Megjithëse Fuzhou i provincës Fujian të Kinës Juglindore, është vendlindja e çajit të jaseminit, vetë jasemini nuk është bimë autoktone e zonës, por ka ardhur atje nëpërmjet Rrugës Detare të Mëndafshit gjatë dinastisë Han Perëndimore (206 p. e. s. - 24 e. s.). Më vonë, gjatë dinastisë Song (960-1279), mjeshtrit e çajit filluan të përziejnë gjethet e çajit jeshil me aroma të jaseminit dhe të luleve të tjera.

Kur kalova nëpër një fushë jasemini me Fu Tianlong-un, trashëgimtar në nivel province i mjeshtërisë së prodhimit të çajit të jaseminit të Fuzhou-t, aroma ishte e pagabueshme. Fu më tregoi një ndër burimet e prodhuesit vendor të çajit të jaseminit, Grupit të Çajit “Chunlun”, duke vënë në dukje se cilat sytha ishin gati për t'u mbledhur dhe cilave u duhej më shumë kohë.

Por mbledhja e luleve është vetëm një hap në një proces të ndërlikuar që është përpunuar përgjatë shekujve.

Në selinë e kompanisë, Fu më tregoi procesin e aromatizimit, hapi më i rëndësishëm ndër shumë të tilla në prodhimin e çajit të jasminit më të shkëlqyer.

Gjethet e çajit, të cilat janë mbledhur para Festës Qingming në prill, janë përzgjedhur sipas peshës, madhësisë dhe formës së tyre. Nga qershori deri në gusht, lulet mblidhen gjatë pasdites dhe ruhen deri natën, kur ato çelin më në fund.

Gjethet e çajit dhe lulet e jaseminit përzihen dhe lihen për tërë natën. Gjatë periudhës së 12 orëve, gjethet thithin vajrat dhe aromën e luleve. Më vonë, këto gjethe piqen. Sipas Fu-së, çaji i jaseminit i cilësisë më të lartë kalon nëntë herë nëpër këtë proces, dhe çdo herë përzierjes i shtohen lule të freskëta. Mund të nevojiten 6 muaj dhe mbi 100 procedura para se të përgatitet produkti përfundimtar që shitet në tërë botën.

Pirja e çajit të jaseminit është një trajtim i vërtetë për shqisat. