50 vjet më parë Radio e Jashtme e Kinës nisi transmetimet e saj në valë të shkurtëra dhe në gjuhën shqipe. Qysh në emisionet e para kjo radio rrëmbeu zemrën e dëgjuesit shqiptar Daut Kryemadhi, atëkohë ushtarak. Duke u zhvendosur në mjediset e shtëpisë së tij në kryeqytetin shqiptar, për ta ndjekur sa më qartë valën e Radios së Jashtme të Kinës, Dauti u lidh përjetësisht me programet e saj.
Tashmë në pension Daut Kryemadhi rrëfen për Radio Ejani lidhjen e tij magjike me këtë radio ndërkombëtare, stafin e saj ndër vite, takimet, vizitën në Kinë, klubin e dëgjuesve shqiptarë, por dhe se si e gjithë familja e tij e madhe e ndjek atë.
Daut Kryemadhi
CMG: Zoti Daut, kur keni nisur të ndiqni emisionet e Radios së Jashtme të Kinës, sot Radio Ejani?
Daut Kryemadhi: Kam nisur të ndjek emisionet në shqip të Radios së Jashtme të Kinës, që kur startuan ato, më 5 qershor 1969. I ndoqa fare rastësisht, sepse nuk e dija që kjo radio do të niste transmetimet në gjuhën shqipe. Si një amator i programeve të radios, rastisi që në këtë orë dhe vala të takoja programin në shqip të Radios së Jashtme të Kinës. Ndonëse me vështirësi teknike e dëgjova dëri në fund programin e saj. Më pas kureshtja u shtua dhe unë prisja orën për të dëgjuar emisionet e kësaj radioje.
CMG: Me çfarë sinjali i keni ndjekur emisionet e para në gjuhën shqipe të RKJ?
Daut Kryemadhi: Në fillimet e saj kjo radio transmetonte vetëm 30 minuta program në valë të shkurtëra dhe këtë e përsëriste në vahdim dhe me 30 minuta të tjera. Kjo kishte dhe anën pozitive, sepse ato fjali që i dëgjoja me ndërprerje gjatë transmetimit të parë i plotësoja në ritransmetim. Për ta dëgjuar sa më mirë zërin e radios shëtisja në çdo cep të shtëpisë, madje me radio në dorë dilja dhe në ballkon.
Në çdo program redaksia i kërkonte dëgjuesve të jepnin mendimet e tyre apo sugjerimet për përmirësimin e cilësisë.
CMG: Si ju lindi ideja për t'i shkruar letër redaksisë së Radios?
Daut Kryemadhi: Në fillim hezitoja, por më pas i dërgova një letër redaksisë, e cila u mirëprit prej tyre dhe sugjerimet e mia u vlerësuan. Madje më kërkuan që të vazhdoja letërkëmbimin me ta dhe më inkurajuan për një bashkëpunim të pandërprerë. Një respekt të veçantë ruaj për gazetarët e parë të kësaj radioje, si Zhan, Du, Daming, Zhai, Pina dhe të më falin ata që mund t'i kem harruar.
CMG: Cilat ishin emisionet që ju ndiqni aktualisht, por dhe ato që ju kanë pëlqyer më shumë ndër vite?
Daut Kryemadhi: Korrektësia, dashamirësia dhe inkurajimi i tyre bëri që të filloja një bashkëpunim e komunikim të vazhdueshëm me redaksinë e gjuhës shqipe. Nga kjo redaksi filluan dhe konkurse të vogla e të thjeshta, kryesisht mbi bazën e programeve që transmetoheshin. I interesuar për të mësuar më shumë për Kinën, jo vetëm dëgjoja rregullisht programet e radios,por merrja pjesë në të gjitha konkurset e organizuara. Fituesit e konkurseve shpërbleheshin me dhurata të ndryshme.
CMG: A kanë patur ndikim programet e Radios Ejani në jetën tuaj, në formimin tuaj kulturor?
Daut Kryemadhi: Po, patjetër. Me kalimin e kohës programet u përmirësuan humë dhe po ashtu cilësia e transmetimit të tyre.
Degjues të Radio Ejani
CMG: Ju, zoti Kryemadhi jeni drejtues i Klubit të Dëgjuesve Shqiptarë të Radio Ejani. Ju keni organizuar disa aktivitete në Tiranë. Cili nga këto aktivitete ju ka lënë më shumë mbresa?
