Sivjet është 70-vjetori i themelimit të marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Shqipërisë. Gjatë 70 vjetëve, shkëmbimet e larmishme kulturore kanë nxitur njohjet reciproke e miqësinë e sinqertë dhe kanë ndihmuar në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve. Shkëmbimet kulturore midis Kinës e Shqipërisë janë edhe një pjesë e rëndësishme në historinë e shkëmbimeve dypalëshe.
Shqipëria është një nga vendet e para që vendosën marrëdhënie diplomatike me Kinën e Re. Me krijimin e këtyre marrëdhënieve, të dy vendet filluan shkëmbimet kulturore. Ish-ministrja e Kulturës e Shqipërisë Mirela Kumbaro u shpreh se shkëmbimet kulturore kanë luajtur një rol pozitiv për zhvillimin e marrëdhënieve mes të dy palëve:
"Shqipëria si një vend i vogël njihet në Kinë sidomos nga brezi i 40-50-vjeçarëve, me produktet e saj kulturore pavarësisht se ato i përkasin një periudhe e cila është mbyllur nga pikëpamja politike, por nga ana tjetër vazhdon të mbetet tërheqëse. Dhe duke u kombinuar kjo me prirjen e fuqishme të zhvillimit ekonomik dhe interesin që kemi ne në fushën e ekonomisë, kultura është një ndihmëse shumë e mirë për të realizuar këtë komunikim."
Në historinë e shkëmbimeve kulturore midis Kinës e Shqipërisë, filmat zënë një vend të veçantë dhe të rëndësishëm. Në vitet '60 - '70 të shekullit të kaluar, në Kinë u shfaqën afro 30 filma shqiptarë. Shumë prej tyre, si "Oshtimë në bregdet", "I teti në bronz", "Horizonte të hapura" etj. tërhoqën shumë shikues kinezë, të cilët vërshuan në kinema për t'i parë. Edhe tani në Kinë, kur bie fjala për Shqipërinë, patjetër mendja të shkon edhe te filmat shqiptare. Prej tyre, "Ngjadhnjim mbi vdekjen" është më i njohuri në Kinë. Edhe kënga e këtij filmi ka qenë mjaft popullore në Kinë.
Lidhur me rolin e luajtur nga kinematografia në shkëmbimet kulturore midis Kinës e Shqipërisë, regjisori i filmit "Ngjadhnjim mbi vdekje" Piro Milkani mendon:
"Filmi ndikon jashtëzakonisht mbi shpirtin e të rinjve dhe shkëmbimet mes njerëzve, pasi e pasuron botën e tyre dhe ndikon në forcimin e miqësisë. Filmi pa dallim, shqiptar apo kinez, është ambasador kulturor që shëtit nëpër botë."
Në kohët e marrëdhënieve më të ngrohta midis Kinës e Shqipërisë, filmat shqiptarë pasuruan jetën kulturore të kinezëve, ndërsa specialistët në fushën kulturore të dërguar nga Kina në Shqipëri i dhanë frymë të re artit shqiptar.
Në fundin e vitit 1963, Chen Bigang, në atë kohë mësues i pianos në Shkollën e Mesme pranë Konservatorit Qendror të Muzikës, shkoi në Shqipëri për të dhënë mësim në Akademinë e Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve). Ai mendon se shqiptarët janë të pasionuar e të hapur dhe kanë talent artistik. Tre vjetët e mësimdhënies së prof. Chen-it aty jo vetëm ngritën nivelin e tij profesional, por edhe bënë që ai të zinte miqësi të reja.
"Niveli i studentëve shqiptarë ishte më i lartë se niveli i nxënësve të mi në Kinë. Prandaj edhe shtova njohuritë e mia dhe zgjerova materialet e mësimdhënies, duke u ngritur shumë nga ana profesionale. Tani shpesh kujtoj përvojën time në Shqipëri që më la përshtypje të thellë. Përveçse kjo ishte një detyrë që më kishte ngarkuar vendi im, pata edhe një komunikim të gjerë me shqiptarët."
Zv.drejtorja e tanishme e Trupës Kombëtare të Baletit të Kinës Jiang Zuhui shkoi në Shqipëri në vitin 1964. Detyra e saj ishte të drejtonte artistët e Trupës së Baletit të Shqipërisë në provat e baletit kinez "Detashmenti i kuq i grave".
