Elsa Skënderi Rakipllari, pedagoge e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë pranë Universitetit të Tiranës ishte njëra nga lektorët e edicionit të sivjetëm të këtij seminari.
CMG: Kjo ishte pjesëmarrja juaj e parë në Seminar?
Elsa Rakipllari:Po, ishte pjesmarrja e parë si lektore. Sigurisht e kam ndjekur në edicionet e tjera dhe kam marrë pjesë si referuese . Kësaj radhe përvoja ishte ndryshe sepse isha në pozicionin e mësimdhënëses, pra lektores së gjuhës shqipe.
CMG: Çfarë mund të na thoni për temat e trajtuara në seminarin e sivjetëm si dhe gjeografinë e pjesëmarrjes së tij?
Elsa Rakipllari: Çdo edicion i seminarit ka disa tema bosht dhe në të nuk trajtohen vetëm tema të gjuhës shqipe, por trajton edhë një sërë temash që lidhen me letërsinë dhe kulturën shqiptare. Kështu që ndër temat e gjuhësisë u trajtua struktura aktuale e gjuhës shqipe, ndërsa në fushën e letërsisë u trajtuan tema që lidheshin me të ëndërruarit në letërsinë shqipe. Sa i takon kulturës vemendja u përqëndrua tek mediat online, kultura dhe shfaqjet e saj në mediat e reja.
Seminaristët nuk janë vetëm referuesit dhe studjuesit por janë dhe studentë, që u përkasin niveleve të ndryshme të njohurive të gjuhës shqipe. Studentët vinin nga shtete të ndryshme dhe seminari pati një gjeografi të larmishme jo vetëm nga vendet e rajonit tonë, por dhe nga vende të tjera evropiane dhe më tej. Në seminarin pati studentë nga Rusia, Gjermania, Finlanda, Turqia, Letonia, Rumania, Bullgaria, Turqia, Greqia, Holanda etj.
CMG: Cilët ishin lektorët e tjerë nga Universiteti i Tiranës?
Elsa Rakipllari: Nga Universiteti ynë sivjet në seminar ishim unë dhe dy pedagoge nga Departamenti i Gjuhës Shqipe, profesoreshat Anila Cepani dhe Ledi Shegani. Ne mbuluam një pjesë të kurseve, sepse ato zhvillohen sipas niveleve dhe të tjerë kolegë i mbulonin nga Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës.
CMG: Do të veçoni ndonjë nga pjesmarrësit në Seminar?
Elsa Rakipllari: Në fakt studentët e mi ishin të gjithë të shkelqyer dhe jam shumë e lumtur për këtë sepse ma bëri përvojën të paharrueshme. Unë jap mësim dhe gjatë vitit në Fakultet për studentë të huaj, që ndjekin kurset e gjuhës shqipe, por në seminarin e sivjetëm të Prishtinës pjesëmarrësit kishin nivel të lartë njohurish. Ata ishin të një niveli të avancuar të njohjes së gjuhës shqipe dhe ishin të gjithë studjues dhe njohës të mirë të fushave gjegjëse.
E kam të vështirë t'i veçoj por kishte prej tyre që jo vetëm e njihnin shumë mirë shqipen standarde, por ishin njohës dhe të dialekteve të shqipes. Kjo ishte impresionuese për mua. Mandej kishte studjues të përkorë me studime të mirëfillta në fushën e gjuhës shqipe. Patjetër do të veçoja studjuesin Cristian Besleaga nga Rumania, i cili përveç ndjekjes së seminarit ka produkte shumë të mira dhe cilësore, siç është "Gramatika shqip-rumanisht" e punuar prej tij, apo puna që po bën për hartimin e një metode të mësimit të gjuhës shqipe nga rumunët.
CMG: Albanologu rumun Cristian Besleaga është me profesion përkthyes, por dhe një njohës mjaft i mirë i gjuhës shqipe. Mik i Shqipërisë prej afro 30 vitesh ai ka botuar së fundmi "Gramatikën shqip-rumanisht". Si e ka vlerësuar ai pjesëmarrjen në Seminarin e 38-të të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqipe, që u zhvillua në Prishtinë?
Cristian, kjo ishte pjesëmarrja jote e parë në këtë seminar? Cilat tema të tërhoqën më shumë vemendjen?
Cristian Besleaga: Arsyeja e parë ishte se meqë kam studjuan gjuhën shqipe në Tiranë dhe e flas toskërishten doja të dija më shumë për dialektin geg dhe doja të takoja njerëz që e flasin atë. Kjo mendoj se do të më ndihmojë në përkthimet e mia të ardhëshme. Gjithashtu doja të njihja Prishtinën dhe Universitetin e saj sepse dua të bëj disa studime në fushën e shqipes.
CMG: Pas 30 vitesh të njohjes së Shqipërisë dhe gjuhës shqipe tashmë ndodhet në libraritë e Rumanisë libri juaj "Gramatika shqip-rumanisht". Si u prit kjo gramatikë dhe si ju lindi ideja për hartimin e saj ?
Cristian Besleaga: Është pritur shumë mirë sidomos nga njerëz që kanë lidhje me Shqipërinë ose bëjnë pjesë në minoritetin shqiptar të Rumanisë. Pas botimit janë shitur shumë kopje si dhe kam patur kërkesa për ta botuar dhe në gjuhën angleze këtë gramatikë, për t'u ardhur në ndihmë sa më shumë njerëzve që duan të mësojnë shqip.
CMG: Këto janë studime në fushën e gjuhësisë, por a keni në plan të përktheni në rumanisht autorë shqiptarë apo anasjelltas?
Cristian Besleaga: Shkrimtarët shqiptarë janë përkthyer në rumanisht. Përmend përkthimin e të gjithë librave të Ismail Kadaresë por dhe autorë të tjerë. Unë mendoj se edhe shkimtarë të tjerë shqiptarë duhen përkthyer në rumanisht si Fatos Kongoli apo Bashkim Hoxha.
CMG: Do të merrni pjesë dhe në edicionet e ardhëshme të Seminarit të Prishtinës?
Cristian Besleaga: Po, patjetër. Ka qenë një eksperiencë shumë e mirë dhe kam mësuar shumë. Ka njerëz nga e gjithë bota dhe seminari është interesant.
Eda Merepeza