Dashuria e tre breza dëgjuesish, përkushtimi i tre breza gazetarësh

Punonjësit e Redaksisë së Gjuhës Shqipe

Sot është 50-vjetori i nisjes së transmetimit të emisioneve në gjuhën shqipe të CRI-së, pjesë e Grupit Mediatik të Kinës. Në këtë ditë të veçantë, le të dëgjojmë historinë e lidhjeve miqësore, se si emisionet tona na kanë bashkuar me tre breza të familjes Kryemadhi.

Daut Kryemadhi

"Kam nisur të ndjek emisionet në shqip të Radios së Jashtme të Kinës (paraardhësi i Grupit Mediatik të Kinës), që kur startuan ato, më 6 qershor 1969. I ndoqa fare rastësisht, sepse nuk e dija që kjo radio do të niste transmetimet në gjuhën shqipe. Si një amator i programeve të radios, rastisi që në këtë orë dhe valë të takoja programin në shqip të Radios së Jashtme të Kinës. Ndonëse me vështirësi teknike e dëgjova dëri në fund programin e saj. Më pas kureshtja u shtua dhe unë prisja orën për të dëgjuar emisionet e kësaj radioje."

Zëri që sapo dëgjuat është i një zotërie 70-vjeçar z.Daut Kryemadhi, dëgjuesi i rregullt i emisionit tonë.

 Veteranët e parë shqipfolës në Redaksinë e Gjuhës Shqipe

Në orën 8.30 të mbrëmjes (sipas kohës së Pekinit) të 6 qershorit të vitit 1969, me propozimin e udhëheqësve të dy vendeve nisi zyrtarisht transmetimi i emisioneve në gjuhën shqipe të Radios së Pekinit (paraardhësi i Grupit Mediatik të Kinës).

Në atë kohë transmetoheshin lajme nga Kina e bota si dhe njoftime e informacione për shkëmbimet midis Kinës e Shqipërisë. Për transmetimin e emisioneve, punonjësit e redaksisë së gjuhës shqipe bënë shumë përpjekje. Ata mbajtën gjithashtu lidhje me dëgjuesit dhe ishin të interesuar të dinin dhe plotësonin kërkesat e tyre. Një nga veteranet e para shqipfolëse në Seksionin e Shqipes ishte zonja Drita Daming.

Drita Daming

Daming kujtoi: "Emisioni ynë transmetohej çdo ditë gjysmë orë dhe ripërsëritej në valë të shkurtra. Që nga ajo ditë e deri më sot transmetimet tona nuk u ndërprenë asnjë ditë! Emisioni ynë i përditshëm përfshinte lajme nga vendi e bota, sigurisht që kishte edhe shumë lajme mbi Shqipërinë dhe marrëdhëniet midis Kinës e Shqipërisë. Atë kohë marrëdhëniet midis dy vendeve ishin shumë të mira e të ngushta. Ne transmetonim shpesh lajme mbi miqësinë dhe shkëmbimet ekonomike, kulturore etj. midis dy popujve tanë. Krahas trasmetimit te lajmeve ne transmetonim edhe komente e rubrika të ndryshme me përmbajtje të pasur. Njëkohësisht ne mirëprisnim dhe reagimet e letrat e dëgjuesve shqiptarë për përmirësimin e emisioneve tona në gjuhën shqipe. Në atë kohë, në fillimet tona morëm disa letra nga dëgjuesit shqiptarë, edhe pse të pakta në numër ato ishin një inkurajim i madh për ne, shqipfolësit kinezë që transmetonim për Shqipërinë!"

I impresionuar nga emisionet, z. Kryemadhi vendosi të shkruante letrën e parë për redaksinë e gjuhës shqipe. Përmes kësaj letre ai shprehu urime dhe respekt për punonjësit e redaksisë.

"Në fillim hezitoja, por më pas i dërgova një letër redaksisë, e cila u mirëprit prej tyre dhe sugjerimet e mia u vlerësuan. Madje më kërkuan që të vazhdoja letërkëmbimin me ta dhe më inkurajuan për një bashkëpunim të pandërprerë. Një respekt të veçantë ruaj për gazetarët e parë të kësaj radioje, si Zhan, Du, Daming, Zhai, Pina dhe të më falin ata që mund t'i kem harruar."