"Përshtypja ime e thellë është që artistët shqiptarë kishin zell dhe pasion. Meqë mund të flisja gjuhën ruse e po ashtu edhe shumë artistë shqiptarë mund të flisnin rusisht, ne mund të komunikonim me lehtësi. Përveç kësaj, teknika themelore dhe aftësitë e tyre ishin të mira. Ne mundëm të integroheshim me lehtësi. Ata ishin edhe shumë punëtorë, edhe të thjeshtë," tha znj. Jiang.
Me përpjekjet e përbashkëta të personave të qarqeve kulturore, filmi "Ngjadhnjim mbi vdekjen" dhe baleti "Detashmenti i kuq i grave" janë bërë kujtimet e rinisë të një brezi të tërë kinezësh dhe shqiptarësh. Shkëmbimet kulturore i kalojnë kufijtë e kohës dhe të hapësirës dhe kanë lënë përshtypje të thellë në zemrat e popujve të të dy vendeve.
Pas hyrjes në shekullin e ri, sidomos me zhvillimin e mekanizmit të "Bashkëpunimit Kinë-vendet e Europës Qendrore e Lindore" dhe të nismës "Një brez, një rrugë", shkëmbimet kulturore midis Kinës e Shqipërisë në fushat e kinematografisë, botimeve letrare, kërcimit modern, operës, muzikës instrumentale etj., janë zgjeruar, duke u bërë më të larmishme.
Në Festivalin e 14-t Ndërkombëtar të Filmit të Shangait, filmi shqiptar "Kama" hyri në konkurrim. Shikuesit kinezë shijuan përsëri pas shumë vjetëve mrekullinë e filmit shqiptar.
Në dhjetorin e vitit 2014, filmi i animuar "Lundrimi i jashtëzakonshëm", i përkthyer dhe i dubluar nga Radio e Jashtme e Kinës, u shfaq në Tiranë. Ky është filmi i parë i animuar kinez i përkthyer në gjuhën shqipe. Kryeministri Edi Rama dhe zonja e tij, si edhe ambasadori i atëhershëm i Kinës në Shqipëri Ye Hao morën pjesë në ceremoninë e premierës së filmit. Ky film u prit shumë mirë nga shikuesit shqiptarë.
Në vitin 2015, Administrata Kombëtare e Shtypit, Botimeve, Filmit, Radios dhe Televizionit e Kinës dhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë nënshkruan "Marrëveshjen e bashkëpunimit Kinë-Shqipëri për përkthimin e ndërsjellë të veprave letrare klasike". Sipas marrëveshjes, brenda pesë vjetëve që nga viti 2015, pala kineze dhe pala shqiptare do të përkthejnë reciprokisht nga 25 vepra klasike, gjë që është një bashkëpunim i rëndësishëm në fushën e botimeve midis dy vendeve. Në vitin e parë të zbatimit të marrëveshjes, sinologu i njohur shqiptar dhe kryetari i Shoqatës Kulturore Alb-China Iljaz Spahiu mbaroi përkthimin e veprës së Zhang Qizhi-së "15 kurset për historinë kineze", që u bë vepra e parë kineze e botuar në gjuhën shqipe mbi bazën e kësaj marrëveshjeje. Spahiu ka përkthyer edhe disa vepra të shkrimtarit kinez Mo Yan që fitoi çmimin "Nobel" në letërsi. Lidhur me shkëmbimet kulturore midis Kinës e Shqipërisë, Spahiu ka plane të mëdha:
"Unë nuk do të pushoj së punuari për kulturën kineze dhe për ta bërë atë sa më të njohur në Shqipëri, jo vetëm me anë të përkthimeve, por edhe të medias, me intervista, me biseda etj. Përveç letërsisë, kam në plan që të përkthej edhe diçka nga historia kineze, ose dhe nga filozofia kineze, pasi lexuesi shqiptar është i interesuar për kulturën kineze, e di se është një kulturë e lashtë, por pak njohuri ka konkretisht se ç'është kjo kulturë dhe kjo filozofi."
