Dëfrim Methasani dhe Gazetarja e CMG-së Eda Merepeza

Gazetari i njohur sportiv Dëfrim Methasani e priti me gëzim bashkëbisedimin për mikrofonin e Radio Ejani. Ai shprehu dëshirën për të bashkëpunuar me gazetarë sportivë nga Kina, sepse sipas tij shkëmbimet sportive janë një vlerë e shtuar në miqësinë shqiptaro-kineze.

CMG: Në këtë vit jubilar të 70 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Kinës, si i vlerësoni shkëmbimet sportive dypalëshe gjatë kësaj periudhe ?

Dëfrim Methasani: 70 vite është një shifër për t'u respektuar e kësaj marrëdhënie miqësore, por mbi të gjitha edhe përsa i përket bashkëpunimit në fushën e sportit. Mendoj se kulmin e këtij bashkëpunimi e ka shënuar ajo kohë kur Kina për ne ishte kryefjalë. I referohem viteve 70-të të shekullit të kaluar kur shkëmbimet jo vetëm në fushën e industrisë, por dhe të sportit njohën kulme të reja. Kujtoj se në atë periudhë në Shqipëri vërshuan jo vetëm inxhinierët dhe teknikët duarartë të Kinës nëpër hidrocentrale dhe vepra të mëdha, por erdhën edhe kampionë të sporteve. Dua të theksoj këtu kampionin kinez të kërcimit së larti, që vizitoi në vitet 70-të Shqipërinë dhe ky ishte një lajm i rëndësishëm. Gjithashtu vendin tonë e kanë vizituar kampionë kinezë të ping-pongut, apo volejbollit, që sollën rijësi jo vetëm në shkëmbimet profesionale, por ndihmuan shumë dhe me bazë materiale. Në atë periudhë ishin rijësi dhe uniformat sportive, si dhe materiale të tjera sportive për të gjitha ekipet, që prodhoheshin në Kinë.

Bashkëpunimi vazhdoi reciprokisht sepse dhe Shqipëria në fushën e sportit kishte profesionistë. Këta ndihmuan futbollin kinez, që në atë periudhë nuk ishte i zhvilluar, siç ishte atletika, ping pongu, volejbolli etj ku Kina ka patur sportistë të niveleve botërore.

Dëfrim Methasani

CMG: Ndalemi në shekullin e kaluar dhe shkëmbimet sportive të asaj periudhe. Si e shihni këtë bashkëpunim?

Dëfrim Methasani: Kulmi i bashkëpunimit u shënua me vajtjen në vitin 1969-1970 në Kinë të Loro Boriçit, që ishte trajneri i ekipit tonë kombëtar të futbollit. Ai qëndroi 2 vjet në Kinë dhe krijoi përfaqësuesen kineze të futbollit. Në atë kohë ekipi kinez i futbollit erdhi në Shqipëri dhe zhvilloi një ndeshje miqësore me skuadrën tonë. Ndërkohë dhe ekipet shqiptare të volejbollit apo sporteve të tjera vizituan në atë periudhë Kinën.

Dëfrim Methasani dhe Lorik Cana

CMG: Gjatë 20 viteve të fundit shumë futbollistë shqiptarë janë aktivizuar në ekipet e futbollit të vendeve të ndryshme të botës. Disa prej tyre dhe në Kinë. Ju si ekspert i sportit, si e vlerësoni aktivizimin e futbollistëve shqiptarë në ekipet kineze?

Dëfrim Methasani: Kina edhe sot nuk ka arritur nivele të larta të futbollit, pavarësisht se ka ecur mjaft krahasuar me të kaluarën. Ndoshta për shkak të distancës gjeografike sportistët shqiptarë mund ta kenë patur pak të vështirë të jenë të shumtë në ekipet kineze, por gjithësesi ka patur. Madje dy nga futbollistët e ekipit tonë përfaqësues të futbollit kanë luajtuj në Kinë. Bëhet fjalë për Nevil Deden dhe Hamdi Salihin të cilët kanë treguar vlerat e tyre në futboll dhe janë pritur mjaft mirë në Kinë. Dihet që kinezët e ruajnë dashurinë për Shqipërinë . ndaj dhe Salihi dhe Dedja më kanë treguar se janë pritur mjaft mirë në Kinë dhe kanë kaluar një përvojë interesante të jetës së tyre.

Dëfrim Methasani dhe Cristiano Ronaldo

CMG: Ju keni një përvojë të gjatë në gazetarinë sportive. A besoni se ka mundësi të shtimit të bashkëpunimit në fushën e sporteve midis dy vendeve, duke iu referuar dhe blerjeve të klubeve të mëdha të futbollit nga sipërmarrësit kinezë ?

Dëfrim Methasani: Mundësitë e bashkëpunimit janë shumë të mëdha. Për ne Kina është një partner i sigurt në çdo fushë, por edhe në sport. Por në Shqipëri përbën një pengesë ligji për sportet , sepse kushdo që merret me financimin për klubet sportive nuk ka shumë interes. Ka qenë një ligj që presupozonte 4% të tatim-fitimit, ndaj dhe biznesi nuk ka patur interes të investonte në këtë drejtim. Ndërkaq me ligjin e ri që po hartohet dhe pritet të miratohet në shtator do të ketë shumë lehtësira sa i takon angazhimit të biznesit dhe plotësimit të detyrimeve t tyre ndaj shtetit. Pra kjo përvojë interesante që mund t'i shërbejë dhe sipërmarrësve kinezë në fushën e sportit. Shqipëria ka shumë nevojë për mbështetjen e Kinës jo vetëm në fushën ekonomike, por dhe në sporte. Ligji i ri për sportet do ta ndihmonte shumë këtë marrëdhënie dhe do të shërbente si një urë e re komunikimi midis Shqipërisë dhe Kinës.

Radio juaj quhet "Ejani" dhe unë u them "Ejani !" kolegëve gazetarë nga Kina që të shkëmbejmë eksperiencat për zhvillimin e sporteve , por të mirëpritur janë dhe biznesmenët kinezë për të mbështetur klubet tona, të cilat në të ardhmen mund të bëjnë emër në Europë dhe botë . (Eda Merepeza)