Pas anëtarësimit në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) 20 vjet më parë, Kina ka zgjeruar pandërprerë hapjen, duke treguar një listë të dalluar arritjesh tregtare. Anëtarësimi i Kinës në OBT ka sjellë ndryshime të thella dhe të gjera për vetë Kinën dhe mbarë botën.

Qysh nga ajo kohë, zinxhiri industrial është përmirësuar pandërprerë dhe tregtia globale ka pasur zhvillim mjaft të madh. Duke krijuar më shumë hapësirë për tregtinë globale dhe duke çliruar më shumë potencial për ekonominë botërore, edhe ekonomia kineze ka pasur ndryshime gjigante dhe “fuqia kineze” është bërë një energji e rëndësishme për rritjen e tregtisë botërore.

Në fakt, njerëzit në Kinë kanë shumë kujtime nga viti 2001, kur Kina u anëtarësua në OBT dhe fitoi të drejtën e zhvillimit të Olimpiadës së vitit 2008. “OBT” dhe “Olimpiadë” janë bërë kujtime të thella për kinezët nga ajo periudhë.

BBC-ja komentoi në artikullin e saj të 11 nëntorit “Anëtarësimi i Kinës në OBT: Ndryshime në Kinë dhe në botë” që anëtarësimi i Kinës në OBT ka sjellë ndryshime të thella për vetë Kinën dhe tërë botën. Me hyrjen e Kinës në familjen tregtare botërore, vendet e zhvilluara kanë pasur mundësi të ngrihen në pjesën e sipërme të zinxhirit global të vlerës dhe ekonomia kineze ka pasur një rast të mirë për zhvillim të vrullshëm.

Analisti i tregtisë globale në organizatën e shërbimeve këshillimore ekonomike “Economist Intelligence Unit” Nick Marro u shpreh që, pas hyrjes në OBT, Kina ka futur konkurrimin e tregut në fushat kyçe dhe ka përmirësuar strukturën industriale. Investimet nga jashtë kanë sjellë kapital dhe teknologji, duke nxitur punësimin dhe rritjen ekonomike. Këto kanë rritur të ardhurat fiskale të qeverisë dhe të ardhurat e familjeve të zakonshme, si dhe kanë ofruar përkrahje për risitë teknologjike. “Nga një këndvështrim global, anëtarësimi në OBT e ka integruar Kinën në mënyrë më të gjithanshme në ekonominë globale, duke krijuar vendin e rëndësishëm të Kinës në zinxhirin rajonal dhe global të vlerës,” thotë Marro.

Wu Jing, ekspert në Shkollën e Biznesit të Universitetit Kinez të Hong-Kongut, u shpreh: “Hyrja e Kinës në OBT ka sjellë përfitime të ndërsjella për Kinën dhe botën.”

Anëtarësimi i Kinës në OBT e ka çuar Reformën e Hapjen e Kinës në një fazë të re. Gjatë këtyre 20 vjetëve, Kina ka zbatuar politika reforme e hapjeje dhe është integruar thellësisht në sistemin e tregtisë shumëpalëshe, duke fituar një status të rëndësishëm në tregtinë botërore. Ndërkohë, Kina ka pasur një zhvillim mjaft të madh dhe ka eliminuar varfërinë absolute, duke dhënë një shembull për bashkësinë e fateve të përbashkëta të njerëzimit. Një Kinë që po pasurohet dhe po fuqizohet, po tregon përgjegjësitë e duhura si një fuqi e madhe. Po ashtu, si mbrojtëse e sistemit të tregtisë së lirë globale, Kina po nxit me fuqi të madhe reformën e sistemit të OBT-së për tregtinë shumëpalëshe.

Sipas të dhënave nga OBT-ja, në vitin 2020, eksporti i mallrave amerikane zuri 8.4% të nivelit botëror dhe importi 13.9 %, përkatësisht 1.4 dhe 3.3 pikë përqindjeje më pak se në vitin 2003. Ndërsa këto shifra për Kinën ishin 15.2% dhe 11.8%, me një rritje 9.2 dhe 6.4 pikë përqindjeje po krahasuar me vitin 2003.

Pas hyrjes në OBT, Kina ka pasur arritje të dukshme në procesin e marketizimit. Ndërmarrjet private janë fuqi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kinës dhe ekonomia private ka kontribuuar për mbi 50% të tatimeve, 60 % të GDP-së dhe mbi 70% të risive teknologjike, më shumë se 80 % të punësimit urban dhe mbi 90 % të subjekteve të tregut.

Qysh nga fillimi i politikës së Reformës e Hapjes, Kina është futur në rrugën e ndërkombëtarizimit dhe është integruar me tregun global. Me thellimin e bashkëpunimit, Kina po krijon modelin e ri të zhvillimit me qarkullimin e brendshëm si faktor kryesor dhe me nxitjen e ndërsjellë të qarkullimit të brendshëm dhe atij të jashtëm. Ky njihet si modeli i “dy qarkullimeve”, thelbi i të cilit është nxitja dhe përplotësimi i ndërsjellë mes tregjeve vendëse dhe ndërkombëtare. Kjo do të thotë që Kina do të ngulë këmbë në hapjen me botën e jashtme, do të shfrytëzojë tregun ndërkombëtar dhe do të krijojë një qarkullim të mbarë në tregun vendas, me synim që të realizohet zhvillimi më i fuqishëm dhe i vazhdueshëm ekonomik.

Gjatë këtyre 20 vjetëve, Kina ka zbatuar në mënyrë të gjithanshme premtimet e saj për anëtarësimin në OBT dhe ka zgjeruar pandërprerë hapjen, duke nxitur zhvillimin e vetë Kinës dhe të ekonomisë botërore. Tani në botë po ngrihen zërat që dyshojnë globalizimin ekonomik. Duhet të mbahet vigjilenca ndaj politizimit të reformës në OBT. Si mbështetëse e vendosur e multilaterizmit, Kina gjithmonë kontribuon me “projektin kinez” për reformimin e OBT-së dhe do të përpiqet të nxitë sistemin e tregtisë shumëpalëshe të ecë në shinat e liberalizimit dhe lehtësimit.