Ishujt e Ksamilit gjenden pranë bregdetit të Jonit në Ksamil. Pak kilometra larg qytetit të Sarandës shpaloset një pamje mahnitëse e detit ngjyrë gurkali, dhe ishujve të vegjël shkëmborë me një bimësi të egër e të dendur.

Në një lartësi nga 7.5 deri në 15 metra mbi nivelin e detit këta ishuj janë vendosur pranë njeri-tjetrit të mbuluar me një vegjetacion tipik mesdhetar mjaft të zhvilluar. Janë pikërisht ishujt e tij që e bëjnë Ksamilin aq të veçantë e të dëshirueshëm për turizëm.

Kjo zonë është unikale dhe përfaqësuese e bregdetit shkëmbor jonik shqiptar. Ishujt e Ksamilit kanë vlera shkencore, edukative, biologjike, estetike, dhe turistike. Për të shkuar tek ishujt mund të përdoren varkat ose me not, pasi distanca nga bregu është e shkurtër.