Një shumicë njerëzish në mbarë botën e miratojnë qëndrimin e Kinës ndaj të drejtave të njeriut, me gjithë kritikat e vendeve perëndimore, sipas një sondazhi global të kryer bashkërisht nga Instituti i Studimit të Politikave i CGTN-it dhe Instituti Kinez i Opinionit Publik në Universitetin "Renmin" të Kinës.

Rreth 57 për qind e të pyeturve u pajtuan me deklaratën "Kina i trajton gjithmonë të drejtat e njeriut në mënyrë realiste e praktike. Të drejtat e njeriut nuk duhet të ndahen nga realitetet dhe fazat e zhvillimit të një vendi. Të drejtat për ekzistencë dhe zhvillim janë më themeloret", dhe 26 për qind janë plotësisht dakord.

Në sondazhin mbarëbotëror pati pjesëmarrës nga 22 vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Zelandën e Re, Japoninë, Indinë, Egjiptin dhe Nigerinë.

Rreth 6 për qind mbështetën idenë se bota do të zotërohej nga ShBA-ja ose Kina në të ardhmen, ndërsa 34 për qind, grupi më i madh, mendojnë se një botë shumëpolare është perspektiva më e mundshme.

Në lidhje me përdorimin si armë të të drejtave të njeriut nga vendet e zhvilluara, 55 për qind e të pyeturve u shprehën që besonin se kjo "vetëm do t'i pengonte njerëzit në vendet e tjera të kenë të drejta më të gjera për liri dhe ekzistencë".

Rreth 56 për qind e të pyeturve si nga ekonomitë e zhvilluara, ashtu edhe nga ato në zhvillim, thanë se arsyeja e vërtetë që politikanët perëndimorë promovojnë "kërcënimin nga Kina" është "stresi dhe ankthi" për rritjen e Kinës.

Koncepti kinez i "një bashkësie me një të ardhme të përbashkët", i cili e vë theksin te njerëzimi si një i tërë dhe kërkon një rrugë të reja për të shmangur kundërvënien, u mbështet nga 61 për qind e pjesëmarrësve në sondazh.

Të pyeturit nga vendet pjesëmarrëse në nismën e propozuar nga Kina "Një brez, një rrugë", ishin më shumë në një mendje me botëkuptimin e Kinës.

Ndër ndikimet që "Një brez, një rrugë" u ka sjellë vendeve të tyre, "ndarja e përfitimeve të zhvillimit" (53 për qind), "zgjerimi i tregut ndërkombëtar" (51 për qind), «forcimi i infrastrukturës bazë" (44 për qind) dhe "promovimi i shkëmbimeve kulturore" (43 për qind) ishin ato që u zgjodhën më së shumti.

Vetëm 8 për qind thanë që besonin se vendet e tyre ishin subjekt i "kurtheve të borxhit" të ngritura nga Kina.