Shumë vise në Kinë kanë lidhje të fortë me ushqimet e pijet, të cilat mund të lehtësojnë prezantimin me të tjerët. Një bisedë mes një banori nga qyteti Xinyang dhe ndonjë të saponjohuri zhvillohet zakonisht kështu:

“Nga je?”

“Nga Xinyang-u.”

“Ku ndodhet Xinyang-u?”

“A e ke dëgjuar çajin ‘Maojian’të Xinyang-ut?”

“Oh, e kuptova.”

Çaji "Maojian" i Xinyang-ut është shija e përditshme e parapëlqyer e njerëzve që banojnë në krahinat qendrore të Kinës. Ka gjithmonë një hapësirë të posaçme në frigorifer për këtë çaj jeshil. Ai mund të shihet gjerësisht në tezgat e çajit të përhapura në tërë lagjet e qytetit. Bisedat ose argëtimi me miqtë, duke shijuar çajin, është pjesë thelbësore e jetës së përditshme të banorëve vendorë. Ritmi i jetës së qytetit është i shtruar për shkak të çajit.

Xinyang-u është qyteti më jugor i provincës Henan, duke u ndodhur në vijën ndarëse mes veriut e jugut të Kinës. Ndryshe nga rajonet e tjera të prodhimit të çajit në Kinën Jugore, këtu katër stinët janë të dallueshme. Shiu i pranverës, dielli i verës, gjethet e kuqe të vjeshtës dhe dëbora e dimrit vijnë në këtë qytet në kohë.

Për shkak të kësaj klime, fermerët vendorë e ndajnë çajin sipas stinëve. Çaji i pranverës është lloji më i mirë i çajit "Maojian" të Xinyang-ut. Sythat e imët kanë thithur shiun e pranverës dhe sapo janë pjekur. Koha rreth 20 prillit është më e zëna në këtë qytet. Punonjësit e vjeljes së çajit vijnë këtu si zogj shtegtarë. Për të festuar vjeljen e çajit, këtu organizohen çdo vit festa çaji. Për shkak se sasia e çajit është e vogël, tregtarët vijnë në këtë qytet disa muaj më herët për të pritur për çajin më të freskët.

Përveç freskisë, cilësia e çajit "Maojian" është e lidhur ngushtë me kontrollin e nxehtësisë. Sythat e freskët duhet të skuqen vazhdimisht duke u përzier në një tenxhere hekuri, e më vonë vendosen në zjarr qymyri për të vazhduar tharjen, derisa të dehidratohen plotësisht. Zjarri i qymyrit nuk duhet të ketë tym, për të shmangur që çaji të marrë erën e tymit.

Çajit të përfunduar i jepet formë me një shtresë të hollë gëzofi të bardhë mbi të. Pas zierjes, lëngu i çajit është në një verdhë të çelët me një aromë të fortë dhe një shije të ëmbël të lehtë, por që zgjat shumë.

Kur flitet për çajin jeshil, njerëzve u shkon përherë ndër mend rënia në peshë dhe ulja e tensionit të gjakut, por ai është edhe një pije e mirë për t'u çlodhur, për të medituar dhe për t'u ndier gjithnjë e më në paqe.