Albanologët e shquar kinezë Zheng Enbo dhe Wang Hongqi u nderuan nga presidenti i Shqipërisë Ilir Meta me titullin e lartë "Naim Frashëri" gjatë një ceremonie në mjediset e Presidencës, në Tiranë. Kreu i shtetit Meta në fjalën e tij vlerësoi albanologët kinezë për kontribuitn e tyre dhe përkushtimin e përhershëm ndaj trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar.
"Eshtë kënaqësi e veçantë të nderojmë sot me titullin "Naim Frashëri" personalitete të shquara kineze, dy albanologë, profesor Zheng Enbo dhe gazetarin Wang Hongqi. Uroj që dy studjuesit që po nderojmë sot të vazhdojnë dhe për shumë vite të tjerë të kontribuojnë në njohjen e popullit shqiptar dhe historisë së tij në Kinë, veçanërisht brezat e rinj kinezë që është kaq e rëndësishme, si dhe për forcimin e pandalshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe dy popujve tanë", theksoi në fjalën e tij presidenti Meta.
Plot emocion albanologu Zheng Enbo, ish student i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Tiranë, mik i Dritëro Agollit e Xhevahir Spahiut, tashmë 82 vjeçar shprehu falenderim për vlerësimin e bërë nga atdheu i tij i dytë, Shqipëria.
"Dita e sotme për mua është një ditë e shënuar historike. Nuk do ta harroj kurrë. Për mua letërsia dhe arti shqiptar është një oqean i pafund. Në të ardhmen do të thelloj njohuritë e mia për letërsinë shqipe dhe do të përkthej veprën e Xhevahir Spahiut, mikut dhe vëllait tim të vogël"
Albaologia kineze Ke Jing lexoi një letër falenderimi drejtuar ceremonisë nga Wang Hongqi, ish korespondent i agjencisë kineze të lajmeve Xinhua në Tiranë, i vlerësuar me titullin "Naim Frashëri nga presidenti shqiptar Ilir Meta.
Kjo ceremoni ishte pjesë e veprimtarisë treditore ndërakademike dhe ndëruniversitare shqiptaro-kinez, që nisi paraditen e të premtes në Akademinë e Shkencave në Tiranë me ekspozitën e botimeve "Autorë shqiptarë për Kinën, Autorë kinezë për Shqipërinë". Në prani të kryetarit të Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi, ambasadorit të Kinës Zhou Ding, ministres së kulturës Elva Margariti albanologëve të ftuar nga Kina, diplomatëve, përfaqësuesve të medias dhe kulturës, nënkryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Vasil Tole tha se "Ne kemi rreth 500 tituj librash shqip e kinezisht, shqiptarët për Kinën dhe kinezët për Shqipërinë. Nuk ishte vetëm Jeronim De Rada që e përmendte Kinën në veprën e tij por dhe Elena Gjika, intelektualja romantike shqiptare e shekullit 19-të, e cila shkroi për gratë e Kinës, për shpikje e hershme të Kinës."
Në fjalën e tij ambasadori i Kinës në Tiranë Zhou Ding tha se "Këto dyqind libra të përzgjedhur nga ju plot me gjak, djersë e mençuri të autorëve dhe përkthyesve të shumtë të Kinës dhe Shqipërisë janë pasuri e përbashkët shpirtërore e të dy popujve tanë. Jam i bindur se kjo ekspozitë do të forcojë miqësinë midis dy vendeve dhe popujve tanë duke na frymëzuar për për zhvillimin e marrëdhënieve kino-shqiptare"
Ministrja shqiptare e Kulturës Elva Margariti ndër të tjera theksoi "Jemi në tetorin e librit, në muajin e leximit dhe jam e kënaqur që fokusi ynë është libri. Autorë të rëndësishëm si Migjeni, Kadare, Agolli janë përkthyer në gjuhën kineze, ndërsa janë përkthyer shumë tituj të letërsisë, kulturës dhe të filozofisë kineze në gjuhën shqipe që nga Konfuci e deri te Nobelisti kinez Mo Yan. Nuk mungojnë shënimet e udhëtimeve si një vlerë e shtuar për marrëdhëniet dhe botëkuptimin e marrëdhënieve tona me Kinën. Mendoj se ne kemi një raport shumë special me Kinën që daton vërtët larg në kohë por mbi të gjitha është një marrëdhënie speciale që vazhdon edhe sot në gjeneratat e reja. Jam shpresëplotë që t'i japim një tjetër kuptim lidhjes nëpërmjet librit, historisë dhe kulturës së shkruar.
Drejtori i Bibliotekës Kombetare të Shqipërisë Pirro Misha u shpreh se "Ky aktivitet përbën një gëzim të veçantë sepse është një mundësi për të parë një udhëtim të gjatë e të rëndësishëm të marrëdhënies midis dy kulturave. Mendoj se kjo ekspozitë duhet të shërbejë jo thjesht për të parë një retrospektivë të marrëdhënieve midis nesh, por dhe si një apel për t'i shtuar ato.
Kryetari i Këshillit i Universitetit të Gjuhëve të huaja të Pekinit BFSU nënvizoi se " Gjatë 70 viteve të marrëdhënieve diplomatike kino-shqiptare të dyja palët kanë bashkëpunuar në mënyrë praktike dhe kanë bërë shkëmbime të ndryshme ku ka spikatur sidomos fusha e botimeve. Për të shikuar rezultatet në fushën e botimeve midis dy palëve si dhe për të parashikuar planin e zhvillimit në të ardhmen organizohet bashkërisht kjo ekspozitë e botimeve në kuadër të 70 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis vendeve tona.
Një marrëveshje bashkëpunimi u nënshkrua midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit. Ndërkohë u promovua "Antologjia e poezisë shqipe" nga albanologu Zheng Enbo nga ish-kolegia e tij e studimeve, akademikja Floresha Dado dhe prof.dr. Chen Fenghua, libri i "Dritëhijet e një miqësie që çuditi botën" i ish-ambasadorit Hajdar Muneka dhe studimi "Konceptet bazë të mendimit dhe kulturës kineze" nga sinologu Iljaz Spahiu.
Veprimtaria u organizua në 70 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Kinës në kujdesin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinuit, Shtëpisë Botuese të Librit Universitar dhe Kërkimor në Pekin dhe Shoqatës kulturore Alb China.
Eda Merepeza