Intervistë me epidemiologun Ilir Alimehmeti
Epidemiologu Ilir Alimehmeti, njëherësh zëvendësdekan i Fakultetit të Mjekësisë në studion e Radio Ejani, China Media Group për të bashkëbiseduar rreth epidemisë Covid 19, modelit shqiptar të saj, vaksinës dhe mbi të gjitha për të na këshilluar, si ta lehtësojmë jetën tonë në kushtet e pandemisë.
Doktori i shkencave Alimehmeti është një ndër mjekët që me këshillat dhe informacionet mediatike ka çliruar sadopak ankthin e epidemisë në opinionin e gjerë shqiptar.
CMG: Dr. Alimehmeti prej një viti jeni një nga figurat publike më të mirëpritura për publikun e gjerë. E meqë në kushtet e pandemisë kontakti virtual zë pjesën më të madhe të jetës sonë, ju jeni bërë pjesë e saj. Si do ta cilësonit këtë përvojë të re në karrierën tuaj si mjek?
Dr.shk.Ilir Alimehmeti:E vërtetë. Së pari do të doja që pandeminë të mos e kishim mes nesh. Por duhet të kemi parasysh që shëndeti publik flet gjithmonë, pra ka të bëjë me punën në tërësi dhe punën në terren se unë vetë do të isha shumë i lumtur të isha në audiotore dhe të merresha me studentët si normalisht.
CMG: Nga informacionet që kemi trajtimi mjekësor në Shqipëri anon më shumë nga antibiotikët, se sa në vendet e tjera. Ju keni apeluar që qytetarët të kenë kujdes me mjekimet që marrin kundër Covid.
Dr.shk.Ilir Alimehmeti: Shqipëria ndodhet në një situatë dhe kjo ka qenë dhe më përpara, nuk ndodhi në 2020-n, ku tregu farmaceutik është relativisht i lirë, në kuptimin pa limite dhe jo në kuptimin e çmimit. Do të thotë që nuk është “gate keeper” ai rojtari i çfarë merret, nuk është mjeku, pasi në farmaci mund të blesh dhe pa recetë. Kjo do të thotë që nuk ka një rregullim tregu, siç duhet ta kishte. Nga pikpamja e kësaj sëmundjeje në veçanti, kemi parasysh që të gjitha skemat për fazën virale, të cilat u testuan që prej shkurtit të 2020, sot kanë dalë pa efekt, ose me shumë pak efekt. Fatkeqësisht sepse do të donim të kishte ndonjë produkt që të funksiononte në fazë virale.
CMG: Këtu përfshihet dhe Remdesivir ?
Dr.shk.Ilir Alimehmeti: Këtu përfshihet gjithçka. Për këtë keni një botim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila i ka publikuar që më 14 tetor këto të dhëna dhe përfundimi është që nuk kanë aspak efekt, ose kanë shumë pak efekt. Kujtojmë që disa medikamente që ju përmendët pak më parë rezervohen për pacientë në gjendje të rëndë dhe në Shqipëri janë të miratuar vetëm për përdorim spitalor. Ato kanë disa lloje efektesh anësore kaq të rënda sa që nëse ndodhin në shtëpi nuk kemi mundësi t’i bëjmë ballë, ndërkohë që spitali ka aftësi t’i monitorojë. Shumica dërmuese e kalojnë thjesht si fazë virale dhe kalon vetë, ndaj ajo metoda që kam quajtur “receta e gjyshes” është metoda më e thjeshtë. 17 deri në 19 persona ndër 20, e kalojnë kështu. Në ato pak raste, 1 deri në 3 ndër 20 ku mbivendoset infeksioni bakterial, atëhere antibiotikët bëhen të rëndësishëm, por absolutisht jo që në ditën e parë. Është mjeku që pas vizitës, jo me whatsap dhe është ai që në varësi të historisë personale, sëmundjeve të tjera, reaksioneve të mundshme ndaj ilaçeve, moshës etj merr vendimin përkatës. Recetat shabllon janë absolutisht të pavlefshme.
E njejta gjë dhe me kortizonikët dhe është një problem shumë i madh që përdoren që në ditët e para, që është i dëmshëm për shëndetin. Antikoagulantët gjithashtu jepen vetëm në rast se ka nevojë.
Diçka tjetër që ndodh në Shqipëri është dhe shopping-u mjekësor. Kemi të bëjmë me marrjen e mendimit të 3, 4 apo 5 mjekëve dhe krijimi i një “mishmashi” informacioni ku pacienti i shkretë nuk di se ku të sillet.
CMG: Keni qetësuar sadopak opinionin publik kur thatë se rastet e riinfektimeve me koronavirus janë të pakta. Çfarë këshilloni për ata që e kanë kaluar sëmundjen?
Dr.shk.Ilir Alimehmeti: Së pari shpresoj që ta kenë kaluar sa më mirë, me sa më pak pasoja. Së dyti, risku ekziston për riinfektimin, por është tejet i ulët.
CMG: Ndoshta sepse janë dhe variantet e reja të virusit?
