Intervistë ekskluzive me gazetarin dhe producentin e BBC-së, njëherësh korespondent i Top Channel nga Britania e Madhe, Arben Manaj

Gazetari Arben Manaj

Gazetari Arben Manaj

Lufta kundër Covid19 afro 1 vit pas shfaqjes së tij, tashmë ka kaluar në një nivel të ri, atë të vaksinimit të popullsisë. Britania e Madhe është vendi i pare në botë që miratoi vaksinën. Për të mësuar më shumë rreth administrimit të vaksinës antiCovid 19 në Mbretërinë e Bashkuar bisedojmë me gazetarin e njohur shqiptar, producent i BBC-së njëherësh korespondent nga Londra i televizionit shqiptar Top Channel

CMG: Britania vendi i parë në botë, që aprovoi zyrtarisht vaksinën antiCovid, e cila filloi administrimin e saj me mjekët dhe infermierët e më pas me më të moshuarit dhe personat në risk. Si po shkon vaksinimi?

Arben Manaj: Mendoj që vaksinimi po shkon sipas planeve të qeverisë. Britania e Madhe mori vetëm 800 mijë flakonë fillimisht, por mendoj që deri në fund të vitit do të ketë flakonë të mjaftueshëm për të filluar me moshat që kanë më shumë prioritet dhe bëhet fjalë ato mbi 80 vjeç për të shkuar më poshtë në moshën 50 vjeçare. Në rastin tim konkret, unë sot jam interesuar pranë mjekut të përgjithshëm të familjes për rastin e prindërve të mi, të cilët janë mbi 80 vjeç babai dhe 75 nëna. Më thane që duhet të marr në telefon javën e ardhëshme, pasi sasia e vaksinave të ardhura për lagjen tonë tashmë është mbaruar, ndaj duhet të bëj një telefonatë tjetër. Megjithatë besoj që vaksinimi do të vazhdojë sipas planeve dhe padyshim që ky është lajmi më i mire për njerëzimin dhe unë do të thoja se shpëtimi do të vijë pikërisht prej vaksinimit, por kuptohet dhe perms masave kufizuese dhe higjenës personale.


Gazetari Arben Manaj duke raportuar nga Londra për Top Channel

Gazetari Arben Manaj duke raportuar nga Londra për Top Channel

CMG: Keni informacion për situatën epidemiologjike të komunitetit shqiptar në Britaninë e Madhe? Si paraqitet gjendja e tyre?

Arben Manaj: Sa i përket komunitetit shqiptar unë nuk kam dëgjuar këto muajt e fundit për ndonjë rast fataliteti. Kishte në fillim në valën e parë të pandemisë, por besoj që edhe shqiptarët si çdo britanik që jeton këto do të ketë të infektuar, por unë nuk kam dëgjuar në mënyrë specifike për ndonjë rast kur ndonjë pjestar i komunitetit shqiptar të ketë humbur jetën pikërisht për shkak të Covid 19. Gjithësesi do ta kisha mësuar një fakt të tillë, nëse do të kishte ndodhur.

CMG: Fakti që të dhënat e vaksinës nuk janë publikuar në asnjë revistë shkencore dhe nuk dihen ende efektet anësore nuk ka ndikuar në opinionin pubik britanik, lidhur me besueshmërinë e saj?

