Dr Ermir Nika, shef i Departamentit të arteve të aplikuara pranë Universitetit Europian të Tiranës për herë të parë për një media shqiptare dhe të huaj na rrëfen subjektin e romanit të tij më të ri "Robi i lartësive", kushtuar teknikut kinez Chen Pao Y, i cili dha jetën në krye të detyrës në Shqipëri. Ermir Nika është autor i 8 romaneve dhe këtë vepër të re ia ka kushtuar marrëdhënieve shqiptaro-kineze.
CMG: Si ju lindi ideja për këtë roman ?
Ermir Nika: Eshtë një sfidë e madhe për mua kjo, pas një mori librash në prozë, poezi dhe studime të ndërmerja një hap të tillë për t'i kushtuar një roman një personaliteti dhe një personazhi, që kishte ngelur i gjallë në kujtesën e shumë njerëzve. Unë kam lindur në vitin 1978 pikërisht në vitin kur Shqipëria ka prishur marrëdhëniet me Kinën, dhe duke u rritur e duke krijuar pamjen e parë për vendin tim shikoja gjurmë aziatike, gjurmët që kishte lënë Kina, qoftë në lodrat për fëmijë, qoftë në parrullat e koës. Pra ishin gjurmët e një periudhe që sapo i kishte dhënë fund ekzistencës së saj. Mirëpo fëmijëria është një periudhë e jetës që le gjurmë të larta në vetëdijen e gjithkujt dhe kështu duke u rritur shkoja për pushime në kampin e Malit të Dajtit dhe aty vendësit tregonin historinë e Chen Pao Y-së. Ai kishte mbetur atje. Unë si fëmijë atëkohë, mora guximin dhe u ngjita deri te antena dhe një burrë me kominoshe që qëndronte aty më tregoi se ku ra Chen Pao Y. Isha shumë kureshtar për të dhe çdo histori që dëgjoja sillej rreth tij.Madje dhe kur u rrita e kam vizituar atë vend me shoqërinë e gjimnazit dhe të fakultetit. Nuk doja që nga ajo periudhë vëllazërimi që ne kishim me popullin kinez, të mos mbetej asgjë. Isha ndikuar nga romani i Ismail Kadaresë "Koncert në fund të dimrit" dhe nga romani i Fatos Kongolit. Më tërhiqte shumë kjo temë dhe dukej sikur mes nesh kishte dallime, por dhe gjëra tepër të përafërta.
CMG: Subjekti i romanit tuaj bazohet në të vërtetat historike dhe në të vërtetat e biografisë së Chen Pso Y-së, apo është një fiction, ku me fantazinë tuaj keni shtuar elemente që krijojnë romanin ?
Ermir Nika: Padyshim që nëse nuk do të ishte fiction nuk do të ishte letërsi, por do të ishte një monografi dhe unë jam munduar që me Chen Pao Y-në të personifikoj një brez të tërë. Unë jap një personazh përtej kohës së tij, një personazh universal. Chen Pao Y ishte një njeri shpirtëror që e donte këtë vend po aq sa jetën e tij, madje aq sa largimin nuk e mendoi kurrë ndoshta. Ne duhet të kuptojmë që përtej një marrëdhënieje politike është një marrëdhënie njerëzore dhe shpirtërore.
CMG: Eshtë shumë interesant subjekti i romanit tuaj. Sigurisht që në një intervistë ne nuk mund ta zbulojmë atë edhe sepse romani ende nuk e ka parë dritën e botimit. Sa kohë keni punuar për këtë roman?
Ermir Nika: Siç thashë me këtë personazh më është dashur një jetë për t'u mbushur me atmosferën dhe me personalitetin e tij, madje kam takuar dhe miq të tij në Radiotelevizionin Shqiptar, ndër ta Virgjil Kule. Vlen të theksoj se xhaxhai im ka qenë një ndër punonjësit e RTSH-së në atë periudhë dhe ai ka qenë dhe pjesë e dy delegacioneve që e kanë vizituar Kinën. Për këtë roman kam punuar 3 vjet, ka qenë një punë intensive. Romani nuk është pakt apo traktat, por është letërsi.
CMG: C'mund të më thoni për lidhjen tuaj me Kinën, apo dhe me Azinë në përgjithësi ?
Ermir Nika: Eshtë ndoshta e pashpjegueshme përse u gjenda pikërisht në këtë realitet sepse subkoshienca nuk shojegiohet ashtu si poezia, apo piktura, por gjithmonë më tërhiqnin temat aziatike. Kam vizituar Japoninë në vitin 2001 ku i rashë kryq e tërthor këtij vendi dhe aty shikoja elemente që më kujtonin Kinën. Kam shkruar një libër për Japoninë, i cili pati sukses në Shqipëri, madje u realizuan rreth 8 emisione televizivë për librin, i cili është përkthyer në japonisht nga Ichiro Yura dhe jepet leksion për studentët e Universitetit të Hiroshimës. Njëkohësisht është përkthyer në japonisht një libër i imi me tregime dhe novela, si pjesë e Korpusit të Autorëve Shqiptarë.
Përsa i përket lidhjes sime me Kinën, rrjedhat e kohës po më çonin në këtë drejtim dhe mendoj se është një terren mjaft interesant, sepse për ne sot temat evropiane janë të ezauruara, ndaj duhet të kërkojmë dhe të krijojmë një lloj universialiteti të ri. Ky universialitet nuk krijohet duke ripërsëritur apo duke ripërtypur brumin e veprave të para. Dua t'ju zbuloj dhe një sekret, që unë kam nisur një roman tjetër që lidhet me Tibenin dhe përshkruan një histori gati të pabesueshme para Luftës së Dytë Botërore, bazuar në një ngjarje të vërtetë. Unë kam shkruar një libër për Kinën pa qenë kurrë në këtë vend, por nuk do të thotë të jesh në një vend, por ta njohësh nëpërmjet letërsisë, njerëzve që takon, nëpërmjet artit, muzikës apo filmit. Ndaj them se kam qenë në Kinë.
CMG: Pra ju realisht nuk e keni vizituar asnjëherë Kinën?
Ermir Nika: Jo!. Asnjëherë. Por thjesht në një farë mënyre jam pjesë e Kinës, duke shkruar. Vlerësoj zhvillimin e madh që ka Kina, vlerësoj rolin e dinastive të mëdha kinezë për ngritjen e qytetërimit botëror, ku ka patur ndikim të jashtëzakonshëm. Unë thjesht jam një shkrimtar i një vendi të vogël që me anë të gjuhës së vendit tim arrij të ndërtoj një frymë që mendoj se prek dhe kulturën kineze.
CMG: A keni ndonjë vepër tuajën të përkthyer në kinezisht dhe nëse jo mendoni që romani juaj gati për botim "Robi i lartësive" do të duhet të përkthehej në këtë gjuhë , si një dhuratë për lexuesit kinezë ?
Ermir Nika: Unë di që një komision që ka për qëllim përzgjedhjen e 25 veprave nga letërsia shqipe për t'u përkthyer dhe botuar në kinezisht dhe anasjelltas ka përzgjedhur dhe veprën time "Netë mëkatarësh", roman i përkthyer dhe në japonisht, ndërsa është në proces botimi dhe në Rumani. Kjo vepër është përfshirë në projekt. Padyshim që ndërsa e shkruaja romanin e ri me titull "Robi i lartësive" që në shqip ka dy kuptime dhe robi, pengu dhe njeriu i lartësive t'i drejtohet dhe lexuesit kinez.
Eda Merepeza