Foto nga VCG

Një tërmet i fuqishëm goditi të mërkurën Afganistanin lindor, duke shkaktuar qindra viktima dhe të plagosur. Deri pasditen e së mërkurës, numri i viktimave ishte afër një mijë, ndërsa qindra njerëz të tjerë po merrnin ndihmën e parë. Zëvendësministri i Shtetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Çështjeve Humanitare, Mawlawi Sharafuddin Muslim, tha se numri i viktimave mund të rritet pasi tërmeti shkatërroi shumë shtëpi në rajonin malor dhe shumë njerëz mbetën të bllokuar nën rrënoja, citon “Xinhua”.

Rrethi Gayan në provincën Paktika dhe Sapari i provincës fqinje Khost ishin zonat më të goditura. Ministria e Mbrojtjes dërgoi shtatë helikopterë me pajisje shpëtimi dhe personel mjekësor në zonë, ndërsa ekipet mjekësore dhe të shpëtimit ishin gjithashtu në terren në zonat e prekura.

Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Afgane dërgoi gjithashtu punëtorë shpëtimi, ekipe shëndetësore dhe vullnetarë për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti, shkroi agjencia në “Twitter”.

Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Afganistan dërgoi gjithashtu ekipe mjekësore për të ofruar ndihmë për njerëzit e prekur. (Elona)