Dr.shk.Ilir Alimehmeti: Jo detyrimisht. Nuk mund ta themi me siguri këtë sepse nuk kemi prova, por patjetër dhe variantet e reja janë brenda në këtë sfond. Do të marrim parasysh që risku ekziston dhe është i vogël dhe është i krahasueshëm me infeksionin pas vaksinave dhe kjo tashmë është provuar në zona të ndryshme të botës, në popullata të ndryshme. Ka disa raste që edhe në infeksionin e dytë mund të bëjnë forma të rënda, por janë shumë të rralla fatmirësisht dhe numri i fataliteteve nga riinfektimi është pothuajse inekzistent.
CMG:Qysh nga 9 janari kur nisi vaksinimi në Shqipëri, janë vaksinuar rreth 20 mijë vetë. Në një deklaratë të fundit kryeministri Rama hapi derën dhe për marrjen e vaksinave ruse dhe kineze. Çfarë dallimi kanë vaksinat Pfizer, BionTech, Astra Zeneca nga Sinovac, Sinopharm apo Sputnik V ?
Dr.shk.Ilir Alimehmeti: Teknologjia në radhë të parë. Teknologjia e prodhimit sepse përdorin tre teknika të ndryshme. Moderna dhe Pfizer janë me teknikë me ARN mesazhere, për herë të parë që kemi një produkt të këtij tipi për përdorim te njerëzit. Sputnik V është një variant me adenovirus, me një vektor që fut një pjesë të kodit të virusit në mënyrë që trupi ta njohë. Të njejtën teknologji përdor dhe AstraZeneca, si dhe Johnson&Johnson.
Ndërkohë që dy kandidatët kinezë Sinovac dhe Sinopharm përdorin virus të inaktivizuar, pra virusi nuk është më funksional. Kjo është metoda më e njohur e prodhimit të vaksinave dhe bën që njohja antikorpale e këtij virusi të jetë më e plotë. Vaksinat kineze ofrojnë të plotë antitrupa ndaj krejt virusit, ndërkohë që të gjitha variantet e tjera që përmendën ofrojnë vetëm antitrupa ndaj proteinës Spike. Pra në teori ka një avantazh, ndërsa në praktikë na mbetet për ta parë.
CMG: Personat që e kanë kaluar koronavirusin, kur duhet të vaksinohen?
Dr.shk.Ilir Alimehmeti: Kjo është një pyetje shumë e bukur. Nuk ka asnjë virus që pasi ta kesh kaluar një herë të kesh nevojë të vaksinohesh mbrapa. Pra në histori nuk njohim diçka të tillë. Kjo po diskutohet për herë të parë në shkallë masive. Megjithatë duhet të marrim parasysh sa i kemi ne njohuritë mbi riinfektimet? I kemi disa muaj, maksimumi një vit sepse kaq ka zgjatur sëmundja. Nga krahu tjetër, vaksinimin ne e njohim prej më pak se një-dy muaj, sepse asnjë shtet nuk e ka nisur më pak se dy muaj më parë. Kjo do të thotë që dimë më shumë mbi riinfektimet se sa mbi efektin e vaksinimit. Por megjithatë ne nuk e dimë se sa zgjat mbrojtja nga infektimi i parë, sa zgjat mbrojtja nga vaksina dhe ajo që nuk dimë fare është se çfarë ofron plus vaksinimi ndaj atyre që e kanë kaluar. Ajo që dimë me siguri sepse tashmë e kemi vënë re se këto efekte shfaqen shumë shpejt, është se personat që e kanë kaluar kanë më shumë efekte anësore dhe më të forta.
Sa më afër ta kenë kaluar sëmundjen, aq më i fortë është ky reagim. Italia po kalon një dekret, i cili është rekomanduar gjerësisht nga AIFA (Agjencia Italiane e Farmaceutikës), që thotë se nuk lejohet vaksinimi nëse e ke kaluar sëmundjen 6 muajt e fundit. E gjithësesi pasi kanë kaluar 6 muaj të marrësh vetëm një dozë vaksine.
CMG: Ju kanë pyetur se kur do të marrë fund pandemia?
Dr.shk.Ilir Alimehmeti: Në mënyrë të vazhdueshme. Duket se më e keqja është kaluar dhe avash-avash kemi filluar të shohim daljen. Pamë një rënie të fortë gjatë janarit. Për të kuptuar këtë janë dy elementë të rëndësishëm, sa përqind e kanë kaluar tashmë dhe duhet të studjohet kjo kudo, përfshirë Shqipërinë dhe e dyta, vaksinat në mënyrë sa më masive.
CMG: Doktor Ilir Alimehmeti ju falenderoj që ndatë me ne në studion e Radio Ejani mendimet tuaja për pandeminë dhe uroj që kjo eksperiencë, sado e trishtë të bëhet pjesë e punës suaj si lektor dhe zëvendësdekan i Fakultetit të Mjekësisë.
Dr.shk.Ilir Alimehmeti: Ju falenderoj ju për ftesën dhe shpresoj që kjo eksperiencë t’i bëjë njerëzit të mendojnë që investimi në mjekësi është diçka e vazhdueshme dhe jo vetëm kur të bie guri mbi kokë.
Intervistoi Eda Merepeza