Me 60 të shtëna me pistoletë sportive, Xu Haifeng-u, nga një ish-shitës, hyri në historinë olimpike, duke fituar medaljen e parë të artë për vendin më të populluar të botës.

Fitorja e Xu në garën e 50 metrave me pistoletë në Olimpiadën e Los Anxhelesit të vitit 1984 bëri që në atdheun e tij, Kinë, ai të pritej si hero, duke shënuar edhe rikthimin e Kinës në arenën olimpike. Ky rikthim do të pasohej me paraqitjen gjithnjë e më të spikatur të sportistëve e të sportistëve kinezë në olimpiada, duke u kthyer tashmë Kinën në një superfuqi sportive.

Por deri dy vjet përpara arritjes së tij të jashtëzakonshme, Xu Haifeng-u ishte thjesht një shitës, përvoja e vetme e të cilit në "qitje" mund të thuhet se ishte gjuajtja e zogjve me llastiqe kur ishte fëmijë dhe vetëm një javë stërvitje ushtarake në shkollë të mesme.

Xu Haifeng-u ka lindur në gusht të vitit 1957 në Zhangzhou të provincës kineze Fujian. Ai quhet një "lule e çelur vonë", sepse asgjë në fëmijërinë e rininë e tij të hershme nuk tregonte se do të merrej me sport, aq më pak se do të shpallej kampion olimpik, me gjithë dashurinë e tij për qitjen.

"Fillova të merrem me qitje shumë vonë," tregon Xu. "E përfundova shkollën e mesme në vitin 1974 dhe më dërguan të punoja në bujqësi për katër vjet e gjysmë. Në vitin 1979 fillova punë si shitës në një dyqan. Shisja shumë gjëra - cigare, sheqer, verë, gozhdë ... Deri plehra kimike."

Xu Haifeng-u thotë se dashuria për qitjen mund të ketë ardhur nga fakti që i ati ka qenë ushtarak, por edhe ngaqë kur ishte fëmijë i pëlqente, si shumë prej djemve të vegjël asokohe, të gjuante zogj me llastiqe.

"Në qershor të vitit 1982, dëgjova se mësuesi im i shkollës së mesme ishte trajner i ekipit të qitjes të provincës dhe, meqë më pëlqente shumë qitja, i thashë të më lejonte ta provoja," shprehet Xu.

Në atë kohë ai kishte pothuajse një dhjetëvjeçar që nuk kishte prekur armë me dorë dhe përvoja që kishte pasur me qitjen kishte qenë shumë e shkurtër.

"Ne kishim bërë vetëm një javë stërvitje ushtarake përpara përfundimit të shkollës së mesme. Ishte hera e parë që përdorja një armë të vërtetë dhe dola i pari në shkollë," kujton Xu Haifeng-u.

Xu i la mbresa trajnerit që kishte pasur dikur mësues, dhe kështu filloi rrugën e sportit. Brenda dy muajve, Xu Haifeng-u doli kampion në provincë dhe në mars 1983 fitoi titullin e tij të parë kombëtar, një arritje që i siguroi atij një vend në ekipin kombëtar të qitjes dhe pjesëmarrjen në nëntor 1983 në garat për kualifikim në olimpiadë.

"Ishim gjashtë qitës dhe unë isha pak e shumë fillestar," thotë Xu. "Kështu që nuk e mendoja kurrë se do të arrija të kualifikohesha për në olimpiadë. Por papritur i kalova të gjitha raundet dhe u përzgjodha. "

Xu Haifeng-u thotë se ai shkoi në Olimpiadën e Los Anxhelosit "vetëm për të marrë pjesë", duke ndjekur moton se më e rëndësishme se fitorja është pjesëmarrja. Por pas më shumë se dy orësh nga fillimi i garës, ai e pa veten ndër katër konkurrentët e mbetur për medalje. "Isha shumë mirë deri në dhjetë të shtënat e fundit", shprehet Xu Haifeng-u. "Shikuesit përreth meje ndikonin në përqendrimin tim. E dija se sa pikë kisha marrë, por nuk dija asgjë për rezultatet e të tjerëve. Por turma që brohoriste më bëri të kuptoja se kisha dalë mirë."

