Në këto dy dekada të pluralizmit shqiptar z.Namik Dokle ka shërbyer si Kryetar dhe Nënkryetar i Kuvendit, zëvendëskryeministër, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, si dhe nënkryetar i saj. Pas tërheqjes nga politika është cilësuar si deputeti më jetëgjatë në parlamentin shqiptar, qysh nga viti 1991 në 8 legjislatura të tij. Namik Dokle ka qene nismëtar i krijimit të Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Kinë
Përveç karrierës së gjatë politike z.Dokle njihet dhe si shkrimtar e publicist. Drama, radiodrama për të rritur e fëmijë, tregime dhe romane janë zhanret e lëvruara prej tij në krijimtarinë letrare.
CMG: Në 70 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë, Kina përveçse një mik tradicional i vendit tonë aktualisht është partneri i tretë tregtar. Në optikën e njërit nga drejtuesi të lartë të shtetit shqiptar si i vlerësoni këto marrëdhënie ?
Namik Dokle:Vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Kinës ka qenë një akt historik, rëndësishëm për të dy vendet. Natyrisht kishte dhe peshë ndërkombëtare sepse në marrëdhëniet diplomatike botërore hynte një shtet i fuqishëm si Republika Popullore e Kinës. E theksoj se vendosja e marrëdhënieve ka qenë një akt i rëndësishëm. Marrëdhëniet kanë patur zigzaget për arësye të njohura. Eshtë një fakt i njohur që Kinën e kanë vizituar pothuajse të gjithë presidentët shqiptarë pas viteve 90-të, të gjithë kryeministrat dhe të gjithë kryetarët e Kuvendit të Shqipërisë.
CMG: Gjatë drejtimit nga ana juaj të Kuvendit të Shqipërisë, por dhe në detyra të tjera të rëndësishme keni vizituar dhe Kinën. A mund të ndani me ne disa mbresa nga vizitat tuaja në Kinë?
Namik Dokle:E kam vizituar katër herë Kinën. Një herë në cilësinë e zëvendës kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, në përbërje të delegacionit zyrtar të kryesuar nga presidenti i Republikës në fund të vitit 1999. Pastaj Kinën e kam vizituar në cilësinë e anëtarit të grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-Kinë, duke qenë dhe anëtar nderi i këtij grupi. Ndërsa dy vizitat e fundit u kryen vitin e kaluar si dhe dy vjet më parë kur kam qenë në Kinë në konferencën ndërkombëtare për nismën "Një brez, një rrugë". Herën e parë si përfaqësues i PABSEC-ut dhe herën e dytë si i ftuar i veçantë nga organizatorët e kësaj konference. Nga të gjitha këto vizita unë dua të ndalem në vizitën e parë në Kinë sepse në takimin me presidentin e atëhershëm kinez Jiang Zemin, i cili kërkoi krijimin e grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-Kinë, gjë që ne nuk e kishim deri në atë moment. Unë e mora përsipër këtë gjë dhe me të ardhur në Tiranë me një grup deputetësh dhe me vendim të Kuvendit të Shqipërisë u krijua në vitin 2000 për herë të parë Grupi i Miqësisë Shqipëri-Kinë në parlamentin shqiptar, i cili pati dhe grupin homolog në Asamblenë kineze.
Mund të them që nga të gjitha grupet e miqësisë në parlamentin shqiptar, Grupi i Miqësisë Shqipëri-Kinë ka qenë ndër më funksionalët, pasi ai ka bërë disa vizita në Republikën Popullore të Kinës, ku kam qenë i pranishëm.
CMG: Nisma e qeverisë kineze "Një brez një rrugë" vlerësohet nga ekonomistët ndërkombëtarë si një ndër projektet më të mëdha botërore. Për rajonin tonë Mekanizmi i bashkëpunimit 17 1 ku përfshihet dhe Shqipëria është një mundësi për thithjen e investimeve kineze. Opinionistë të ndryshëm gjatë intervistave që kam kryer mendojnë se Shqipëria duhet të ishte më aktive në këto nisma. Si e shihni përfshirjen e Shqipërisë në këto dy projekte me përfitim të ndërsjellë që ofron Kina?
Namik Dokle: Jam plotësisht i një mendje me ju, pasi e kam prekur nga afër këtë problem. "Një brez, një rrugë" është një nga iniciativat ekonomike më të mëdha botërore, sepse bazohet në Rrugën e lashtë të Mëndafshit, që sillte mëndafshin nga Kina drejt Evropës. Ringjallja e kësaj rruge ka një vlerë të madhe ekonomike, por dhe politike sepse afron dhe miqëson popujt dhe shtetet. Nga kjo pikpamje ideja e presidentit kinez "Një brez, një rrugë" ka një vizion shumë të rëndësishëm sepse lidh të gjitha rrugët e mundshme, si rrugore, hekurudhore dhe rrugët detare, që vijnë deri në hyrje të Evropës, nëpërmjet Turqisë.
Eshtë interesant fakti që për herë të parë këtë ide e kam dëgjuar para shumë vitesh nga ish presidenti turk Demirel, i cili në atë kohë mendonte se nëse do të aktivizohej Kina, ky projekt mund të realizohej. Pas shumë vitesh kur u ftova për herë të parë në konferencën kushtuar "Një brez, një rrugë", që u zhvillua në Xian kuptova që fuqia më e madhe për realizimin e këtij projekti është Republika Popullore e Kinës. Pa angazhimin e saj, pa investimet madhore të Kinës kjo rrugë nuk do të mund të ndërtohej kurrë.
Ndërkohë kam marrë pjesë në konferencën e vitit të kaluar po për këtë nismë, ku ishin të ftuara dhomat e tregtisë dhe industrisë, biznesmenë, politikanë , por konstatova me dhimbje që në listën e dhomave të tregtisë dhe industrisë të këtij projekti Shqipëria nuk ekzistonte. Ndërkohë për fat të mirë Dhoma e Tregtisë dhe Indutrisë e Kosovës është pjesë e projektit. Mospjesmarrja e Shqipërisë është absurditet, por me siguri vjen nga mungesa e kujdesit dhe nga mungesa e kuptimit të rëndësisë së kësaj rruge, të kësaj ëndrre e këtij projekti të madh.
Unë mendoj që atë që nuk e bëjnë zyrtarët më mirë do ta bëjnë vetë biznesmenët. Gjithashtu mendoj se mundësitë për shtimin e shkëmbimeve midis Shqipërisë dhe Kinës janë të hapura. Iniciativa kineze për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike me Evropën Qendrore dhe Juglindore është shumë e rëndësishme Fakti që kjo nismë dikur quhej "Mekanizmi 16 1" dhe tani quhet "Mekanizmi 17 1" tregon rëndësinë e saj. E them këtë sepse është shtuar një vend anëtar i Bashkimit Evropian, një vend i rëndësishëm i rajonit tonë, siç është Greqia. Në momentin që vendet aspirante për anëtarësim në BE janë pjesë e Mekanizmit 17 1, do të thotë që ka një rëndësi të madhe ekonomike dhe Shqipëria ka shumë interes në këtë drejtim, sepse ajo çka i mungon dhe që duhet të intensifikohen janë pikërisht investimet e huaja. Shqipëria ka kapacitete për të pritur investime nga BE, ShBA, por dhe në kuadër të Mekanizmit 17 1, vetëm se fuqia absorbuese e ekonomisë shqiptare duhet rritur dhe për këtë përgjegjësi dhe detyrë ka qeveria shqiptare.
CMG: Ju, zoti Dokle jeni cilësuar si një nga deputetët veteranë të parlamentit shqiptar dhe një politikan karriere. Tashmë jeni tërhequr nga jeta politike dhe jeni publik për krijimtarinë tuaj publicistike dhe letrare, të botuar brenda dhe jashtë vendit, e cila ka nisur që në vitet 70-të të shekullit të kaluar. Me çfarë po merreni momentalisht dhe cilat janë planet tuaja të afërta krijuese?
Namik Dokle: Siç e theksuar dhe ju unë kam shkruar që në moshë të re, por u shkëputa për një farë kohe për arësye të angazhimeve politike, të cilat nuk mund t'i lija në mes, sepse letërsia dhe politika janë xheloze ndaj njera-tjetrës dhe duan që t'i kushtohesh ose njerës ose tjetrës. Planet dhe projektet e mia letrare pavarësisht se nuk kishin dalë mbi tavolinë, vlonin poshtë saj. Erdhi një moment që vendosa të shkëputem nga politika sepse mendova që kisha dhënë atë që mund të jepja në këtë fushë për t'ju rikthyer ëndrrës së vjetër. Megjithatë gjatë këtyre 3-4 vjetëve të shkëputjes sime nga politika dhe kam dalë në profesion të lirë, kam shkruar 3 romane, të cilat janë përkthyer në gjuhën boshnjake dhe janë botuar . Ndërkohë romani "Vajzat e mjegullës" pas botimit në Sarajevë, sapo është botuar në Turqi dhe është në proces redaktimi në Bullgari si dhe është përkthyer dhe pritet botimi i tij dhe në Spanjë. Botuesi i Shtëpisë Botuese shqiptare "Fan Noli", i cili ka marrëdhënie me shtëpi botuese kineze e ka paraqitur këtë roman si një projekt për botim në Kinë. Nëse kjo do të realizohet do të jetë shumë mirë sepse tregu kinez i librit është i madh.
Eda Merepeza