Arben Manaj: Edhe në Britaninë e Madhe padyshim ka një lloj skepticizmi për vaksinën dhe fakti që nuk janë botuar të dhënat në periodikët e shkencës. Gjithësesi unë mendoj që kjo nuk është dhe aq e rëndësishme, se sa është efikasiteti i kësaj vaksine. Është një emergjencë ndërkombëtare dhe bota nuk e ka luksin për të botuar të dhëna shkencore për vaksinën siç ka ndodhur në të kaluarën. Mendoj që në rastin e Britanisë së Madhe ka ndikuar dhe fakti që ky vend është duke dalë përfundimisht nga Bashkimi Evropian dhe ka patur avantazh për të shkurtuar atë burokraci, që shoqëron fatkeqësisht BE-në. Në rastin e BE-së mendoj se Britania e Madhe nuk ka çeduar në të dhënat, sa i përket efikasitetit të vaksinës, se sa në shkurtimin dhe prerjen e cepave të burokracisë evropiane. Në rastin konkret, BE-ja ka vendosur të shqyrtojë rregullimin dhe efikasitetin në zbatimin e vaksinës në 29 dhjetor. Pyetja ime është, përse jo në 28 dhjetor apo 1 janar? Pikërisht për faktin që Britania e Madhe ka dale nga BE-ja i ka duart më të lira për të vepruar, siç veprojnë dhe shtetet e tjera. Unë mendoj që çdo ditë e fituar në luftën kundër Covid 19 shpëton jetë njerëzore. Është e mjaftueshme dhe ja vlen të shkelësh dhe disa burokracira, që në fund të fundit janë të panevojshme dhe të parëndësishme përballë humbjes së jetës njerëzore.

Pamje nga Londra në kohën e pandemisë

Pamje nga Londra në kohën e pandemisë

CMG: Si po zbatohen masat mbrojtëse nga britanikët, veçanërisht në prag të festave të fundvitit, cilat do të jenë kufizimet e kësaj atmosfere të paprecedent?

Arben Manaj: Britania e Madhe sapo ka njoftuar që kryeqyteti Londra do të kalojë në rikarantinim, i njejti si para 10 ditësh kur Londra ishte në një karantinë thuajse të plotë. Kjo do të fillojë pas dy ditësh dhe mendoj se masat shtrënguese kur do të mbyllen pubet, restorantet dhe të gjitha aktivitetet kulturore do të vazhdojë deri në fillim të vitit të ardhshëm, me idenë e shmangies së infektimeve. Sipas autoriteteve britanike një mutacion i ri i koronavirusit është shkaku i shtimit të infektimeve sidomos në jug të Anglisë dhe në kryeqytetin britanik, çka do të thotë se kryeqytetasit do të rikthehen drejt masave më të ashpra të lockdown-it. Shpresohet që këto masa të mundësojnë shkurtimin e infektimeve dhe numrin e vdekshmërisë për shkak të koronavirusit.

CMG: Ju vetë e keni kaluar Covid 19 dhe nëse po si e përjetuat ?

Arben Manaj: Unë e kam kaluar Covid 19 besoj në të njejtën periudhë me kryeministrin Boris Johnson, diku nga fillimi i prillit, në valën e pare të pandemisë. Faktikisht unë nuk e kuptoja që isha i sëmurë, pasi mendoja që ngaqë kisha një kollë të vazhdueshme, që nuk ishte e rëndë mendoja se ishte për shkak të alergjisë. Në atë periudhë Britania e Madhe ka patur në mënyrë të pazakontë kohë me diell dhe ne ndonëse në karantinim kishim mundësi të dilnim nëpër parqe e pikërisht këtë ia atribuoja lulëzimit të luleve dhe kujtoja se e kisha nga alergjia. Pata dy ditë temperature dhe një ditë humba ndjeshmërinë, por mësova që e kisha kaluar vetëm kur bëra testin serologjik dhe mësova periudhën kur e kisha kaluar dhe faktin që kisha ende antitrupa. Gjatë periudhës së verës shkova 2 muaj në Shqipëri bashkë me fëmijët, për here të pare pas 27 vjetësh të qëndrimit tim në Londër dhe duke besuar se imuniteti pas disa muajsh bie, bëra një tjetër test serologjik pas disa javësh dhe rezultoi se kam antitrupa. Gjithësesi vazhdoj të jem i kujdesshëm edhe pse mendoj se kam imunitet, por ruaj distancimin social, mbaj maskë dhe të dezinfektoj duart. Unë mendoj se e mira e gjithë kësaj është aplikimi rigoroz i këtyre masave.

Intervistoi Eda Merepeza