dhe korespondencat live nga kolegët e seksionit shqip të Radios së Jashtme të Kinës, por dhe informimet e përditësuara në mëdiat sociale të ambasadorit shqiptar në Pekin, z.Selim Belortaja apo shqiptarëve që jetojnë e punojnë në qytete të ndryshme kineze.
Eda Merepeza