Të gjitha pjesët e Kinës dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore janë gjithnjë e më aktive.


Foto: VCG

Foto: VCG

Në gjysmën e parë të këtij viti vëllimi i import-eksportit të portit Ningbo drejt vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL) u rrit me 49.1 për qind

Në Sallën e Mallrave të Specialitetit të Vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore në Ningbo, produktet e EQL-së janë mjaft tërheqëse. Në Ningbo ka gjithnjë e më shumë ndërmarrje që po shfrytëzojnë mundësitë e mëdha të biznesit në tregtinë mes Kinës dhe këtyre vendeve.

Kompania Dijiaweida në Ningbo është një ndërmarrje që importon dhe shet ushqime, verë dhe produkte të tjera të nevojave të përditshme nga Polonia, Rumania, Bullgaria dhe vende të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore. Me hapjen e Ekspozitës së EQL-së në Ningbo, platforma për zhvillimin e ndërmarrjes është bërë edhe më e gjerë. Tani kompania ka hapur pavionin e Polonisë dhe Romanisë në Qendrën e Mallrave të Importit Ningbo. Si një platformë për shfaqjet kulturore dhe shitjet e produkteve të të dy vendeve, këto pavione ofrojnë për blerësit produkte qumështi dhe të nevojave të përditshme, kozmetikë etj., me një vëllim vjetor që e kalon shifrën 30 milion.

“Ningbo është platforma më aktive për bashkëpunim mes Kinës dhe Evropës Qendrore dhe Lindore. Pikërisht prej saj edhe kompania jonë ka përjetuar një proces rritjeje dhe forcimi. Në fillimet tona, kompania merrej kryesisht me importin e qumështit nga Polonia, rreth 30 tonë në vit. Por me njohjen më të madhe të produkteve bujqësore të vendeve të EQL-së nga tregu kinez, importi vjetor tashmë po rritet me dhjetëra herë.” – thotë Chen Yi, menaxher i përgjithshëm i kompanisë Dijiaweida.

“Qumështi ka një afat të kufizuar ruajtjeje dhe kohëzgjatja e zhdoganimit është shumë e rëndësishme. Prandaj Dogana ka marrë masa të veçanta për të lehtësuar zhdoganimin” - shpjegon Qian Xingchu, shefi i Seksionit të Parë të Biznesit Gjithëpërfshirës të Doganave Yinzhou, një nga degët e Dogana Ningbo.

Për të garantuar më mirë importin e mallrave nga Evropa Qendrore dhe Lindore dhe për të ndihmuar ndërmarrjet e tregtisë së jashtme për të zgjidhur vështirësitë, Dogana Ningbo ka prezantuar 20 masa të reja. Ato synojnë stabilitetin dhe ngritjen e cilësisë së tregtisë së jashtme, duke i dhënë më tepër shtysë Ningbo-s për të ndërtuar një zonë demonstrimi për bashkëpunimin ekonomiko-tregtar mes Kinës dhe vendeve të EQL-së, si dhe për të ndërtuar një “korridor të artë” import-eksporti me to.

Sipas statistikave nga Dogana Ningbo, në periudhën janar-qershor të 2022-it, vëllimi i importit dhe eksportit midis Portit Ningbo dhe vendeve të EQL-së ishte 48.05 miliardë juanë, 49.1 për qind më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Mes tyre, importet ishin 2.17 miliardë juanë (+56.3 për qind), ndërsa eksportet 45.88 miliardë (+48.8 për qind).


Foto: VCG

Foto: VCG

Niset për herë të parë treni mes Kinës e Evropës “Cang-Shi-Evropë”

Më 15 korrik treni Kinë-Evropë “Cang-Shi-Evropë”, i ndërtuar së bashku nga Zona e Bashkëpunimit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme Kinë-vendet e EQL-së (Cangzhou), Porti Ndërkombëtar Tokësor Shijiazhuang dhe Zona e Bashkëpunimit të Biznesit dhe Logjistikës Kinë-Evropë, i ra sirenës përuruese për të nisur rrugëtimin e tij plot me mallra nga Porti Ndërkombëtar Tokësor Shijiazhuang për në Stacionin Birk në Budapest, Hungari.

