Sivjet është 70-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Shqipërisë. Gjatë 70 vjetëve, nga ndihma e njëanshme deri në bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë, shkëmbimet ekonomiko-tregtare midis Kinës e Shqipërisë kanë shfaqur karakteristika të ndryshme në periudha të ndryshme e kanë konsoliduar bazën për zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve në epokën e re.
Shqipëria është një nga vendet e para që njohu Kinën e Re. Në fillimin e viteve '60 të shekullit të kaluar, me kuptimin e përbashkët të një sërë problemesh ndërkombëtare, Kina dhe Shqipëria forcuan aktivisht marrëdhëniet dypalëshe, gjë që u pasqyrua edhe në fushën ekonomike-tregtare. Ambasadori i 10-të i Kinës në Shqipëri Fan Chengzuo kujton se para Festës Kombëtare të Kinës në vitin 1960, zv.kryetari i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë Abdyl Këllezi drejtoi një delegacion shqiptar që vizitoi Kinën, gjë që shënon fillimin e ndihmës ekonomike të Kinës për Shqipërinë:
"Këllezi ishte një nga udhëheqësit e qeverisë shqiptare dhe përgjigjej për punët ekonomike. Në atë kohë, ai ishte në krye të një delegacioni që vizitoi Kinën, me qëllimin që të kërkonte ndihmë nga Kina."
Në atë kohë, sektorët e ndryshëm të ekonomisë shqiptare duhej të zhvilloheshin, sidomos industria e prodhimit të çelikut, që është një industri bazë. Për këtë, Kina ndihmoi në ndërtimin e Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit. Ish-drejtori i Uzinës së 5-të të Hekur-Çelikut të Shangait Hou Shuting shkoi në Shqipëri në vitin 1969 si përgjegjësi i dytë i palës kineze. Ai i drejtoi specialistët e të dy vendeve të kërkonin metodën e ndërtimit të veprës sipas gjendjes së atëhershme të Shqipërisë, për të nxitur zhvillimin e ekonomisë vendore:
"Qëllimi ynë themelor ishte që shqiptarët të arrinin të prodhonin me forcat e veta dhe të gjenin lëndët e para për të prodhuar produktet e përshtatshme për këtë. Kështu, mund të zgjidhej problemi i punësimit dhe mund të zhvillohej ekonomia. Çeliku është baza e zhvillimit ekonomik. Pa çelik, zhvillimi në fushat e tjera patjetër që ka vështirësi. Shqipëria s'kishte shumë valutë të huaj për të importuar çelik, prandaj ne propozuam që ta prodhonte me forcat e veta."
Sipas statistikave, në vitet '60 - '70 të shekullit të kaluar, që ishte periudha më e ngrohtë e marrëdhënieve midis Kinës e Shqipërisë, shkëmbimet ekonomiko-tregtare ndërmjet dy vendeve përfshinin fusha të ndryshme, si çelikun, plehrat kimike, alkalet, acidet, qelqin, përpunimin e bakrit, letrën, plastikën, industrinë ushtarake, energjinë elektrike, qymyrgurin, naftën, makineritë, industrinë e lehtë, tekstilet, materialet e ndërtimit, komunikacionin, radion etj. Ndihma e Kinës për Shqipërinë zgjati 24 vjet dhe përfshiu gjithsej 142 projekte. Kina i ofroi Shqipërisë 75 kredi me një vlerë sipas marrëveshjeve mbi 10 miliardë juanë. Pala kineze dërgoi 6000 specialistë që të punonin në Shqipëri. Atmosfera e bashkëpunimit dypalësh ishte miqësore. Ish-sekretari i Komitetit të Partisë Komuniste të Kinës në Ndërmarrjen e Anijeve Kinë-Poloni Song Qiming punoi në fillimin e viteve '60 të shekullit të kaluar në Ndërmarrjen e Anijeve Kinë-Shqipëri. Ai kujton:
"Ndërmarrja e Anijeve Kinë-Shqipëri e kishte selinë në Durrës dhe kishte degë në Guangzhou. Në Guangzhou kishte edhe punonjës shqiptarë. Nëse kishte gjëra për të diskutuar, ne i diskutonim me njëri-tjetrin. Bashkëpunimi ishte i suksesshëm dhe autoritetet e porteve shqiptare e përkrahnin punën tonë. P. sh., ata gjithmonë i lejonin anijet tona të hynin shpejt në porte, sepse nëse hynim shpejt, mund të pakësonim shumë koston."