Pina

Një tjetër veterane e seksionit të Gjuhës Shqipe është znj.Pina. Ajo edhe sot e kujton kohën kur mori për herë të parë letrën e Dautit.

"Ishte paradite kur na erdhi në zyrë një zarf i trashë nga Shqipëria. E hapëm menjëherë dhe e lexuam me një frymë. Me kujtohet si tani! Zoti Kryemadhi vlerësoi lart emisionet tona, duke thënë se ka shumë përmbajtje të pasura, muzika është e larmishme, spikerët flasin bukur shqip etj. Z.Kryemadhi na prazantoi edhe anëtarët e familjes së tij. Pasi lexuam letrën, të gjithë anëtarët e redaksisë sonë u prekën, u frymëzuan pa masë dhe ne kuptuam që emisionet tona në shqip dëgjohen rregullisht nga shumë miq shqiptarë. Kjo është një forcë shumë e madhe nxitëse për ne dhe jemi të vendosur të përmirësojmë më tej emisonet tona, me përmbajtje më të pasur dhe më tërheqëse, në mënyrë që nëpërmjet emisioneve te gjuhës shqipe, miqtë shqiptarë ta njohin më mirë dhe më drejt Kinën e sotme dhe të forcohet miqësia kino-shqiptare."

Kastrioti Kryemadhi

Për shkak se në atë kohë Radio e Jashtme përdorte valën e shkurtër për transmetim, ndonjëherë kanali nuk gjentej me lehtësi. Prandaj kur dëgjonte emisionin, z. Kryemadhi duhet të lëvizte nëpër shtëpi për të kapur valën dhe për ta dëgjuar më mirë emisionin. Këtë skenë e kujton shumë mirë edhe sot i biri i tij, Kastrioti.

"Unë në fakt, nuk kisha lindur ende kur babai im ndiqte programin shqip të kësaj radioje. Kujtoj kur isha i vogël, ende pa hyrë në shkollë, kur babai na kërkonte të mbanim qetësi dhe lëvizte nëëpr shtëpi me radio në dorë, duke ndjekur programin."

Prej asaj kohe tek ai lindi një lidhje e fortë me radion tonë. Sot, Kastrioti është 46 vjeç. Edhe ai, falë ndikimit të të atit, është bërë sot një dëgjues i rregullt dhe vazhdon lidhjen me emisionet e gjuhës shqipe.  

"Ai na ka nxitur ta ndjekim atë. Jam edukuar që të mbështetem tek e vërteta dhe në programet e kësaj radioje këte vlerësoj. Ndjehemi mirë si dëgjues të rregullt të radios suaj."

Tani Kastrioti nuk duhet të kërkojë valën e radios sepse në vitin 2003 ubesajti "CRI Shqip Online" u hap dhe nëpërmjet internetit ku dëgjuesit mund të dëgjojnë emisione apo të ndjekin informacione të tjera përfshi opinione, analiza dhe rubrika të ndryshme me temë si kultura, shëndeti, ekonomia, argëtimi.

Wang Lei po interviston 

Krijuesja e uebsajtit "CRI Shqip Online" Wang Lei u shpreh se me hapjen e uebsajtit u rrit numri i dëgjuesve dhe informacionet e përhapura ishin më të pasura. Me zhvillimin e teknologjisë, faqja elektronike u ndryshua në faqe H5, e përshtatshme për përdoruesit e celularit.

""CRI Shqip Online", nga një radio për dëgjuesit nga Shqipëria dhe Kosova është shndërruar sot në një platformë për shqipfolësit në mbarë globin. Me shtimin e numrit të dëgjuesve janë pasuruar edhe përmbajtjet e faqeve tona, sidomos në fushat ekonomike, kulturore, turistike etj.

