Kina, marrëdhëniet diplomatike shqiptaro-kineze, nevoja për shtimin e shkëmbimeve ekonomike dhe kulturore me Kinën dhe dëshira për përkthimin e romaneve të tij në kinezisht janë në fokus të intervistës me ish ministrin e jashtëm shqiptar, politikanin, shkrimtarin Besnik Mustafaj, realizuar nga gazetarja Eda Merepeza.

CMG: Shqipëria e vogël ishte një nga avokatet kryesore për anëtarësimin e Republikës Popullore të Kinës 48 vjet më parë në OKB. Kjo mbështetje shtroi rrugën e miqësisë së mëtejshme, me ulje-ngritjet e saj, që sivjet shënon 70 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Kinës.

Ju si ish ministër i jashtëm i Shqipërisë, diplomat karriere dhe politikan, si i vlerësoni këto marrëdhënie?

Besnik Mustafaj: Unë do të thoja se në atë periudhë, pra në vitet 60-të e deri sa Kina në fillim të viteve 70-të u pranua në OKB, Shqipëria realisht e ka luajtur rolin që i takonte si mike e Kinës. Kjo gjë do të mbetet në historinë e marrëdhënieve tona, por do të mbëtët dhe në historinë e Kinës, në mënyrë të posaçme dhe është e mjaftueshme që të hidheshin bazat e një miqësie të gjatë dhe të qëndrueshme, pavarësisht ulje-ngritjeve që ka prodhuar politika.

Unë besoj se marrëdhëniet sot midis Shqipërisë dhe Kinës janë të mira, por do të tërheq vëmendjen në aspektin ekonomik. Kina sot është një ndër eksportuesit kryesorë të prodhimeve të veta në Shqipëri, ndërkaq që nuk është importuese e prodhimeve shqiptare. Pra kjo lloj zhbalance në bilancin e shkëmbimeve ekonomike nuk është e drejtë dhe nuk i shërben forcimit të marrëdhënieve dypalëshe. Nga ana tjetër Kina është prezente në Shqipëri, pasi ajo ka hyrë në sektorë strategjikë me investimet e saj. Kam këtu parasysh Aeroportin e vetëm ndërkombëtar që kemi "Nënë Tereza", por dhe kompaninë "Bankers", si dhe hidrokarburet janë shumë të rëndësishme në zhvillimin strategjik të një vendi.Kjo tregon se politika shqiptare nuk ka komplekse penguese, përkundrazi ka koncepte të drejta për praninë e investimeve kineze në Shqipëri.

CMG: Në periudhën dyvjeçare 2005-2007 ju keni mbajtur postin e ministrit të jashtëm të Shqipërisë. Do të ishte me interes për dëgjuesit tanë të dinin përshtypjet tuaja nga kontaktet tuaja me Kinën, diplomacine kineze, por dhe vizitat që keni kryer në atë periudhë.

Besnik Mustafaj: Unë jam një mik i Republikës Popullore të Kinës, jam adhurues i kulturës dhe historisë kineze, pra në këtë kuptim unë jam përpjekur dhe individualisht me rolin që ka ministri i jashtëm për t'i dhënë një shtysë të re marrëdhënieve dypalëshe. Në kohën kur unë isha ministër i jashtëm, ministër i jashtëm i Kinës ishte Li Zhaoxing me të cilin kishim disa gjëra të përbashkëta sepse edhe ai si unë kishte studjuar letërsi frënge si dhe ai ishte poet si unë. I them këto dy detaje për të treguar se komunikimi edhe me ministrin e jashtëm kinez, me të cilin jam takuar disa herë përveç një vizite zyrtare që kam bërë në Kinë në nëntor të vitit 2006, kemi patur një komunikim shumë të mirë dhe miqësor. Unë besoj se ka patur në atë periudhë një dëshirë të vërtetë nga të dyja palët për një intensifikim të marrëdhënieve jo vetëm diplomatike, por edhe ekonomike.

Në atë periudhë ndodhi një ngërç, kur në maj të vitit 2006 Shqipëria pranoi 5 nga ish të liruarit nga burgu i Guantanamos, që ishin ujgurë, për të cilën qeveria kineze nuk ishte fare e kënaqur, që ata po pranoheshin për strehim politik në Shqipëri, sipas një marrëveshjeje ndërkombëtare, që bëri Shqipëria në atë kohë. Kjo mund të ishte një pengesë në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, por qeveria kineze pasi shprehu pakënaqësinë e saj dhe unë e kujtoj si një gjë të mirë nga ana e qeverisë kineze, që pasi e kapërceu këtë pengesë nuk e përdori si një argument për ftohje apo për ngadalësim të marrëdhënieve midis dy vendeve tona.

Në nëntor të vitit 2006 kreva një vizitë zyrtare në Kinë ku u prita nga autoritetet më të larta të vendit dhe kalova një moment të dobishëm për punën që kryeja dhe këtë vizitë e konsideroj si një sukses të karrierës sime.