Në fundin e viteve '70 të shekullit të kaluar, marrëdhëniet e Kinës me Bashkimin e atëhershëm Sovjetik dhe ShBA-në u zbutën. Lidhur me këtë udhëheqësit shqiptarë, që vazhduan të zbatonin idenë e luftës ideologjike, shprehën pakënaqësi dhe marrëdhëniet shqiptaro-kineze nisën të ftohen. Kështu, shpesh kishte mosmarrëveshje dypalëshe. Në vitin 1978, marrëdhëniet mes dy vendeve arritën në pikën më të ulët.
Në fundin e viteve '80 të shekullit të kaluar, marrëdhëniet e dy vendeve hynë gradualisht në orbitën e zhvillimit normal. Shkëmbimet ekonomiko-tregtare midis Kinës e Shqipërisë rifilluan. Në vitin 1989, Kompania e Industrisë Kimike e Nankinit fitoi tenderin për ndërtimin e uzinës së plehrave azotike në Fier. Kjo veprimtari ekonomike u cilësua edhe si "akullthyerësja" në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Ish-menaxheri i përgjithshëm i Kompanisë së Industrisë Kimike të Nankinit Guo Keli mori pjesë në mbarë zbatimin e projektit. Guo ka qenë në Shqipëri në vitet '60 për të marrë pjesë në projektin e ndihmës kineze për Shqipërinë. Ai u shpreh se bashkëpunimi i vitit 1989 ishte i ndryshëm nga bashkëpunimi i viteve '60, pasi tani të dyja palët zbatonin rregullat ekonomike dhe theksonin leverdinë e ndërsjellë dhe përfitimet e përbashkëta:
"Në të kaluarën, ndihma ishte një detyrë kombëtare, por tani ishte një veprimtari ekonomike që duhej të përputhej me interesat e të dy palëve dhe të dyja palët duhej ta pranonin zhvillimin e saj."
Në shekullin e ri, bashkëpunimi ekonomiko-tregtar midis Kinës e Shqipërisë po thellohet më tej. Me zhvillimin e nismës "Një brez, një rrugë" dhe të mekanizmit të "Bashkëpunimit Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore", vëllimi i tregtisë midis Kinës e Shqipërisë është rritur shumë. Investimet e palës kineze deri tani kanë arritur mbi 800 milionë dollarë amerikanë dhe Kina është bërë tani një nga vendet kryesore të investimeve në Shqipëri. Me përpjekjet e ambasadës kineze në Shqipëri dhe të palëve të ndryshme, kompania kineze "China Everbright" fitoi në vitin 2016 të drejtën e posaçme të menaxhimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. Po atë vit, kompania kineze "Geo-Jade" bleu 100 % të aksioneve të kompanisë "Bankers". Një grup projektesh të mëdha po realizohen në Shqipëri, që luajnë rol pozitiv për të nxitur punësimin, për të rritur të ardhurat nga taksat e për t'i sjellë përfitime popullit shqiptar.
Në vitin 2007, kompania kineze "Huawei" hyri në Shqipëri. Kjo kompani i kushton rëndësi përgatitjes së talenteve në Shqipëri dhe përqindja e punonjësve shqiptarë aty i kalon 95 %. Rudor Novi është një menaxher i shitjeve në degën e "Huawei"-t në Shqipëri:
""Siç e dimë, 'Huawei', si një kompani lider në botë, ka një strukturë shumë të organizuar me një staf shumë të përgatitur, që i gjendet individit, punonjësit, në çdo moment për ta ndihmuar për zgjidhjen e problemeve. Kompania 'Huawei' organizon trajnime të shumta në nivel teknik dhe menaxherial, gjë që i shërben jo vetëm kompanisë në një të ardhme, por edhe stafit për zhvillimin profesional, dhe unë shpresoj të arrij rritjen time profesionale me zhvillimin e kompanisë së bashku."
Studiuesi i njohur shqiptar i ekonomisë, prof. Petraq Milo, i vlerëson lart hyrjen e kompanive kineze në Shqipëri dhe politikat e publikuara nga Kina për të garantuar investimet kineze jashtë vendit:
"Do të veçoja bashkëpunimin midis bizneseve, por sigurisht edhe bashkëpunimin ndërqeveritar, sepse janë nënshkruar marrëveshje, të cilat sigurojnë investimet e të dy palëve. Në planin praktik kemi dy kompani të mëdha kineze në vendin tonë, 'Bankers Petroleum' dhe atë të aeroportit të Rinasit. Përveç këtyre, janë dhe rreth 10 kompani të tjera kineze që operojnë në fushën e minierave, apo energjetike. Mendoj se është një lëvizje dhe një zhvillim shumë pozitiv."