Stafi i radios punon gjithashtu për ofrimin e disa shërbimeve posaçërisht për ata që dëshirojnë të vijnë në Kinë, përfshi programet për mësimin e gjuhës kineze, ndjekjen e studimeve në Kinë, linjat turistike në Pekin e në Kinë si dhe përditësime mbi pjesëmarrjen në Panairin e Guangzhout. E gjithë kjo ka bërë që dëgjuesit e radios të jenë gjithashtu edhe përdorues të uebsajtit tonë. Vitet e fundit, me zhvillimin e teknologjisë digjitale, sidomos të përdorimit në masë të pajisjeve të lëvizshme, kemi publikuar edhe faqen "H5" për celularët, që përdoruesit të gëzojnë shërbime nga Kina kudo dhe kurdo."

Kastrioti u tërhoq nga përmbajtjet e pasura të uebsajtit "CRI Shqip Online" dhe e sheh shpesh këtë uebsajt.

"Njeriu është kureshtar të njohë kultura të ndryshme. Për kulturën kineze, që është më e lashta në botë, besoj se gjithkush ka dëshirë të mësojë prej saj. Sot e gjithë bota i ka kthyer sytë nga zhvillimi i Kinës Kina është një shembull për të gjithë, ndaj duhet të mësojmë dhe ne shqiptarët."

Punonjësit e Redaksisë së Gjuhës Shqipe

Viti 2013 është viti i rëndësishëm në historinë e zhvillimit të emisionit të gjuhës shqipe të Grupit Mediatik të Kinës. Emisionet e gjuhës shqipe të prodhuara nga Kina nisën transmentimin në FM106 në Tiranë dhe Durrës. Emri i radios sonë quhet "Ejani" që shënoi hapin e parë të ndërtimit të platformës multimediale të palës kineze për Shqipërinë.

Qu Ning dhe një dëgjuese

Shefja e Redaksisë së Gjuhës Shqipe të Grupit Mediatik të Kinës Qu Ning tha:

"Nisja e transmetimit të emisioneve në FM është një pikënisje simbolike e epokës së medies së re. Që nga viti 2013 kur nisi transmetimi, e deri më sot, kanë kaluar gjashtë vjet. Gjatë kësaj periudhe, ne gjithmonë kemi ecur përpara me vendosmëri në një drejtim, i cili është krijimi i një platforme multimediale, me të cilën shqiptarët mund të njohin pamjen e Kinës nga këndvështrime të ndryshme, të njohin zhvillimin e Kinës, të ndiejnë miqësinë e Kinës. Gjatë kësaj periudhe i kemi paraqitur edhe publikut kinez gjithçka lidhur me Shqipërinë. Falë përpjekjeve dhe provave të pandërprera, ne kemi fituar njohjen e homologëve dhe të dëgjuesve tanë. Tani kemi mbi 1 milion ndjekës në "Facebook", kemi krijuar lidhje bashkëpunimi me shumë medie shqiptare dhe kemi bërë shumë intervista të rëndësishme. Mendoj se të gjitha këto janë vlerësime të çmuara për ne si dhe burimi i forcës nxitëse për të punuar më mirë dhe më shumë."

Familja Kryemadhi

Shumë dëgjues të vjetër u gëzuan kur morën vesh se emisionet do transmetohen edhe në FM. Kastrioti ishte një prej tyre. Gjatë kohës që nget makinën ai nuk mund të marrë informacione përmes kompjuterit apo telefonit. Por tani transmetimi i emisioneve në FM106 është një mënyrë shumë e përshtatshme për të. Një nga gjërat që ai pëlqen më shumë nga Radio "Ejani" është muzika.

"Im atë dikur e ndiqte me vështirësi radion, por tani ajo ndiqet lehtë në 106 FM. Për arësye pune unë lëviz shpesh në Itali por kur jam në Tiranë e ndjek në 106 FM dhe kur jam jashtë vendit e ndjek në celular. Më pëlqen shumë muzika e transmetuar nga Radio Ejani, por dhe tematikat e ndryshme të emisioneve të saj."