Dhe më tej vijon:

"U ula dhe bëra një pushim të shkurtër. Në fund, mora dy nënta dhe një dhjetë në tre të shtënat e fundit."

Në atë kohë numërimi i pikëve nuk bëhej në mënyrë elektronike dhe tabelat duhej të kontrolloheshin me sy e pastaj të llogariteshin pikët nga gjyqtarët.

"U desh rreth gjysmë ore," sjell ndër mend Xu Haifeng-u. "Prita dhe më në fund gjyqtari më tha: 'Ke fituar. Të lutem shko të marrësh medaljen.'"

Xu kishte fituar medaljen e parë të artë olimpike për vendin e tij.

"U ndjeva papritur i qetësuar, sikur kisha hequr një gur të rëndë nga shpatullat", shprehet Xu Haifeng-u.

Gëzimi i shokëve të ekipit, trajnerit dhe zyrtarëve ishte i madh, por nuk arriti ta parapërgatiste për pritjen që do t'i bëhej në atdhe.

"Kur u ktheva me medaljen e artë, e kuptova se sa e rëndësishme ishte kjo. Ma ndryshoi jetën përgjithmonë," kujton Xu Haifeng-u, duke shtuar: "Entuziazmi i njerëzve ishte i jashtëzakonshëm. Turma të mëdha më mirëpritën kudo. Për rreth 20 ditë shkova në çdo vend ku kisha qenë më parë, nga drejtoritë sportive te dyqani ku kisha qenë shitës, për t'i falënderuar të gjithë".

Megjithëse Xu fitoi më pas shumë medalje të tjera të arta në Lojërat Aziatike dhe në kampionatet botërore, asgjë nuk do të krahasohej me medaljen e tij të artë të marrë në Olimpiadën e Los Anxhelosit.

Pas lënies së sportit në vitin 1994, Xu Haifeng-u u bë trajner i ekipit kinez të qitjes për femra, duke fituar medalje të tjera të arta olimpike.

"E quaj suksesin e dytë më të madh në karrierën time që lojtaret e mia fituan medalje olimpike", thotë ai. "E fillova punën si trajner në shkurt të vitit 1995 dhe një nga qitëset e ekipit tim, Li Duihong, mori një medalje të artë në Atlantë në korrik të vitit 1996."

Një prej qitëseve të tjera të ekipit që drejtonte ai, Tao Luna, fitoi medalje ari në Sidnei katër vjet më pas.

Në Olimpiadën e Athinës 2004, Xu Haifeng-u ishte trajner i përgjithshëm si i ekipit të meshkujve, ashtu edhe të femrave. Në atë olimpiadë qitësit dhe qitëset kineze fituan gjithsej katër medalje ari.

Pas Athinës Xu Haifeng-u u caktua trajner në ekipin kinez të pentatlonit.

Por kur olimpiada e mëpasshme do të zhvillohej në atdheun e vet, e pikërisht në Pekin në vitin 2008, ai ishte mbartës i pishtarit gjatë hyrjes në Stadiumin Kombëtar në ceremoninë e hapjes së kësaj olimpiade.

Xu Haifeng-u është tani zv.drejtor i Drejtorisë së Çiklizmit dhe Skermës në Administratën e Përgjithshme Shtetërore të Sporteve të Kinës. Medalja e fituar prej tij u vendos në Muzeun Kombëtar të Kinës në sheshin "Tiananmen" të Pekinit. Për nder të tij, në vitin 2012 është bërë edhe një film, i titulluar "Xu Haifeng-u dhe arma e tij". (Artan Goga)