Si një nga prodhuesit kryesorë të vaksinave COVID-19 në Kinë, Sinovac ka zgjeruar kapacitetin e saj vjetor të prodhimit në 2 miliardë doza dhe ka ofruar vaksinat e saj inaktive në mbi 16 vende dhe rajone. Gazetarët e medias kineze Global Times intervistuan shefin ekzekutiv të Sinovac, për të mësuar më shumë rreth pikëpamjeve të tij mbi sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës, mes mutacioneve të reja të koronavirusit dhe masave të kompanisë për ta bërë vaksinën më të arritshme globalisht.
GT: Sa e efektshme është vaksina COVID-19 e Sinovac kundër mutacioneve aktuale të koronavirusit të ri? Nëse efektiviteti i saj dobësohet, a do ta riprojektoni apo përditësoni vaksinën?
Yin: Një nga parakushtet për një riprojektim të vaksinës është kur ndodh dominimi i mutacioneve. Vaksina që është tani në përdorim është ende shumë efektive kundër COVID-19 dhe mutacioneve të tjera të koronavirusit të ri. Mutacionet janë shfaqur vetëm në disa vende. Për shumicën e vendeve të tjera, rritja e përpjekjeve në vaksinimin masiv dhe të shpejtë është çelësi.
Tani po mbikëqyrim intensivisht sesi zhvillohen mutacionet e koronavirusit të ri, duke punuar ngushtë me shkencëtarët më të lartë kinezë dhe institucionet kombëtare në studimet laboratorike për të ndjekur çdo ndryshim dhe për të diskutuar çdo trajtim të mundshëm.
Shifrat e tanishme tregojnë se shkalla e mbrojtjes së vaksinave Sinovac brenda dy muajve pas marrjes së dy dozave është 80-90 përqind, por numri i antitrupave bie me kalimin e kohës.
Tani jemi duke analizuar të dhënat mbi normat e mbrojtjes pas gjashtë muajsh si dhe po kryejmë eksperimente në marrjen e injeksionit të tretë te marrësit për të parë nëse ka një nivel më të lartë të mbrojtjes. Disa rezultate pritet të dalin së shpejti.
GT: Sa kohë nevojitet për të përditësuar vaksinën tuaj nëse do të ishte e nevojshme?
Yin: Përditësimi i vaksinës do të thotë rishikim i llojit të mutacionit. Qeveria gjithashtu duhet të rivlerësojë standardet e cilësisë dhe politikat rregullatore të përdorura për vaksinën e re. Nëse shkalla e ndryshimit nuk është e madhe, mund të mos ketë nevojë për rregullim; nëse shkalla e ndryshimit është serioze, rregullimi atëherë kërkon bashkëpunim nga shumë palë.
Aktualisht, vaksina jonë COVID-19 mund të mbulojë variantet kryesore të koronavirusit. Edhe nëse ndodh një variant i ri, prodhuesit e vaksinave mund të përditësojnë shpejt vaksinat për ta përmbajtur variantin e ri.
GT: Disa qytete, përfshirë Pekinin dhe Shangain, planifikojnë të vaksinojnë fëmijët dhe të moshuarit. A keni ndonjë të dhënë për efikasitetin e vaksinës për këtë grup popullate?
Yin: Ne kemi mbledhur të dhëna të mjaftueshme për të provuar sigurinë e vaksinës sonë tek të moshuarit dhe jemi në pritje të miratimit për përdorim emergjent. Suksesi i Kinës në kontrollimin e pandemisë ka krijuar një mjedis të mirë për vendin për të kryer vaksinimin masiv në një mënyrë të rregullt, duke filluar nga njerëzit që punojnë në sektorët me rrezik të lartë dhe gradualisht duke u zgjeruar tek popullata me rrezik të ulët. Sinovac ka nisur vaksinimin e të moshuarit në Turqi dhe vende të tjera dhe ndiehemi të ngazëllyer kur shohim se ikona e futbollit brazilian Pele u vaksinua me Sinovac dhe shprehu besim në të.
GT: Ekziston një kërkesë e lartë për vaksinat kineze brenda dhe jashtë vendit. Si do ta ekuilibroni kërkesën?
Yin: Shpërndarja e vaksinave është çështje e bashkëpunimit në shumë nivele midis qeverive. Me një mbështetje të fortë nga qeveria kineze - duke filluar nga konsulenca shkencore deri në përdorimin e laboratorëve - ne jemi duke rritur shpejt kapacitetin nga 1 miliard në 2 miliardë për të siguruar vaksina në më shumë vende në përputhje me strategjinë kombëtare.
Ne zakonisht eksportojmë vaksinat tona në vendet me popullsi të madhe dhe një prevalencë të lartë të COVID-19, dhe tani po zgjerojmë gradualisht furnizimin me disa vende më të vogla fqinje.
Sigurimi i vaksinave për më shumë vende ka të bëjë gjithashtu me mbrojtjen e vetvetes në mënyrë që të mund të rivendosim shkëmbimet njerëzore dhe të biznesit me të tjerët sa më shpejt të jetë e mundur.
GT: Cilat janë pikat më të vlefshme të bashkëpunimit tuaj me vendet e tjera në fazën e tretë të provave klinike jashtë vendit?
Yin: Partneriteti me institutet e tjera shkencore globale, të tilla si Instituti Butantan i Brazilit, një Institut kërkimor 120-vjeçar dhe Biopharm i Indonezisë, një kompani vaksinash 100-vjeçare, si dhe shkencëtarë nga Turqia dhe Kili, është një strategji e rëndësishme.
Ne kemi hasur shumë pengesa, duke përfshirë pengesat gjuhësore dhe ndryshimet në standardet kombëtare të miratimit klinik dhe të ilaçeve. Por punojmë ngushtë së bashku për të rritur mundësinë e përdorimit të një vaksine të tillë për t'u siguruar që mund të dorëzohet në një vend 16 mijë kilometra larg Kinës në temperaturën 2 deri në 8 gradë. Këto bashkëpunime na kanë ofruar përvoja të vlefshme.
GT: Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) dërgoi një ekip për të vizituar fabrikën e prodhimit të Sinovac në mes të shkurtit si një parakusht për të marrë para-kualifikimin. Cilat ishin reagimet e OBSh-së pas vizitës?
Yin: Ne kemi zhvilluar dhjetëra takime me OBSh-në në nivele të ndryshme gjatë vitit të kaluar, duke përfshirë takime të niveleve të larta në nivel qeveritar dhe takime në fusha profesionale.
Gjatë inspektimit në vend të fabrikës së Sinovac, OBSh-ja na dha sugjerime shumë të rëndësishme për përmirësimin e cilësisë mjekësore.
Së shpejti do të kemi dokumentin zyrtar të vlerësimit nga ekipi i OBSH-së dhe do të përmirësohemi siç kërkohet nga sugjerimet. Miratimi i OBSh-së është thelbësor për ne pasi do të na mundësojë eksportimin e vaksinave në më shumë vende.
Por ne ruajmë bashkëpunimin dypalësh me disa vende të tjera në të njëjtën kohë pasi është një mënyrë shumë më efikase në rrethana të caktuara. Përvojat nga të dy rrugët janë shumë të vlefshme për ne në bashkëpunimin me të tjerët për të ndaluar pandeminë.