CMG: Flasim për aktualitetin e këtyre marrëdhënieve, por jo vetëm me Shqipërinë. Nisma e qeverisë kineze "Një brez, një rrugë" dhe Mekanizmi i bashkëpunimit 17 1 midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Juglindore, ku përfshihet dhe Shqipëria përben kryefjallën e shkëmbimeve midis Kinës dhe vendeve të rajonit tonë. Sa eficiente ka qenë Shqipëria për të përfituar nga këto nisma të Kinës krahasuar me vendet e tjera të rajonit?

Besnik Mustafaj:Mekanizmi 17 1 është në projekt inteligjent nga ana e diplomacisë kineze, që shoqërohet me shkëmbime të mëdha ekonomike, investime kineze dhe përfshin gjithë vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore. Në këtë kuptim një pjesë e madhe e këtyre vendeve, në mos gaboj nga 17 vende 12 prej tyre janë tashmë anëtare të Bashkimit Evropian dhe besoj se projekti i shërben Kinës, si dhe i shërbën këtyre vendeve dhe Shqipërisë.

Unë kam patur rastin të shprehem dhe në shtyp si një i pakënaqur pse Shqipëria në kuadër të këtij projekti nuk ka bërë propozime, nuk ka ofruar projekte të cilat do të mund t'i shërbenin intensifikimit të marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve. Ky nuk është vetëm një projekt ekonomik, por është edhe kulturor. Në vitin 2017 isha i ftuar në Kinë në kuadrin e takimit të shkrimtarëve nga vendet e Mekanizmit 17 1, pra kemi të bëjmë me një projekt kompleks , që synon të intensifikojë marrëdhëniet ekonomike. Ky projekt ka dy rrugë, pra jo vetëm të vijnë investime kineze në këto vende, por edhe investime apo shkëmbime të këtyre vendeve të shkojnë në Kinë. Edhe si projekt kulturor është shumë i rëndësishëm.

Unë konstatoj një pasivitet të madh nga ana e qeverisë së Shqipërisë për t'iu përgjigjur kësaj perspektive, këtij potenciali, këtij qëllimi për shkëmbime ekonomike dhe kulturore midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Juglindore.

CMG: Ju e keni nisur njohjen nga publiku si poet, shkrimtar dhe më pas publiku ju njohu si politikan, diplomat karriere dhe ish ministër i jashtëm. Tashmë prej 10 vjetësh ju i jeni kthyer statusit të shkrimtarit me një prodhimtari të lavdërueshme. Cfarë mund të na thoni për krijimtarinë tuaj?

Besnik Mustafaj: Politika dhe letërsia nuk mund të bashkëjetojnë, sepse ka një rivalitet të madh mes tyre. Ato kërkojnë kohë të plotë dhe nuk mund t'i bësh part time. Tek unë arriti kontradikta në atë masë aq e papajtueshme sa bëra zgjedhjen time dhe ika nga politika për të vazhduar letërsinë, që ishte ëndrra ime e parë dhe synimi i parë i jetës sime profesionale. Njëkohësisht letërsia për të shkruar romane, siç shkruaj unë kërkon që ta nisësh ditën me këtë punë, gjë që unë e bëj prej 10 vjetësh. Jam shumë i kënaqur me këtë që kam arritur. Jam në paqe me veten dhe jam njësoj i realizuar sepse romanet e mia botohen jo vetëm në Shqipëri por edhe janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Tashmë jam në gjendje jo vetëm ta shtoj e pasuroj veprën time, por dhe të ndjek fatin e librave të mi, që përkthehen në gjuhë të huaja.

CMG: Meqënëse përmendët përkthimin, a është përkthyer apo pritet të përkthehet ndonjë roman i juaji dhe në kinezisht, pasi shumë nga autorët e njohur shqiptarë tashmë janë të përkhtyer në këtë gjuhë.

Besnik Mustafaj: Në dijeninë time asnjë nga veprat e mia letrare nuk është përkthyer dhe as nuk është në programet e afërme të përkthimit në kinezisht. Por kjo nuk do të thotë se nuk kam dëshirë, madje kam shumë dëshirë që ta shoh veprën time të përkthyer në kinezisht dhe shpresoj të lexohet dhe të përkthehet mirë. Unë kur kam qenë për vizitë zyrtare në Kinë kam patur rastin të njoh një masë të madhe studentësh kinezë që studjojnë shqip dhe kam mbetur pozitivisht i befasuar nga cilësia e shqipes së tyre. Pra unë jam i bindur se ka shumë më tepër perkthyes të mirë të letërsisë shqipe në Pekin, se sa në Uashington apo Paris.

CMG: Me çfarë po merreni momentalisht? Cilat janë planet tuaja krijuese?

Besnik Mustafaj: Jam në përfundim të një romani që pas disa ditesh duhet t'ja dorëzoj dorëshkrimin botueses ime Irena Toçi, të Shtëpisë Botuese Toena dhe pastaj do të filloj një libër tjetër.

Eda Merepeza