Terreni malor, toka shumë e pasur dhe reshjet e bollshme, këta janë përbërësit jetikë që e bëjnë provincën Fujian të Kinës Lindore një rajon ideal për prodhimin e çajit “Oolong”.
“Oolong” është një lloj çaji gjysmë i tharmëtuar. Ka nga ata që thonë se shija e tij është diçka mes atij të çajit jeshil dhe të çajit të zi.
Nevojiten tre hapa për të eksploruar shijen më të mirë në çdo filxhan. Nuhasni erën, provoni shijen e çajit dhe, më në fund, vlerësoni aromën e mbetur në filxhan.
Prodhimi i çajit “Oolong” kërkon një procedurë komplekse dhe shumë mund. Pas mbledhjes, gjethet e çajit "vyshken" për t’u hequr ujin. Pastaj gjethet tunden disa herë për të bërë njëfarë tharmëtimi. Pas procedurës së skuqjes, rrotullimit dhe pjekjes, çaji “Oolong” mund të paketohet dhe të shitet në treg. Ky çaj është gjysmë i tharmëtuar, prandaj ka edhe aromën e çajit jeshil, edhe shijen e butë të çajit të zi.
Huang Shenghui, një trashëgues i teknikës së prodhimit të Çajit të Shkëmbit Wuyi - një lloj çaji “Oolong” - në provincën Fujian të Kinës Lindore, ka pasur një rritje të biznesit të tij, veçanërisht të eksportimit të çajit, në vitet e fundit.
Ai tani po e shet Çajin e Shkëmbit Wuyi në 10 vende, duke përfshirë Malajzinë, Korenë e Jugut, Britaninë e Madhe, ShBA-në dhe Australinë. (Xu Guang)