Ekspozita "Përtej kujtimeve" e hapur mbrëmjen e së hënës në mjediset e kryeministrisë në Tiranë, si një ndër veprimtaritë në 70 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Kinës u përshëndet nga kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama dhe ambasadori kinez Zhou Ding.
Me tone optimiste për bashkëpunimin midis dy vendeve tona kryeministri Rama tha se
"Nuk është aspak çudi që Kina sot është partneri më i madh tregtar i Shqipërisë pas BE-së dhe potencialisht pa diskutim portofoli i kësaj marrëdhënieje nuk ka asnjë mundësi tjetër përveçse të njohë rritje të vazhdueshme."
Ndërsa duke u ndalur te shkëmbimet turistike dhe veçanërisht thithjen e turistëve kinezë, për kreun e qeverisë shqiptare
"Sot Shqipëria është vendi ku çdo vit e më shumë kinezë zgjedhin të kalojnë pushimet e tyre. Vetëm këtë vit rritja e turistëve kinezë krahasuar me vitin parardhës është 65% dhe është rritja më e madhe në përqindje e të gjitha kategorive të turistëve të huaj. Me çuarjen përpara të marrëveshjes së Ë6 të Shengenit ne besojmë se vitin e ardhshëm do të kemi një "boom" turistësh kinezë, pasi në muajt në vijin do të dakortësojmë se për turistët kinezë do të jetë e nevojshme të kenë më shumë se sa një pikë hyrëse në sensin e dokumentacionit."
Gjerësisht u ndal kryeministri shqiptar në nevojën e rritjes së shkëmbimeve kulturore, ku përsëriti vlerësimin për kontributin e shquar të Katedrës së Gjuhës Shqipe në Pekin në ruajtjen e gjuhës shqipe .
Ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding theksoi në fjalën e tij se : "Në 70 vitet e kaluara, bota dhe dy vendet tona kanë kaluar ndryshime të jashtëzakonshme, por lidhjet midis nesh mbeten të forta dhe ndjenjat e dashuria për njëri-tjetrin të pandryshuara. Siç tregohet në 16 pullat e ekspozuara këtu sot, tregojnë thellësinë e ndjenjave të dy popujve. Kina edhe Shqipëria janë vende artdashëse dhe shkëmbimet artistike midis nesh janë aktive sepse ndajmë vlerat e hapjes dhe gjithëpërfshirjes. "
Të pranishmit, mes të cilëve ministri i turizmit dhe mjedisit Blendi Klosi, ministrja e financave dhe e ekonomisë Anila Denaj., ajo e kulturës Elva Margariti, deputetë, diplomatë e përfaqësues të fushave të ndryshme panë nga afër një koleksion prej 16 pullash përkujtimore me tematikë Kinën, si dhe vepra artistike tradicionale nga qyteti Nanjing. Këto pulla janë lëshuar nga Posta Shqiptare përgjatë viteve 1968-2009.
Eda Merepeza