Ky është treni i parë i mallrave Kinë-Evropë i nisur bashkërisht nga Cangzhou dhe Shijiazhuang. Është një fillim i rëndësishëm për Zonën e bashkëpunimit dhe Portin Tokësor Ndërkombëtar Shijiazhuang për të promovuar bashkëpunimin strategjik, si pjesë e Zonës së Bashkëpunimit të Biznesit dhe Logjistikës Kinë-Evropë të Hungarisë. Ky tren ka gjithsej 50 makina dhe 100 TEU (kontejnerë), me një vlerë produktesh prej 22.2428 milionë juanë. Ai është i ngarkuar me module fotovoltaike, seksione të statorit të gjeneratorëve dhe mallra të tjera. Produktet e grumbulluara në Portin Ndërkombëtar Tokësor Shijiazhuang dërgohen përmes portit Erenhot, duke kaluar nëpër Mongoli, Rusi, Bjellorusi, Polonia e Çeki, për të mbërritur në stacionin hekurudhor të Budapestit, Birk. Mallrat mund të dorëzohen në destinacion për gati 18 ditë.


Foto: VCG

Foto: VCG

Burime të dobishme arsimore nga vendet e Evropës Qendrore e Lindore priten të vijnë në provincën Hainan

Sapo ka përfunduar në Sanya takimi i nëntë vjetor i Shoqatës së Dijetarëve të Kthyer Perëndimorë dhe Samiti i Portit të Tregtisë së Lirë Hainan për Inovacionin. Ky takim me temën “Bashkohemi me Portin e Tregtisë së Lirë për të ndarë të ardhmen e re të Hainan”, tërhoqi shumë pjesëmarrës. Hao Qiang, nënkryetare e Degës së Evropës Qendrore dhe Lindore të Shoqatës së Dijetarëve të Kthyer Perëndimor, e ndjeu etjen e talenteve në Hainan gjatë këtij udhëtimi. Gjatë inspektimit të Zonës Pilot të Inovacionit Ndërkombëtar të Arsimit Lingshui Li’an ajo prezantoi avantazhet e futjes së burimeve arsimore të Evropës Qendrore dhe Lindore në Hainan.

Sipas Hao Qiang politika e prezantimit të talenteve të provincës Hainan është shumë tërheqëse. “Përmes inspektimeve ndjeva thellësisht se talentet e të kthyerve nga jashtë vendit janë shumë të mirëpritur dhe se masat përkatëse, u japin më shumë përparësi atyre. Unë mendoj se tani është një mundësi e rrallë për studentët që kthehen në Kinë.” - shton Hao Qiang.

Zona Pilot e Inovacionit Ndërkombëtar të Arsimit Lingshui Li’an do të krijohet si një model i ri i hapjes dhe zhvillimit të arsimit, në kuadër të shkëmbimeve arsimore mes Kinës dhe vendeve të tjera. Me tregun e madh të arsimit të Kinës dhe ato të studentëve të vendeve përgjatë “Një brez, një rrugë” për një arsimimim të mirë, Zona Pilot përpiqet të përgatisë talentë për portin e tregtisë së lirë.

Hao Qiang tregon se është e angazhuar në aktivitete shkëmbimi arsimore dhe kulturore mes Kinës dhe Polonisë për më shumë se një dekadë. Shumë programe arsimore bashkëpunuese mes këtyre dy vendeve janë krijuar kryesisht me ndihmën e Degës së Evropës Qendrore dhe Lindore të Shoqatës së Dijetarëve të Kthyer Perëndimorë. “Dëshirojmë të ndihmojmë disa universitete të njohura në Poloni ose vendet e tjera të EQL-së që të vijnë në Hainan” - përfundon Hao Qiang. (Çang Çuo)