Në vitin 2016, poema "Nënë Shqipëri", e përkthyer nga përkthyesi i njohur kinez i letërsisë shqipe Zheng Enbo, u ekspozua në Panairin Ndërkombëtar të Librit të Pekinit. Kjo është vepra e parë shqipe e përkthyer në gjuhën kineze në kuadër të kësaj marrëveshjeje. Lidhur me këtë vepër, z. Zheng Enbo tha:
"Kam shumë emocione, sepse gjatë gjithë jetës sime kam përkthyer shumë vepra nga letërsia shqipe, por kjo vepër u promovua në mënyrë solemne në Panairin e Librit të Pekinit. Për mua është një ngjarje e shënuar e jetës sime. Kujtoj me këtë rast mikun tim të 50 vjetëve, Dritëro Agollin, që është vëllai im i madh shqiptar."
Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë Petrit Ymeri u shpreh se marrëveshja plotëson shumë zbrazëti në fushën e botimeve dhe thellon njohjen e ndërsjellë të popujve të të dy vendeve, duke tërhequr shumë lexues të rinj që mund t'i kushtojnë rëndësi letërsisë dhe filozofisë kineze të lashtë dhe bashkëkohore.
Vitet e fundit, me përpjekjet e qeverive dhe të organizatave joqeveritare dypalëshe, shfaqjet artiste janë bërë një pikë e larmishme në shkëmbimet kulturore midis Kinës e Shqipërisë.
Grupet artistike, si ato nga Teatri Kombëtar i Kinës, Trupa Kulturore-Artistike e provincës Henan, Trupa e Operës Kangu e Shangait, Trupa Rinore e Akademisë së Kërcimit të Pekinit, Orkestra e Flautit të Bambusë e Kinës, Shoqata e Muzikantëve e Pekinit, Ansambli i Këngëve dhe i Valleve i provincës kineze Guangdong etj., kanë dhënë shfaqje në skena të ndryshme të qyteteve shqiptare dhe publiku shqiptar, nëpërmjet këtyre shfaqjeve, ka njohur më mirë Kinën e tanishme dhe kinezët e sotëm. Njëkohësisht, në Kinë Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit Shqiptar ka shkuar për të marrë pjesë në Festivalin Muzikor Ndërkombëtar dhe tenori i njohur shqiptar Agim Hushi ka zhvilluar koncerte solo, dirigjenti shqiptar Oleg Arapi bashkëpunoi me Orkestrën Simfonike të Shenzhen-it, ndërsa artistët shqiptarë morën pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Kërcimit Bashkëkohor të zhvilluar në Kinë. Me këto aktivitete, shikuesit kinezë njohën mrekullinë e artit të tanishëm shqiptar.
Në nëntorin e vitit 2018, Kina dhe Shqipëria nënshkruan marrëveshjen mbi krijimin e qendrës kulturore të Kinës në Shqipëri, që është një dokument i shënuar në historinë e shkëmbimeve kulturore midis Kinës e Shqipërisë, si edhe një masë për të nxitur shkëmbimet e lidhjet shpirtërore të popujve në kornizën e nismës "Një brez, një rrugë".
Para Festës Kombëtare të Kinës të vitit 2019, Radiotelevizioni Shqiptar (RTSh) transmentoi filmin e animuar kinez "Panda kineze", të përkthyer nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG). Filmi tërhoqi interesin e shumë fëmijëve shqiptarë. Ambasadori kinez në Shqipëri Zhou Ding u shpreh në ceremoninë e fillimit të transmetimit të këtij filmi të animuar se shkëmbimet e kulturore e artistike dhe të veprave kinematografike e televizive shkurtojnë largësinë mes të dy vendeve. Transmetimi i filmit të animuar kinez "Panda kineze" është një rezultat i ri i arritur në fushën e shkëmbimeve kulturore të dy vendeve. Drejtori i përgjithshëm i RTSh-së Thoma Gëllçi u shpreh se bashkëpunimi dypalësh në fushën përkatëse filloi nga një film vizatimor, gjë që ka domethënien se shkëmbimet në fushën kulturore midis Kinës e Shqipërisë kanë të ardhme.
Gjatë 70 vjetëve, shkëmbimet kulturore kanë ndihmuar në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe kino-shqiptare, duke i afruar më tej popujt e të dy vendeve. Sot pas 70 vjetëve, në pikënisjen e re, kemi arsye të besojmë se shkëmbimet kulturore midis Kinës e Shqipërisë në epokën e re do të vazhdojnë të thellohen dhe do t'i japin energji më të madhe zhvillimit të gjithanshëm të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve. (Çang Çuo)