Prof. e asociuar Lili Sula, përgjegjëse e departamentit të letërsisë në Fakultetin e Histori-Filologjisë së Universitetit të Tiranës ka studjuar monografinë e pabotuar të studjuesit të mirënjohur shqiptar të antikitetit, Dhimitër Pilika. Për herë të parë në publik ajo e trajtoi këtë monografi në kumtesën e saj, mbajtur në Konferencën "Marrëdhëniet shqiptaro-kineze në 70 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve", në tetor të vitit të kaluar në Vlorë.
CMG: Le të ndalemi në kumtesën tuaj kushtuar veprës së panjohur të studjuesit shqiptar Dhimitër Pilika, lidhur me marrëdhëniet shqiptaro-kineze ndër vite.
Prof.asc Lili Sula: Ideja për kumtesën ka ardhur nga bashkëbisedime në rrethe studjuesish. Pata informacione që një monografi e pabotuar për marrëdhëniet shqiptaro-kineze, madje dhe ato evropiano-kineze gjendjej te një person, i cili kishte një pjesë të mirë të dorëshkrimeve dhe të punëve të profesor Dhimitër Pilikës. Kontaktova me zotin Petrit Selmanaj, të cilin gjej rastin ta falenderoj për dashamirësinë për të më ofruar punimin e profesor Pilikës dhe këtu nisi puna. Ideja ishte të bëhej e njohur një monografi të panjohur, qe njihet vetëm në qarqe shumë të kufizuara studjuesish, apo persona që janë të interesuar drejtpërdrejt për raportet e Kinës me Shqipërinë. Ideja ime ishte që kumtesa për monografinë e pabotuar të hidhte dritë rreth kontributit të një personaliteti, të një profesori dhe studjuesi të pazëshëm në rrethet tona, port ë ndërgjegjësojë deri diku dhe të trokas në vemendjen e njerëzve të interesuar, katedrave të interesuara për ta botuar atë.
Një kumtim në një konferencë shkencore sjell shumë pak nga sa mund të ofrojë një libër, por ndërtohet mbi disa synime apo objektiva dhe ndër më kryesorët ishte për ta bërë të njohur veprën e profesor Pilikës.
CMG: Na folët për kumtesën tuaj, por duke iu referuar studjuesit të antikitetit Dhimitër Pilika, cilës kohë i përket vepra e tij dhe cilat marrëdhënie trajton ajo?
Prof. asc Lili Sula: Daktiloshkrimi mban titullin "Marrëdhënie miqësie shqiptaro-kineze nëpër shekuj" 2001. Eshtë një tekst që shtrin vemendjen e vet në mënyrë kronologjike dhe panoramike nga fillimet e raporteve kulturore dhe historike midis dy vendeve nga shekulli i I-rë me Strabonin, Justinianin dhe vjen deri në vitet 50-të të shekullit të kaluar, në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore. Eshtë shumë interesante sepse libri përmban një tërësi zërash bibliografikë, ka mjaft autorë, studjues, personalitete të cilët janë marrë me këto marrëdhënie. Profesor Pilika e shikon Rrugën e Mëndafshit si rrugën që ka bashkuar dy vendet dhe këtu kujtoj komparatistin e famshëm Dyrizhin sipas të cilit midis vendeve në dukje të largëta raportet kulturore, historike, njerëzore dhe shpirtërore janë transkontinentale dhe bashkohen përmes urave të komunikimit në dukje të padukshme. Por faktet tregojnë që marrëdhëniet midis dy vendeve kanë qenë të hershme.
Do të doja të ndalesha te disa autorë shqiptarë dhe periudha letrare, në veprat e të cilëve raportet e Shqipërisë me Kinën janë të evidentuara në veprën e profesor Dhimitër Pilikës. Në monografi thuhet se autorët e vjetër shqiptarë që nga Buzuku, Frang Bardhi, Jul Variboba, Nikollë Keta përmendin mëndafshin ose elemente të tjerë të kulturës kineze, që bëhen ura bashkimi dhe komunikimi midis dy vendeve. Po kështu shumë interesante është që në periudhën e Rilindjes Kombëtare, autorë si Thimi Mitko, thotë që të shkruhen dhe të botohen sa më shumë vepra qoftë me alfabete jolatine por dhe me alfabetin kinez.
