Anija më e madhe e kontejnerëve në botë, e para e këtij lloji e prodhuar nga Kina, u dorëzua të mërkurën në qytetin bregdetar të Shangait.

Anija ka një kapacitet prej 24 000 kontejnerësh standardë dhe është projektuar nga Kompania e Ndërtimit të Anijeve “Hudong-Zhonghua”, një degë e Korporatës Shtetërore të Ndërtimit të Anijeve të Kinës, me të drejta plotësisht të pavarura të pronësisë intelektuale.

Anija është 399.99 metra e gjatë, mbi 60 metra më e gjatë se aeroplanmbajtësja më e madhe në botë, dhe 61.5 metra e gjerë. Ajo ka një sipërfaqe kuverte prej 24 000 metrash katrorë, e barabartë me 3.5 fusha futbolli.

Me një ndarje për mallrat 33.2 metra të thellë, anija mund të transportojë 240 000 tonë ngarkesë të paketuar në më shumë se 24 000 kontejnerë standardë në të njëjtën kohë, një rekord global.

Kontejnerët mund të stivohen në një lartësi maksimale të barabartë me një ndërtesë 22-katëshe.

Anija gjithashtu është e projektuar për të kursyer energjinë. Për ndërtimin e saj është zbatuar teknologjia më e fundit e optimizimit hidrodinamik, që i mundëson të mbajë ngarkesa të rënda me shpejtësi të lartë me konsum të ulët karburanti.(Artan/Fani)

Anija do të funksionojë në rrugën nga Lindja e Largët për në Evropë pasi të vihet në punë.