CMG: Në vitin 2015 u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit për përkthimin dhe botimin e veprave letrare midis Administratës Shtetërore të Shtypit, Botimit, Radios, Filmit dhe Televizionit të Republikës Popullore të Kinës dhe Shoqatës së Botuesve Shqiptarë.
Momentalisht ku ka arritur kjo marrëveshje ?
Petrit Ymeri: Ky ka qenë një moment shumë i rëndësishëm për shkëmbimet letrare dhe kulturore mes Shqipërisë dhe Kinës për të njohur lexuesit shqiptarë me autorë të njohur të letërsisë, historisë e filozofisë dhe mendimit të popullit kinez për të cilat ka patur një informacion të kufizuar në Shqipëri. Eshtë një gjë shumë e mirë që ne në këto vite po punojmë sëbashku, po mbushim një boshllëk dhe po ndihmojmë lexuesin me njohjen e këtyre veprave shumë të rëndësishme të kulturës botërore.
CMG: Siç e thatë dhe ju lexuesi shqiptar i ka më të prekshme veprat nga letërsia, historia apo filozofia kineze. Përsa i përket bashkëpunimit në këtë fushë bëhet fjalë për 50 tituj, nga 25 për secilën palë, që duhet të përkthehen deri në vitin 2020.
A është në rrugë të mbarë ecuria e këtij projekti?
Petrit Ymeri: Bashkëpunimi bazohet në punën e tre shtëpive botuese shqiptare të cilat janë "Onufri", "Dituria" dhe "Ombra GVG", por njëkohësisht janë përfshirë dhe shtëpi të tjera botuese siç është "Fan Noli" etj. Në themel të punës sonë kemi pasur bashkëpunimin me Shtëpinë Botuese të Librit të Huaj në Pekin, e cila është organizatore kryesore e këtij projekti . Ne kemi botuar libra të rëndësishëm ndër të cilët mund të përmend "Historia e Kinës" dhe "Kultura Tradicionale Kineze" nga Zhang Qizhi, "Globalizimi dhe vetëdija kulturore" nga Fei Xiaotong. Këto libra janë pritur shumë mirë nga lexuesi ynë dhe ato jo vetëm mbushin një boshllëk , por shtojnë kërshërinë e vëmendjen e lexuesit e sidomos të rinisë për këtë letërsi, kulturë e filozofi e mendim që vjen nga lashtësia, por dhe nga ditët tona.
Para disa kohësh edhe në bashkëpunim me një tjetër shtëpi botuese në Pekin, "Dolphin Books" kemi botuar librin e ilustruar kushtuar taoizmit me titull "Mos bëj asgjë, Bëj gjithçka" nga Zhao Qiguang . Po me këtë shtëpi botuese pekinase kemi botuar 4 libra kushtuar 4 stinëve të vitit. Këto janë libra që pasqyrojnë mendimin kinez për fëmijët. Kjo temë është trajtuar shumë bukur dhe janë libra me ilustrime e vargje, që janë pritur me interes nga lexuesit e vegjël.
Tashmë kemi nisur një bashkëpunim shumë të mirë me Shtëpinë Botuese të Librit të Huaj në Pekin dhe sapo kemi marrë këto ditë kontratën për botimin e dy vëllimeve me tregime të autorit të njohur kinez Lu Xin, që do të botohen këtë vit dhe vitin e ardhshëm . Gjithashtu kemi nisur punën për përkthimin e një prej kryeveprave të letërsisë kineze, pjesë e fondit tëartë të kulturës botërore "Endërr në Pallatin e Kuq", që po përkthehet nga Diana Culi dhe Venera Domi, dy përkthyese shumë të njohura dhe të vlerësuara dhe libri do të botohet në vitin 2020. Pra jemi në një periudhë shumë të mirë bashkëpunimi jo vetëm për të përmbushur objektivat e projektit, por për të arritur synimin kryesor për ne si botues, që t'i japim sa më shumë libra të mirë lexuesit shqiptar nga letërsia dhe kultura kineze.
CMG: Ngjarja më e re e tregut shqiptar të librit është Panairi i Librit i Prishtinës. Si do të prezantohet Shtëpia Botuese "Dituria" në këtë panair ?
Petrit Ymeri: Ky është një panair i rëndësishëm për botën shqiptare të librit, ashtu siç është dhe panairi i Tiranës, që zhvillohet në nëntor. Shtëpitë Botuese nga Shqipëria marrin pjesë në këtë panair që zgjat 4-5 ditë e ku paraqesim të gjitha botimet tona të reja, por edhe të mëparëshme. Këto janë ditë plot aktivitete, me takime me lexues , por dhe me të rinj apo fëmijë që janë të interesuar për letërsinë e botuar prej nesh.
CMG: Ju keni vizituar disa herë Kinën. Cilat janë mbresat tuaja nga këto vizita por dhe nga takimet me kolegët kinezë?
Petrit Ymeri: E kam vizituar dy herë Kinën. Hera e parë ka qenë befasuese dhe kjo vizitë ndodhi në vitin 2004, ndërsa vizita e dytë ka qenë para 3 vjetësh si pjesmarrës në Panairin e Librit të Pekinit. Konstatova me kënaqësi se nga njera vizitë në tjetrën në Kinë kishin ndodhur ndryshime shumë të mëdha, një botë e madhe që lëviz dhe zhvillohet dhe që ka një vemendje të dukshme në këtë vend jo vetëm për industrinë, apo zhvillimet e mëdha por njëkohësisht edhe për kulturën dhe letërsinë. Kjo është shumë e rëndësishme. Unë si botues dhe njeri i librit e vlerësoj shumë vemendjen që tregohet në Kinë në këtë pikpamje.
Eda Merepeza