Daut Kryemadhi: Unë jam një tip që dua të mësoj nga çdo mundësi që më jepet. Duke qenë nje ndjekës i rregullt i emisioneve të kësaj radioje, ndjehesha shumë mirë. Krijova bindjen se kjo radio karakterizohet nga disa parime kryesore. Sipas meje, kjo radio pasqyron drejt realitetin objektiv, thotë gjithmonë të vërtetën dhe pasqyron politikën paqësore të Kinës ndaj vendeve të tjera. Kjo ishte dhe arësyeja që unë e gjeja veten në programet e kësaj radioje, sepse i përshtatet karakterit tim realist.
Lidhur me veprimtaritë, kujtoj se më 26 nëntor 2004 në mjediset e Radiotelevizionit Shqiptar në Tiranë, u organizua një takim ku mora pjesë bashkë me gruan time, Shpresa dhe vajzën Albina. Nga redaksia e shqipes e radios morën pjesë shefja e atëhershme Daming, dhe gazetarët Wang Lei dhe Fani. Para të pranishmëve recitova disa vargje që ja kushtoja punës së madhe të redaksisë dhe bashkëpunimit të saj me dëgjuesit. Nga ana e redaksisë u ndanë dhe disa dhurata për dëgjuesit e rregullt shqiptarë. Të nesërmen, gazetarët kinezë më nderuan me një vizitë në shtëpinë time, ku u përshëndetën dhe nga mbesa ime 3 vjeçare në atë kohë me një poezi.
CMG: Si kryetar i Klubit të Dëgjuesve mendoni se është rritur numri i tyre ?
Daut Kryemadhi: Pas këtij takimi në një nga letërkëmbimet me redaksinë ata më pyetën nëse mund të organizoheshim ne dëgjuesit e rregullt të programit shqip të Radios së Jashtme të Kinës. Me personat që njihja organizuam një takim ku morën pjesë rreth 30 vetë, të cilët më zgjidhën mua si kryetar të Klubit të Dëgjuesve, meqë isha dhe nismëtar i mbledhjes së grupit. Nga intervistat që kisha dhënë për radion isha bërë i njohur për një rreth dëgjuesish. Madje disa prej tyre më shkruanin letra. Kujtoj se nga Italia më shkruante një mësuese me emrin Fatbardha Seferi, e cila më vlerësoi për nismën që kisha marrë. Po ashtu dhe një djalë nga Kosova me emrin Dukagjin më kishte shkruar duke më falenderuar për krijimin e Klubit të Dëgjuesve të Radios së Jashtme të Kinës, seksioni shqip.
Në redaksinë e shqipes isha i njohur nga i gjithë stafi i saj. Në takimin e parë që organizuam me dëgjuesit shtruam detyrën që zëri i Radios së Jashtme të Kinës në shqip të futet në sa më shumë familje shqiptare. Tashmë kushtet ishin përmirësuar mjaft, sepse transmetimi bëhej me valë të mesme dhe dëgjohej shumë mirë. Kaluan vite dhe në sajë të një pune me përkushtim, Klubi i Dëgjuesve u rrit në numër dhe aktualisht numëron mbi 300 anëtarë. Ne kemi bërë takime në ndërim të të gjithë përvjetorëve të Radios së Jashtme të Kinës si dhe të programit të saj në shqip. Në shumicën e takimeve na kanë nderuar me pjesmarrjen e tyre gazetarë nga redaksia e shqipes. Mbresë të veçantë na ka lënë takimi më 22 dhjetor 2011 që u organizua në Pezë me një pjesmarrje mbi 250 vetë, ku ishte i pranishëm dhe ambasadori i atëhershëm i Kinës në Shqipëri. Në fjalën e tij zoti ambasador e vlerësoi punën tonë dhe na nxiti për të ardhmen.
Diploma nga Radio
CMG: Ju zoti Daut keni vizituar Kinën, si fitues i njerit prej konkurseve për dëgjuesit e Radios së Jashtme të Kinës. Si e kujtoni këtë vizitë? A mund të na veçoni disa nga gazetarët e kësaj radioje në shqip, që ju i vlerësoni?
