Pan Shuhao, studentja që mëson gjuhën shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit pasi përfundoi studimet e saj në Universitetin e Tiranës për një vit u kthye në Pekin.
Ditët e fundit, ajo dha një intervistë për CMG-në (Grupin Mediatik të Kinës), duke thënë se me përparimin e atdheut ajo pati rast të studiojë jashtë vendit dhe të provojë jetën e larmishme universitare në Shqipëri dhe ajo është krenare për Kinën.
Nëpërmjet jetës studimore në Shqipëri, Pan Shuhao pati rastin ta njohë më mirë vendin e shqiponjave. Ajo është e mendimit se shqiptarët janë një popull me pasion dhe jeta e tyre është e ngadalëshme.
Për qëndrimin e saj në Shqipëri për studime, Pan Shuhao na tha se dega e saj është gjuha shqipe dhe mendoi se nëpërmjet studimeve në Shqipëri do të rritet aftësia e të folurit dhe e të dëgjuarit. Po ashtu, para studimeve në Shqipëri, ajo ka studiuar dy vjet gjuhë shqipe, prandaj pati dëshirë të njihet me ndryshimet e përdorimit të gjuhës shqipe në Shqipëri.
Përveç këtyre arsyeve, Pan tha se në Shqipëri dhe në Europë ka shumë trashëgimi kulturore që ajo mund t'i vizitojë në kohën e lirë.
Zakonisht shumë të huajve u nevojitet një periudhë që të mësohen me jetën në një vend, por Pan tha se nuk ka ndryshime të mëdha.
"Sapo zbrita nga avioni, këmbeva RMB me lekë dhe nga gjuha kineze fola shqip. Pjesa tjetër nuk pati shumë dallime të mëdha nga Kina. U adaptova shumë shpejt."
Jeta e Pan-it në Shqipëri është vlerësuar nga shokët e shoqet e saj si një jetë e larmishme, sepse ajo ka marrë pjesë në shumë veprimtari që e integruan në jetën e shqiptarëve.
Gjatë studimeve jashtë Kinës, Pan ka marrë pjesë dy herë në maratonë, një në Athinë dhe një tjetër në Beograd dhe shprehu keqardhje që s'mund të merrte pjesë në maratonën e Tiranës. Ajo gjithashtu ka marrë pjesë edhe në veprimtari të tjera të gjuhës shqipe ku u njoh me shqipfolës nga vende të ndryshme. Gjithashtu, Pan mori pjesë edhe në një emision televiziv, ku ishte i pranishëm dhe yllin shqiptar MC Kresha dhe diskutuan mbi kulturën kineze. Sigurisht, Pan nuk mund të mungonte as në aktivitetin e Festivalit të Fenerëve të organizuar nga ambasada e Kinës në Shqipëri.
Nga të gjitha këto aktivitete, Pan tha se përvojat e saj në konkursin e kërcimit i lanë përshtypje më të thellë.
"WORLD OF DANCE organizoi për herë të parë këtë konkurs si dhe ishte hera ime e parë që marr pjesë në një konkurs kërcimi të nivelit botëror. Fituam çmimin e dytë dhe jemi shumë të lumtur. Pata mundësinë të shkëmbej pikëpamjet me shqiptarët që ndajnë të njëjtat interesat me mua dhe u ndieva shumë e lumtur. Gjatë këtij procesi, pata mundësi të rris aftësitë e mia ndaj kërcimit. Në fakt, shumë shqiptarë nuk kanë shumë njohuri për Kinën dhe kinezët dhe gjatë udhëtimit, kam rast të përhap më shumë kulturën kineze."
Pan ka vizituar qytete të ndryshme të Shqipërisë si Shkodrën, Shëngjinin, Durrësin, Krujën, Korçën Pogradecin, Voskopojën, Beratin, Sarandën, Vlorën, Gjirokastrën, Përmetin etj, madje ka parë edhe Liqenin e Bovillës. Atë kohë ajo udhëtoi me autobus dhe ndryshoi tre linja pasi nuk kishte autobus direkt. Kur mbërriti rrëzë malit, ajo ende kishte një rrugë të gjatë. Në atë zonë kishte edhe katër shqiptarë që po shkonin lart dhe e ftuan në makinën e tyre që të shkonin bashkë. Ajo i përshkroi ata si me pasion dhe interesant. Pan tha se pasioni i shqiptarëve është shumë i dukshëm dhe se ata janë një popull shumë miqësor, sidomos për kinezët. Kur ecën në rrugë, shqiptarët i përshëndesin. Ajo vlerësoi gjithashtu edhe shoferët shqiptarë për sjelljen e mirë të tyre. Nëse ata shohin këmbësorë para makinës së tyre, do ta ndalojnë makinën.
Gjatë intervistës, Pan Shuhao shprehu kënaqësi për jetën e saj në Shqipëri. Ajo pëlqen shumë ritmin e ngadaltë të jetës në Shqipëri dhe tha se shumë shqiptarë mund të shijojnë kafe gjithë ditën në kafene. Me ritmin e ngadaltë të jetës, Pan ka dhe shumë kohë për veten duke u marrë me gjërat që i pëlqejnë.
Pan Shuhao dëshiron të flas diçka me rastin e 70-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës. Ajo është e mendimit se zhvillimi i Kinës i dha rast të studiojë jashtë vendit. Nëpërmjet studimit jashtë Kinës, ajo fitoi aftësinë e pavarësisë individuale. Gjatë një viti, ajo mësoi të gatuajë mirë, u njoh me shumë njerëz dhe udhëtoi në shumë vende. Po kështu u rrit dhe aftësia e saj për organizimin e një udhëtimi. Pa harruar që Pan mësoi më mirë gjuhën shqipe.
Për të ardhmen, Pan Shuhao tha se nëse do t'i jepet mundësia do të marrë pjesë në punët e nxitjes së shkëmbimeve midis Kinës e Shqipëri si dhe ka mundësi që të vazhdojë studimet pasuniversitare ose do të gjejë një punë. Nëse vazhdon studimet ajo dëshiron të studiojë jashtë Kinës. (Çang Çuo)