Një distrikt shkollor në Kaliforni i dëshpëruar po dërgon fletushka nëpër shtëpitë e nxënësve, për t’u thënë prindërve që po punëson mësues. Gjetkë, drejtorët e shkollës po merren me punën e rojeve të kalimit të nxënësve në rrugë, mësuesve po u ofrohen bonuse që të punësohen dhe shkollat po i kthehen mësimit në internet.
Tani që shkollat në ShBA i kanë mirëpritur nxënësit të kthehen në klasa, ato po përballojnë një sfidë të re: mungesën e mësuesve dhe stafit shkollor. Kjo situatë në disa distrikte ka qenë e paparë në të kaluarën.
Shkollat publike kanë vuajtur për shumë vite nga mungesa e mësuesve, veçanërisht të matematikës, shkencës, arsimit të posaçëm dhe gjuhëve. Por pandemia e koronavirusit e ka keqësuar këtë problem. Stresi i mësimit në epokën e COVID-19 ka shkaktuar shtimin e daljeve në pension dhe të lënies së punës. Shkollave edhe u nevojitet që të punësojnë personel, si tutorë dhe ndihmës të veçantë për të kompensuar humbjet e mësimit, dhe më shumë mësues për kurse në internet për nxënësit që nuk janë të përgatitur për kthimin në shkollë.
Mungesa të mësuesve dhe vështirësi për të plotësuar vendet e lira janë raportuar në Tenesi, Nju-Xhersi dhe Dakotën Jugore, ku një distrikt e nisi vitin shkollor me 120 vende pune si mësues të lira. Në Teksas, distriktet kryesore në Hjuston, Vako etj. kanë raportuar qindra vende të lira pune për mësues në fillim të vitit.
Disa shkolla në mbarë vendin janë detyruar që të mbyllin klasat, për shkak të mungesës së mësuesve.
Në Miçigan, Shkollat e Komunitetit Eastpointe i kthyen shkollat e mesme në mësim në distancë këtë javë, meqenëse nuk ka mësues të mjaftueshëm. Ky distrikt i vogël në veri të Detroitit ka 43 vende të lira, një e katërta e stafit mësimor. Kur mësuesit e disa shkollave të mesme dhanë dorëheqje pa njoftim javën e kaluar, distrikti kaloi në klasat në internet për të shmangur dërgimin e zëvendësuesve të pakualifikuar, tha zëdhënësja Caitlyn Kienitz.
"Nuk nevojitet thjesht një i rritur që ka kaluar kontrollin e sfondit, por një mësues përballë fëmijëve," tha Kienitz. "Kjo pa dyshim nuk është ideale, por ne mund të garantojmë që ata të marrin çdo mësim nga një mësues i certifikuar në mësimdhënie."
Sipas një sondazhi në qershor me mbi 2 690 anëtarë të Shoqatës Kombëtare të Arsimit, 32% thanë se pandemia i bëri që të planifikojnë largimin nga ky profesion më herët sesa e parashikonin. Sipas sondazhit nga RAND Corp, pandemia e përkeqësoi largimin, lodhjen dhe stresin mbi mësuesit, që kishin gjasa afro 2 herë më shumë se të punësuarit e tjerë për të ndier shpesh stres lidhur me punën dhe afro tre herë më shumë që të përjetonin depresion.
Mungesa e mësuesve është "vërtet një çështje mbarëkombëtare dhe pa dyshim një çështje mbarështetërore," tha Linda Darling-Hammond, presidente e Bordit të Arsimit të Shtetit të Kalifornisë.
Një distrikt shkollor në Kontenë Kontra Kosta Perëndimore të Kalifornisë po mban parasysh punësimin e mësuesve të matematikës nga jashtë shtetit për të dhënë mësim në internet, ndërsa një zëvendësues i monitoron nxënësit në terren.
"Kjo është mungesa më akute e punonjësve që kemi provuar ndonjëherë," tha mbikëqyrës i asociuar Tony Wold. "E kemi nisur këtë vit me 50 vende të lira mësimdhënieje. Kjo simbolizon se nxënësit do të shkojnë 50 klasa që nuk kanë një mësues të përhershëm."
Ekzistojnë edhe 100 vende të lira për stafin e paakredituar, por të rëndësishëm, si ndihmës në mësimdhënie, të cilët ndihmojnë mësuesit e gjuhës angleze dhe nxënësit me nevoja të posaçme, si kujdestarët, punonjësit e kafeneve etj., tha Wold.
Distrikti më i madh i Kalifornisë, Los Anxheles i Unifikuar me 600 000 nxënës, ka më shumë se 500 vende të lira pune për mësues, 5 herë më shumë se në vitet e kaluara, tha zëdhënësja Shannon Haber.
