Ushqimi kinez është shumë i shijshëm. Nëse ju pëlqen kuzhina kineze me siguri që keni provuar lloje të ndryshme të gatimeve me pulë. Kombinimi i shijeve "ëmbël-athët" në një pjatë është një kombinim i shpeshtë në kuzhinën kineze.
Pula:
1kg gjoks pule
1 gotë miell
½ gotë qumësht
2 vezë
Erëza si piper, xhenxhefil, hudhër (sipas shijes)
Perimet dhe ananasi:
1 spec jeshil
1 spec i kuq
1 qepë
2 karota
500 g ananas të konservuar
Për salcën:
½ gote lëng ananasi
¼ gotë sheqer
¼ gotë verë të kuqe ose uthull
3 lugë lëng limoni
2 lugë miell misri
Përgatitja e mishit të pulës
Priteni gjoksin e pulës në kubikë. Në një tas hidhni vezët dhe qumështin dhe rrihini derisa të formohet një masë e njëtrajtshme. Në një tas tjetër përzieni miellin dhe erëzat.
Vendosni në një tigan rreth 1 cm vaj dhe lëreni të nxehet. Copat e pulës vendosini në tasin e përzierjes (vezë-qumësht) dhe më pas kalojini në tasin me miell. Nisni t'i hidhni një e nga një në tigan dhe lërini të skuqen deri sa të marrin ngjyrën e dëshiruar. Pasi të jenë skuqur vendosini në një tas të mbuluar me letër tavoline për të përthithur vajin e tepërt. Lëreni mënjanë tasin me mishin e skuqur të pulës.
Përgatitja e salcës
Në një tas të vogël, përzieni miellin e misrit me pak ujë deri sa të krijohet një masë e lëngshme.
Vendosni lëngun e ananasit dhe shtoni një gotë ujë në tigan. Lëreni të ngrohet në temperaturë të ulët. Shtojini gradualisht sheqerin. Pasi sheqeri të jetë tretur plotësisht, shtoni gradualisht uthullën, më pas lëngun e limonit dhe trazojini vazhdimisht.
Shtojini përzierjen e përgatitur më parë me miell misri dhe ujë. Vazhdoni ta trazoni derisa salca të nisë të trashet. Hiqeni nga zjarri dhe lëreni mënjanë.
Përgatitja e perimeve
Pasi t'i keni larë specat dhe pastruar nga farat pritini në copa 1-2 cm. Qëroni qepën. Karotat pritini diagonalisht në copa të holla.
Në një tigan të madh hidhni pak vaj dhe lëreni të nxehet në temperaturë mesatare. Hidhni perimet dhe skuqini ato derisa qepa të marrë ngjyrë të verdhë, ndërkohë që i trazoni vazhdimisht.
Shtoni në këtë tigan salcën e parapërgatitur dhe trazojini të gjitha bashkë.
Pritni fetat e ananasit në kubikë. Shtojini në tigan së bashku me pulën e gatuar më parë. Përziejini vazhdimisht deri sa të ngrohen si duhet.
Këtë gatim mund ta kombinoni me oriz.
Gazmend Agaj