CMG: Kujtojmë se profesor Dhimitër Pilika ishte nipi i patriotit Thimi Mitko
Prof. asc Lili Sula:Po. Ndaj të dhënat që vijnë prej Dhimitër Pilikës janë shumë të sakta. Dora d'Istria po kështu përaktohet si një urë lidhëse midis dy qytetërimeve dhe dy kulturave. Ndërkohë shumë autorë shqiptarë si Naim dhe Sami Frashëri përmendin mëndafshin apo shpikjet kineze barutin, busullën, letrën. Lexuesit të sotëm ndoshta nuk i shkon mendja, por janë elemente burimore nga kultura dhe qytetërimi kinez. Në monografi Pilika merret dhe me një poezi të Gjergj Fishtës, e cila flet për Kinën dhe përmes saj shohim si ndërtohet një raport dhe imazh i tjetrit, në një aspekt kulturor, historik përmes elementeve të përbashkët. Po ju citoj disa vargje nga poezia e Fishtës me titull "Bisedë Evropa dhe lajmëtarët e saj"
Evropë, kjo Kina
Nuk asht pallavra.
Porsi Siberia
Vec mal e avra
Por asht nji e bukur
Mbretni e madhe
Tane mal i blerun
Fushë e livadhe
Ktu endet mudashi
Qi s'ti del shoqi
Ktu bin orizi
E kallamboqi
Ktu bahet gruni
Elbi e tërshana
Del edhe cehja
Edhe porcelana
Gjergj Fishta
Edhe në Periodikët shqiptarë Kina ka qeë shumë prezente . Profesor Dhimitër Pilika vëren që shumë gazeta para dhe pas Rilindjes Kombëtare që nga "Flamuri i Arbërit", që është i pari periodik shqiptar, por dhe tek "Albania" e Faik Konicës apo "Shqipnia", Kina ka qenë prezente. Mendoj se mënyra se si janë trajtuar raportet e Kinës me Shqipërinë, qoftë binare të drejtpërdrejta apo në mënyrë të tërthortë përmes vendeve ku ka kaluar Rruga e Mëndafshit është një qasje metodike për tu cmuar .Në këtë monografi kronologjike janë kryqëzuar një sërë vështrimesh jo vetëm letrar, historik por dhe antropologjik, folklorik etj. Mendoj që kjo vepër vërtet meriton vemendje dhe botimi i saj besoj që do të jetë ndoshta hapi i parë i rëndësishëm për ta bërë të njohur jo vetëm autorin, profesor Pilikën dhe veprën e tij për një kontribut real në marrëdhëniet midis dy vendeve.
CMG: Ju si profesore e letërsisë, drejtuese e departamentit të letërsisë a mund të na flisni për njohjen që keni për letërsinë kineze ? A keni patur ndonjë kontakt me Kinën apo shkëmbime experience me kolegë kinezë?
Prof.asc Lili Sula: Personalisht nuk e kam vizituar Kinën, por e kam njohur atë në mënyrë të tërthortë përmes letërsisë, veprimtarive ku kam marrë pjesë apo përmes kontakteve në qarqe studimore . Do të ishte mirë ta vizitoje një vend por atë mund ta njohësh përmes leximeve, medias . Kam lexuar së fundmi veprat e Nobelistit kinez Mo Yan "Bretkocat" dhe "Sorgumi i kuq". Që më kanë mahnitur.
Ndërkohë jam e gatshme të kem komunikime dhe bashkëpunime me qarqet studimore universitare dhe me katedrat e tyre në Kinë. Gjithashtu për të marrë pjesë në konferenca dhe për të patur projekte të përbashkëta.
Profesor Dhimitër Pilika (1923-2003) ka studjuar në Francë, Itali dhe qëndroi në Pragë 15 vjet. Njohës i 12 gjuhëve të huaja, ndër të cilat dhe gjuhë të vdekura ai është autor i mbi 60 botimeve ku vlen të përmenden monografi, tekste akademike në gjuhësi, histori, letërsi. Ai është themeluesi i Qendrës së Studimeve Albanologjike "Seminari shqiptar" në Pragë.
Eda Merepeza