Daut Kryemadhi: Si pjesmarrës i rregullt i të gjitha konkurseve të shpallura nga redaksia e shqipes, në vitin 2010 unë u vlerësova me çmimin e posaçëm dhe u ftova për një vizitë 10 ditore në Kinë, nga 31 gushti deri më 12 tetor. Përshtypjet e mia nga kjo vizitë janë të jashtëzakonëshme. U befasova nga mikpritja, kudo që shkova si dhe nga dashuria dhe respekti i kinezëve për ne shqiptarët. Kam shumë foto me njerëz të ndryshëm, madje disa prej tyre kishin parë filma shqiptarë dhe u pëlqente filmi "Ngadhnjim mbi vdekjen". Rregulli, pastërtia dhe korrektesa që pashë kudo në Kinë janë model inga duhet të mësojë e gjithë bota. Duke qenë një nga dëgjuesit e parë dhe i rregullt i kësaj radioje kam njohur pothuajse të gjithë stafin e kësaj redaksie ndër vite. Në këtë 50 vjetor një përshëndetje të veçantë kam për të gjithë punonjësit shqiptarë, që kanë kontribuar pranë kësaj redaksie si Kristaq Teneqexhi me bashkëshorten, Rudi Stringa, Artan Goga, Albana Aliaj, Eda Merepeza dhe të tjerë. Nga stafi i redaksisë nuk dua të veçoj asnjerin sepse janë të shkëlqyer të gjithë. Kanë transmetuar me gjithë shpirt për ne dëgjuesit shqiptarë folësit kinezë të Radios si Zhan, Pina, Daming, Zhai, Duni e më pas Vera, Shpresa, Fani, Zana, Zamiri, Donika, Jeta, Zanusha, Besa, Agroni, Skënderi, Agimi e të tjerë. Janë të mrekullueshëm të gjithë!
CMG: Në prag të 50 vjetorit të redaksisë shqipe të Radios së Jashtme të Kinës cili është mesazhi juaj ?
Daut Kryemadhi: Në këtë 50 vjetor ndjehemi krenarë që për asnjë çast nuk u shkëputëm nga dëgjimi i kësaj radioje. E kemi ndjekur në kushte të vështira, kurse sot ajo ndiqet mjaft thjesht si në FM, por edhe në internet. Do të punojmë pa u lodhur për të plotësuar detyrën e caktuar që në krijimin e Klubit të Dëgjuesve , që kjo radio të hyjë në çdo familje shqiptare. Urimi im në këtë 50 vjetor: Jetë sa më të gjatë dhe suksese në punën e saj fisnike. Vazhdimësia e saj është e garantuar për zgjerimin e numrit të dëgjuesve. Nisur edhe nga përbërja e anëtarëve të klubit tonë që përfaqësojnë tre breza, një shembull është dhe familja ime. Unë, djali dhe mbesa jemi dëgjues të rregullt, por dhe e gjithë familja jonë . Urime me gjithë zemër!
Kastriot Kryemadhi
Kastriot Kryemadhi, djali i zotit Daut është një dëgjues i rregullt i Radio Ejani. I ngarkuar me punë në fushën e transportit ndërkombëtar, ai thotë se e ndjek programin e radios nga makina dhe vlerëson programet e saj.
CMG: Si e kujtoni kohën kur babai juaj, Daut Kryemadhi ndiqte programin shqip të Radios së Jashtme të Kinës?
Kastriot Kryemadhi: Unë në fakt, nuk kisha lindur ende kur babai im ndiqte programin shqip të kësaj radioje. Kujtoj kur isha i vogël, ende pa hyrë në shkollë, kur babai na kërkonte të mbanim qetësi dhe lëvizte nëëpr shtëpi me radio në dorë, duke ndjekur programin. Duke u rritur e kuptova se im atë i ndiqte me vemendje të veçantë emisionet e kësaj radioje.
CMG: Si e vlerësoni ju pasionin e babait për programin shqip të Radios së Jashtme të Kinës?
Kastriot Kryemadhi: Në fillim isha kureshtar për radion që ndiqte babai me kaq vemendje, por me kalimin e kohës fillova ta dëgjoj dhe unë. Kam takuar gazetarë kinezë të këtij programi që na kanë vizituar në shtëpi. Më bëri shumë përshtypje thjeshtësia e tyre por dhe respekti që tregonin për ne.
CMG: Radio Ejani aktualisht transmeton në FM. A keni ju rast ta ndiqni program e saj në makinë? Si i vlerësoni emisionet e saj dhe cilin do të veçoni?
Kastriot Kryemadhi: Im atë dikur e ndiqte me vështirësi radion, por tani ajo ndiqet lehtë në 106 FM. Për arësye pune unë lëviz shpesh në Itali por kur jam në Tiranë e ndjek në 106 FM dhe kur jam jashtë vendit e ndjek në celular. Më pëlqen shumë muzika e transmetuar nga Radio Ejani, por dhe tematikat e ndryshme të emisioneve të saj.
CMG: Qysh nga viti 2003 Radio Ejani ka uebsite-n në shqip, që mundëson ndjekjen e programeve në internet. E ndiqni ju këtë uebsite?
Kastriot Kryemadhi: Në kompjuter ulem rrallë, ndaj më shumë e ndjek në telefonin celular radion. Kurse vajza ime e ndjek në internet dhe në aplikacionin në celular.