Për ta bërë më të ngushtë bashkëpunimin ekonomiko-tregtar dhe shkëmbimet njerëzore midis Kinës e Shqipërisë, në vitin 2018 qeveria shqiptare vendosi heqjen e vizave për shtetasit kinezë me pasaportë të zakoshme që duan të vizitojnë Shqipërinë në stinën turistike. Me këtë politikë, numri i turistëve kineze u rrit 60 % në vitin 2018.
Lidhur me rezultatet e dukshme të kësaj politike, drejtorja e Drejtorisë për Zhvillimin e Turizmit pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë Rovena Moçka shprehu shpresën se më shumë turistë kinezë do të vizitojnë Shqipërinë dhe se do të nxitet më tej zhvillimi i industrisë turistike të Shqipërisë:
"Jam e lumtur të flas për marrëdhëniet që Ministria e Turizmit ka me partnerët e huaj. Dhe Kina hyn në listën e partnerëve të afërt në bashkëpunim, për të realizuar objektivat e përbashkët, që t'i adresojmë sa më shpejt dhe në mënyrë sa më efikase. Përveç heqjes së vizave në sezonin turistik për vizitorët nga Kina, është zgjatur dhe koha e qëndrimit në Shqipëri për shkaqe turistike. Konkretisht turistët kinezë mund të qëndrojnë dhjetë muaj në vit për të vizituar Shqipërinë, falë marrëveshjes dypalëshe. Bëhet fjalë për periudhën turistike nga marsi në tetor."
Për të ndërthurur programet kombëtare të zhvillimit të të dy vendeve, qeveria kineze ftoi punonjës të sektorit shqiptar të turizmit për të shkuar në Kinë për studim. Ambasadorja e atëkohshme kineze Jiang Yu u takua me anëtarët e delegacionit dhe shprehu shpresën se ata do ta shfrytëzonin këtë rast për të nxitur njohjen e ndërsjellë dypalëshe. Përfaqësuesi nga grupi i operatorëve turistikë shqiptarë, Alban Muharremi, pas studimit në Kinë që zgjati afro një muaj, tha se përfitimet nga ky studim ishin shumë të mëdha. Ai është i mendimit se përvojat e menaxhimit të industrisë turistike do ta ndihmojnë në zhvillimin e tregut turistik shqiptar:
"Ne u njohëm kryesisht që në fillim me zhvillimet politike e shoqërore kineze, të cilat na krijuan një ide më të qartë në lidhje me turizmin në veçanti. Turizmi i qëndrueshëm ishte një aspekt shumë i rëndësishëm. Trajtimi i tij nga ana e shtetit kinez, por edhe operatorët turistikë, zhvillimi i tij duke ruajtur mjedisin dhe zhvillimi ekonomik nga ana tjetër, ishin një aspekt shumë i rëndësishëm, i cili do të na vlejë edhe neve me kthimin në Shqipëri për të bashkëpunuar me shtetin tonë dhe Ministrinë e Turizmit, për të krijuar qoftë ligje, qoftë amendime ligjore me ndryshimet që duhen, të cilat ne i vërejtëm të aplikuara këtu në Kinë."
Presidenti i Kinës Xi Jinping mbajti në vitin 2018 një fjalim në ceremoninë e hapjes së takimit vjetor të Forumit të Boaos për Azinë, ku shpalli një sërë masash të Kinës për zgjerimin e hapjes ndaj botës së jashtme. Pastaj, liderët e Kinës e kanë theksuar në shumë raste se Kina do të vazhdojë zgjerimin e hapjes. Lidhur me këtë, ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë Paskal Milo shpreson se Shqipëria do ta kapë këtë rast për të thelluar bashkëpunimin ekonomiko-tregtar me Kinën:
"Kjo hapje e Kinës duhet parë me pozitivitet, sepse është e natyrshme që një vend i madh e i zhvilluar si Kina të ketë interesat e veta, të cilat, në përputhje me interesat e vendeve të tjera, sjellin vetëm zhvillim, paqe dhe bashkëpunim. Ndaj do të dëshiroja që ta shikoja Shqipërinë në një marrëdhënie më të ngushtë me Kinën në të gjitha fushat, por në mënyrë të veçantë në bashkëpunimin ekonomik."
Gjatë 70 vjetëve, bashkëpunimi i lulëzuar ekonomiko-tregtar ka krijuar një bazë të fortë për zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve. Nga ndihma deri në bashkëpunim, marrëdhëniet ekonomiko-tregtare midis Kinës e Shqipërisë ecin në rrugën e zhvillimit me leverdi të ndërsjellë e përfitime të përbashkëta. Në shekullin e tanishëm, besojmë se lidhjet më të ngushta e më të thella ekonomiko-tregtare do të ofrojnë përkrahje më të fortë për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. (Çang Çuo)