Në shtator të vitit 2017, një “arterie e re” që kalon nëpër Kinën Perëndimore tërhoqi vëmendjen e botës. Ai është korridori i ri i tregtisë tokësore e detare ndërkombëtare Kinë-Singapor. Njëkohësisht, provinca e qytete në Kinën Jugperëndimore, duke përfshirë Chongqing-un, Guizhou-n etj., kanë realizuar ndërlidhjen me ASEAN-in nëpërmjet porteve bregdetare e pikave kufitare në Guangxi dhe ndërlidhjen me Azinë Qendrore dhe Europën nëpërmjet trenave të mallrave Kinë-Europë. Si rrjedhojë, është formuar një qark i plotë "Një brez, një rrugë". Deri tani, provincat në Kinën Perëndimore që përfshihen në korridorin e ri tokësor e detar kanë arritur në 14, nga katër në vitin 2017, ndërsa numri vjetor i trenave të mallrave është shtuar nga 178 në 6117, me një rritje vjetore 142 %.

Në prill të vitit 2017, presidenti kinez Xi Jinping inspektoi punën e ndërtimit të Portit të Informacionit Kinë-ASEAN. Në shtator të atij viti nisi ndërtimi i platformës së tregtisë digjitale Kinë-ASEAN. Deri tani kjo platformë përfshin 13 qytete, si Chongzuo, Dongxing, Baise etj., 16 qendra shërbimi portuale, nëntë banka dhe dy kompani pagesash, me një vëllim tregtar që i ka kaluar 100 miliardë juanët.

Krahas kësaj, Porti i Gjirit Beibu në Guangxi të Kinës Jugore po forcon pandërprerë nivelin e shërbimit dhe ka përmirësuar dukshëm efikasitetin e zhdoganimit dhe nivelin e administrimit. "Sot, numri i linjave të lundrimit të anijeve të kontejnerëve në Portin e Gjirit Beibu është shtuar në 67 dhe vëllimi i transportimit të kontejnerëve u rrit në 6 milionë e 10 mijë, duke ruajtur një rritje dyshifrore," tha zv.shefi i zyrës së administrimit të Zonës Ekonomike të Portit të Gjirit Beibu, Huang Wuhai. (Fani/Artan)