CMG: Mendoni që pasioni i babait tuaj për radion tonë ka ndikuar që edhe ju ta ndiqni atë?
Kastriot Kryemadhi: Me siguri që po. Ai na ka nxitur ta ndjekim atë. Jam edukuar që të mbështetem tek e vërteta dhe në programet e kësaj radioje këte vlerësoj. Ndjehemi mirë si dëgjues të rregullt të radios suaj.
CMG: Emisionet në shqip të Radio Ejani kanë një përmbajtje të gjerë. Ju mendoni se si shqiptar këto emisione ju ndihmojnë për të njohur Kinën? A është rritur interesi juaj për kulturën kineze?
Kastriot Kryemadhi: Njeriu është kureshtar të njohë kultura të ndryshme. Për kulturën kineze, që është më e lashta në botë, besoj se gjithkush ka dëshirë të mësojë prej saj. Sot e gjithë bota i ka kthyer sytë nga zhvillimi i Kinës Kina është një shembull për të gjithë, ndaj duhet të mësojmë dhe ne shqiptarët.
CMG: Mesazhi juaj për 50 vjetorin e programit shqip të Radios së Jashtme të Kinës?
Kastriot Kryemadhi: Uroj që Radio Ejani të ngrejë sa më lart vlerat e saj. Vajza ime që 3 vjeç ka folur në mikrofonin e radios suaj dhe tani është gjimnaziste dhe vazhdon ta ndjekë atë. Urime, gjithmonë urime!
Fiona Kryemadhi
Fiona Kryemadhi është një 17 vjeçare tiranase, që studjon në gjimnazin "Ismail Qemali". Ajo ka shumë pasione si bashkëmoshatarët e saj, por një nga pasionet e trashëguara nga gjyshi dhe babai është dëgjimi i Radio Ejani.
CMG: Fiona, ti je një fanse e Radio Ejani në facebook. Cfarë mund të më thuash për këtë eksperiencë?
Fiona Kryemadhi: Më parë programin në shqip e ndiqja në radio, por tani është bërë më i lehtë dëgjimi i saj nëpërmjet uebsite-t dhe në facebook. Më pëlqen dhe e vlerësoj shumë sepse kam arritur ta njoh nga afër Kinën.
CMG: Fiona le të njihemi pak me ty!
Fiona Kryemadhi: Unë jam 17 vjeç dhe studjoj në gjimnazin "Ismail Qemali të Tiranës.
CMG: Sivjet ka nisur të funksionojë aplikacioni Radio Ejani në celular. E ke shkarkuar atë?
Fiona Kryemadhi: Po, e kam në celular dhe sa herë e ndjek kënaqem. Më pëlqejnë shumë temat që trajton dhe fotot me pamje nga Kina.
CMG: Po me shoqet ke patur rast ta ndash këtë eksperiencë?
Fiona Kryemadhi: Sigurisht. U kam folur shoqeve për Radio Ejani, por dhe programet e saj.
CMG: A kanë shfaqur ato interes?
Fiona Kryemadhi: Disa prej tyre kanë interes ta ndjekin.
CMG: Ti je mbesa e zotit Daut dhe këtë pasion për radion e ke trashëguar nga gjyshi dhe babai.Si e vlerëson pasionin e gjyshit dhe babait për radion tonë?
Fiona Kryemadhi: Unë jam brezi i tretë i familjes që ndjek Radio Ejani. E vleresoj shumë sepse ata më kanë rritur me ndjenjën e të ndjekurit të kësaj radioje. Kam mësuar shumë për Kinën dhe kulturën kineze.
CMG: Ti e ndjek më së shumti Radio Ejani në Fb. Do ta ndjekësh edhe në të ardhmen?
Fiona Kryemadhi: Qysh fare e vogël kam marrë pjesë në veprimtaritë e kësaj radioje dhe do të vazhdoj ta ndjek atë. Me kënaqësi. Kujtoj se në moshën 3 vjeçare gjyshi më mori në një veprimtari të dëgjuesve të Radios, ku recitova para të pranishmëve.
CMG: Në prag të 50 vjetorit të redaksisë shqip të RJK, cili është mesazhi yt?
Fiona Kryemadhi: Për këtë radio uroj vetëm suksese. Uroj që në përvjetorët e ardhshëm ta shohim në maja të larta!
Familja Kryemadhi nga Tirana ka 50 vjet e lidhur me Kinën, kulturën e saj të pasur, historinë, zhvillimin e pandërprerë, duke ndjekur Radio Ejani.
Eda Merepeza