Shkollat po përpiqen për t’i plotësuar ata me zëvendësues, por përsëri kanë mungesa. Vetëm afro një e katërta e grupit të 1 000 zëvendësuesve të kualifikuar dëshiron që të punojnë në Fresno të Unifikuar, tha Nikki Henry, një zëdhënëse për distriktin qendror të Kalifornisë me 70 000 nxënës dhe 12 000 punonjës arsimorë.
Në Shkollën e Mesme Berkeley, mungesa e zëvendësuesve do të thotë se mësuesve u kërkohet për të punuar gjatë periudhave përgatitore, duke shkaktuar lodhjen e tepërt që zakonisht nuk ndihet që në fillim të vitit shkollor.
"Ne ndihemi absolutisht në ngërç. Ky është një fillim viti me presion të madh," tha Hasming Minassian, një mësuese e vitit të nëntë, që përshkruan lodhjen fizike dhe mendore kur përpiqet për të plotësuar kërkesat e mësimdhënies dhe nevojat emocionale të nxënësve, që po shfaqin më shumë shenja të brishtësisë mendore dhe të humbjes së vëmendjes në mësim.
"Duket sikur nuk ka numër të mjaftueshëm të rriturish për të garantuar sigurinë e fëmijëve. Ne e ndiejmë mungesën e punonjësve si kurrë më parë,"tha ajo.
Në këtë periudhë të re, paraja nuk është problemi kryesor. Distriktet shkollore kanë fonde për të punësuar staf shtesë, falë fondeve federale dhe shtetërore prej miliarda dollarësh për lehtësimin e pasojave të pandemisë. Por këtu nuk ka njerëz që të aplikojnë për këto punë.
"Ne po konkurrojmë për një copë byreku të tkurrur," tha Mike Ghelber, ndihmësmbikëqyrës në Distriktin Shkollor të Unifikuar Morongo në Shkretëtirën Mojave, i cili ka mbi 200 vende të lira për ndihmës në arsimin e posaçëm, kujdestarë, punëtorë kafenesh etj.
Distrikti me 8000 nxënës ka bërë reklama në gazeta, radio dhe media sociale. Mësuesit po futin fletushka "Jemi duke punësuar" në kutitë e drekës të fëmijëve, me një listë të gjatë të vendeve të lira, në mënyrë që familjet ta përhapin njoftimin.
"Drejtorët dhe administratorët po merren me punën e rojave të kalimit të fëmijëve në rrugë. Sekretaret po drejtojnë trafikun, meqenëse nuk kemi mbikëqyrës të mjaftueshëm të trafikut," tha Ghelber.
Këto mungesa rritin shqetësimet që shkollat do të punësojnë mësues të pakualifikuar, veçanërisht në komunitetet me të ardhura të ulëta, ku është e vështirë që të plotësohen vendet e lira, tha Darling-Hammond.
Edhe përmasat e klasave po rriten.
Distrikti Shkollor i Unifikuar i Mount Diablo, që u shërben 28 000 nxënësve në lindje të San-Franciskos, është detyruar që të plotësojë disa klasa të shkollës fillore me kapacitet maksimal prej 32 nxënësish. Nuk është ideale për distancimin shoqëror, por i liron mësuesit për arsimin në internet.
Afro 150 fëmijët u regjistruan për mësimin me distancë, por me infeksionet e shkaktuara nga varianti ngjitës i virusit “Delta”, numri u shtua në 600 kur shkolla u rihap. Një gjë e njëjtë ndodhi në Fresno, ku numri i regjistruar për mësim në distancë u rrit në 3 800 nga 450.
Mbikëqyrësi Adam Clark tha se distrikti po ofron bonuse punësimi prej 5000 dollarësh për patologët e të folurit dhe bonuse punësimi prej 1500 dollarësh për ndihmësmësuesit.
San-Francisko i Unifikuar ofron një bonus fillestar për 100 vende pune për ndihmësmësuesit. Konteja Kontra Kosta Perëndimore e Unifikuar aty afër ka caktuar bonuse punësimi prej 6 000 dollarësh amerikanë për mësuesit.
Distriktet në Oklahoma, Karolinën e Veriut, Nju-Xhersi dhe shtete të tjera, po ofrojnë një sërë stimujsh në para për mësuesit e rinj, veçanërisht në shkollat me të ardhura të ulëta dhe rezultate të dobëta.
Nga një duzinë zyrtarësh të intervistuar në distriktet e Kalifornisë, vetëm një tha se ata nuk përballen me problemin e mungesës së mësuesve dhe stafit.
Long Beach Unified, distrikti i 4-t më i madh i këtij shteti me mbi 70 000 nxënës, parashikoi pranverën e kaluar nevojën për punësimin e afro 400 vetave.
"Ne ishim plotësisht agresivë", tha ndihmësmbikëqyrësi David Zaid. "Mund të kishin pasur mungesë si të tjerët, por u bëmë më këmbëngulës, dhe, si rezultat, nuk jemi në të njëjtën pozitë."(Xu Guang)