Emisionet e muzikës dhe edicionet e lajmeve janë pjesët më të rëndësishme. Për këtë na flet shefja e redaksisë znj.Qu Ning:

"Mund të themi që dy kartëvizitat më të mira janë muzika dhe informacioni. Muzika nga Kina, Shqipëria dhe vendet perëndimore është nyja më e ngushtë lidhëse midis nesh dhe dëgjuesve të rinj, ndërsa informacionet më të fundit nga Kina dhe bota janë pikëtakimi më i padiskutueshëm midis nesh dhe dëgjuesve. Me aplikacionin "Ejani", muzika e bukur do të ndodhet kudo rreth jush dhe informacionet më të fundit do t'ju shoqërojnë gjithmonë."

Fang Xiaoyu po interviston

Me zhvillimin e teknologjisë, rrjetet sociale u bënë një nga mënyrat më të rëndësishme të përhapjes së informacionit. Radio Ejani hapi faqen e saj në Facebook dhe tani ka mbi 1 milion ndjekës, duke u renditur ndër tre të parat për numrin e ndjekësve si media shqipe në Facebook. Përgjegjesja e faqes sonë të Facebook-ut Fang Xiaoyu tha:

"Faqja jona është një faqe zyrtare ku çdo ditë postohen informacione mbi politikën,kulturën, argëtimin etj., nga Kina dhe bota. Gjithashtu, ne postojmë video të shkurtra, intervista me zyrtarë dhe studiues shqiptar si dhe pamje mbi Kinën dhe jetën e kinezëve. Në faqen tonë na ndjekin shumë shqiptarë përfshi zyrtarë, studiues, dëgjues, po ashtu edhe faqe zyrtare shqiptare përfshi, ambasadën shqiptare në Pekin. Megjithatë, një pjesë të mirë të fansave tanë e zënë të rinjtë që kanë interes për kulturën kineze."

Fiona Kryemadhi

Vajza e Kastriot Kryemadhit është 17 vjeçe dhe quhet Fiona Kryemadhi. Edhe ajo është një fanse e faqjes së Radios Ejani në Facebook. Ashtu si të rinjtë e tjerë ajo ndjek postimet interesante të faqes dhe komenton shpesh. Fiona është brezi i tretë i familjes Kryemadhi.

"Unë jam brezi i tretë i familjes që ndjek Radio Ejani. E vlerësoj shumë sepse ata më kanë rritur me ndjenjën e të ndjekurit të kësaj radioje. Kujtoj se në moshën 3 vjeçare gjyshi më mori në një veprimtari të dëgjuesve të Radios, ku recitova para të pranishmëve. Qysh fare e vogël kam marrë pjesë në veprimtaritë e kësaj radioje dhe do të vazhdoj ta ndjek atë me kënaqësi."

Zhan Dian po interviston

Ajo shkarkoi aplikacionin Ejani në telefonin e saj. Përgjegjësja e këtij aplikacioni Zhan Dian tha:

""Ejani"është një aplikacion dygjuhësh (kinezisht dhe shqip) që duhet ta keni në celularin tuaj për t'u njohur me lajme dhe informacione të ndryshme. Përmes aplikacionit keni mundësi gjithashtu të ndiqni muzikë, video, komunikim me njëri-tjetrin dhe blerje. Në të ardhmen shpresojmë që më shumë të rinj do ta njohin Kinën dhe Shqipërinë përmes aplikacionit "Ejani" dhe të argëtohen së bashku."

"E kam në celular dhe sa herë e ndjek kënaqem. Më pëlqejnë shumë temat që trajton dhe fotot me pamje nga Kina. Do të vazhdoj ta ndjek atë me kënaqësi."

Gjatë 50 viteve, disa breza punonjësish mediatikë kinezë që mund të flasin gjuhën shqipe shfrytëzuan gjithë rininë e tyre për të shkruar faqen e miqësisë midis Kinës e Shqipërisë. Ata i tregojnë Shqipërinë Kinës dhe Kinës Shqipërinë. Në Shqipëri, familja e Kryemadhit me tre breza vazhdon lidhjen me shqipfolësit kinezë dhe Kinën. Miqtë e vjetër nuk janë larguar dhe miqtë e rinj po afrohen. Le ta mbyllim këtë emision me urimet e z.Kryemadhi.

"Unë, djali dhe mbesa jemi dëgjues të rregullt, por dhe e gjithë familja jonë. Urime me gjithë zemër!" (Çang Çuo)