Sezoni turistik 2019 tashmë ka nisur në Shqipëri. Në media sheh oferta për turizmin detar, malor, por dhe për aventura në kanione e turizëm kulturor. Rovena Moçka, drejtore e Drejtorisë për Zhvillimin e Turizmit pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit flet për të rejat dhe objektivat e këtij sezoni.
CMG: Temperaturat e larta verore shoqërojnë nisjen e sezonit turistik. Nga të dhënat zyrtare rezultonn se numri i turistëve kinezë në Shqipëri gjatë vitit 2018 krahasuar me vitin pararendës është rritur 65%. Për këtë ka ndikuar dhe heqja e vizave për turistët kinezë, që vizitojnë Shqipërinë gjatë muajve të verës.
Si janë prithmëritë për sezonin turistik 2019?
Rovena Moçka: Sigurisht që pritshmëritë tona janë më të mëdha, krahasuar me vitin 2018. Vitin e kaluar është shënuar një rritje prej 20% të turistëve të huaj në Shqipëri dhe rrjedhimisht kjo lidhet me masat e marra,por dhe me heqjen e vizave me një sërë vendesh, sidomos me tregjet e largëta. Përveç heqjes së vizave në sezonin turistik për vizitorët nga Kina është zgjatur dhe koha e qëndrimit në Shqipëri për shkaqe turistike. Konkretisht turistët kinezë mund të qëndrojnë 10 muaj në vit mund të vizitojnë Shqipërinë, falë marrëveshjes dypalëshe dhe bëhet fjalë për periudhën turistike nga marsi në tetor.
CMG: Cfarë i tërheq më shumë turistët kinezë në Shqipëri ?
Rovena Moçka: Vendin e parë e zenë turistët nostalgjikë, që përbëhet nga shtetasit kinezë të cilët kujtojnë me nostalgji marrëdhëniet tradicionale midis dy vendeve tona gjatë shekullit të kaluar. Këta vizitorë janë të interesuar më shumë për turizmin historik dhe kulturor. Kjo sepse gjejnë një lloj lidhjeje historike mes vendeve tona.
Rijësia është se tashmë se qysh nga viti i kaluar turistët nga Kina kanë qenë në moshë të re dhe duan të njohin Shqipërinë bregdetare, të siteve arkeologjike dhe të natyrës. Turistët kinezë kërkojnë pikërisht këto elemente të veçanta të turizmit shqiptar. Eshtë me rëndësi të madhe që Shqipërinë po e vizitojnë dhe turistë me moshë të re nga Kina.
CMG: Sivjet shënohet 70 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Kinës. Në mars ambasadori i Kinës Zhou Ding u takua me ministrin shqiptar të turizmit dhe mjedisit Blendi Klosi, ku shprehu gatishmërinë për gjetjen e sa më shumë elementeve për promovimin e turizmit në Shqipëri. Ndërsa ministri Klosi nënvizoi nxitjen e krijimit të paketave turistike të rajonit të Ballkanit Perëndimor, për tërheqjen e sa më shumë turistëvë kinezë. Cfarë është bërë në këtë drejtim?
Rovena Moçka: Sapo është lançuar një projekt rajonal për krijimin e ofertave turistike të përbashkëta. Bëhet fjalë për një thirrje për mbështetje financiare për të gjithë tur operatorët dhe organizatat, që janë promotore dhe krijuese të guidave të përbashkëta. Këto do të mbështeten nga Organizata për Bashkëpunim Rajonal që të mund të konkretizohen këto paketa turistike, që përfshijnë të gjithë rajonin tonë dhe i dedikohen kryesisht tregjeve të treta.
Ka ardhur momenti të kuptojmë që Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi janë shtete të vogla që të depërtojnë në tregje të largëta. Të gjitha shtetet tashmë e kanë kuptuar, ashtu edhe sipërmarrja private që për të tërhequr turistë nga kontinente të tjera përtej Evropës duhet t'u ofrojmë paketa rajonale . Kështu një turist nga Kina, Japonia, Australia, Kanadaja apo ShBA të mund të vizitojë Ballkanin Perëndimor . Vetëm në këtë mënyrë kemi mundësi që këtë pjesë të Evropës t'ja tregojmë bashkërisht turistëve që bëjnë mbi 10 orë fluturime vende të ndryshme, kultura, gjuhë e histori të ndryshme. Sepse vendet e rajonit tonë janë sa të ngjashëm aq edhe të ndryshëm.
CMG: Cilat janë rijësitë e sezonit të ri turistik veror 2019 ?
Rovena Moçka: Veprimtaria e Ministrisë sonë bazohet në dy komponente. Bëhet fjalë për pragun e sezonit turistik dhe gjatë tij. Së pari, punohet për menaxhimin e listës së masave të marra dhe monitorimin e zbatimit të Ligjit për sipërmarrjen turistike private, për basjkitë, pushtetin vendor dhe të gjithë ata që merren me këtë biznes. Kjo është një punë e jashtëzakonëshme që kërkon drafte ligjore, por kërkon dhe masa më të ashpra, monitorim në terren si dhe koordinim me institucione të tjera.
Së dyti, bëhet fjalë për aktivitetet promovuese. Rijësia është se tashmë kemi dalë nga turizmi i detit, sepse për më shumë se 20 vjet Shqipëria njihej vetëm si një vend mesdhetar, që ofronte det. Tashmë nuk është vetëm ky imazh për Shqipërinë, por promovohen destinacione të reja turistike përmes masterplaneve, ndërhyrjeve infrastrukturore më se të domosdoshme si dhe përmes disa prej eventeve shumë të rëndësishme . Dua të përmend këtu festat lokale që po nxjerrin çdo ditë e më shumë në dritë disa destinacione të reja turistike. Shqipëria është e mbushur me destinacione turistike, madje disa prej tyre janë bërë më të aksesueshme, si dhe është rritur argëtimi në to. Këto destinacione të reja turistike po shijohen gjithnjë e më shumë dhe nga shtetasit shqiptarë. Komunitetet po organizohen edhe vetë për t'ju ofruar turistëve festa lokale që u japin atyre njohjen më të mirë të traditës dhe kulturës së zonës.