Pas një beteje të gjatë mbinjëvjeçare me sëmundjen e shekullit, epideminë Covid-19 Shqipëria hap pas hapi po del fitimtare. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dha lajmin e mirë në Kuvendin e Shqipërisë se tashmë Shqipëria ka dalë nga zona e kuqe e Covid-19. Ajo deklaroi se kjo është arritur falë masave të shënjestruara dhe efekteve të vaksinimit që po fillojnë të ndihen.
“Vendi ynë, bazuar në të dhënat epidemiologjike ka dalë nga “zona e kuqe”, pra nga zona e riskut të Covid-19 krahasuar me vendet e tjera, qoftë të rajonit dhe qoftë të Europës. Kemi një incidencë të ulët dhe gjatë javës që është mbyllur jemi në nivelet e 26.6 raste për 100 mijë banorë nga 30.7 raste për 100 mijë banorë në javën pararendëse”, tha kreu i shëndetësisë shqiptare.
Sipas ministres Manastirliu ritmi i lartë i vaksinimeve ka ndikuar në uljen e ndjeshme të infektimeve.
“Sigurisht që disponohen shumë evidenca shkencore për efikasitetin e vaksinave. Emëruesi i përbashkët për çdo vaksinë është një dhe vetëm një: Vaksinat ulin drastikisht efektet e rënda në shëndet dhe fatalitetet nga Covid 19”, shtoi ministrja e shëndetësisë.
Ajo gjithashtu garantoi se “Ne nuk do të ndalemi për sigurimin e vaksinave anti-Covid, për të garantuar dozat e dyta si dhe për të zgjeruar vaksinimin, për t’i dhënë mundësinë çdo qytetari të mbrohet nga Covid-19”.
Edhe komuniteti i mjekëve ka reaguar menjëherë në mediat sociale lidhur me regjistrimin për herë të parë në vend të 24 orëve pa asnjë shtrim në spitalet infektive.
Lajmi i mire u reflektua dhe nga Instituti i Shëndetit Publik në Gjermani, “Robert Koch Institute”, i cili e ka listuar Shqipërinë në vendet të cilat nuk përbëjnë më rrezik për COVID-19.
RKI bën me dije se Shqipëria ishte në listën e vendeve që kanë paraqitur rrezik të paktën në 10 ditët e fundit por tanimë, rreziku nga pandemia COVID është më i ulët dhe situata nuk është problematike.
Ndërkaq, komisioneri Evropian për Fqinjësinë e Mirë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi gjatë vizitës në Shqipëri deklaroi se Komisioni Europian u ka propozuar vendeve anëtare të BE-së që të rihapin sërish kufijtë e mbyllur për shkak të pandemisë, sidomos për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Ne i kemi bërë një propozim shteteve anëtare, janë ato që do të vendosin. Në rekomandimet tona, ne kemi sugjeruar që shtetet anëtare të hapin sërish kufijtë dhe të lejojnë edhe qytetarët e shteteve t; tjera të hyjnë në BE, në veçanti nga Ballkani Perëndimor, edhe pa pasur arsye thelbësore. Pra që të rifillojë udhëtimi i tyre”, tha Varhelyi.
Shtetasit shqiptarë pa leje qëndrimi apo viza kanë mbetur jashtë kufijve të BE që prej rritjes së numrit të lartë të infektimeve, në përllogaritjen 2-javore që unioni raporton.
Komiteti Teknik i Ekspertëve për Covid-19 u ka dhënë dritën jeshile universiteteve, duke i lejuar ata të rikthejnë pjesërisht në auditorë studentët. Karantina për të gjithë shtetasit që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut është hequr, por mbetet në fuqi ora policore. Pozitiviteti i testeve për Covid-19 ka rënë në 3,8 %, këtë përmirësim ekspertët ia atribuojnë edhe vaksinimit.
Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së, Silva Bino ka thënë se procesi i vaksinimit ka ulur ndjeshëm numrin e të infektuarve dhe të viktimave në vend. Sipas Binos deri në tetor apo në fund të vitit, për festat e ndërrimit të viteve do të jemi një vend me mbulesë të lartë vaksinale.
Shqiptarët mund të udhëtojnë për turizëm drejt Italisë, që pas mesit të Majit. Kryeministri italian Mario Dragi shpalli ambicien për rigjallërimin e turizmit, pas më shumë se një viti bllokade prej pandemisë së koronavirusit.
“Nuk do të presim gjysmën e dytë të Qershorit për të pasur pasaportën e gjelbër europiane. Që në gjysmën e dytë të Majit, turistët do të kenë italianen”.
Pritet që gjatë ditëve në vijim të përcaktohen rregulla të qarta për turistët nga vendet jo-anëtare të Bashkimit Europian. Mediat italiane shkruajnë se për marrjen e pasaportës së gjelbër italiane, turistët e huaj duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit me dozat e një prej vaksinave të autorizuara nga Agjencia Europiane e Barnave, nëse disponohet një certifikatë shërimi nga Covid-19 ose vërtetim tamponi negativ i 48 orëve të fundit.
Pasaporta e gjelbër italiane do të jetë në fuqi derisa vendet e Unionit të nisin përdorimin e pasaportës europiane.
Sipas ekspertëve të shëndetësisë, Shqipëria është vendi i dytë në Evropë që e ka kaluar më lehtë pandeminë Covid-19. Gjatë verës, situata pritet të jetë më e qetë për shkak të temperaturave të larta dhe vaksinimit masiv.
Eda Merepeza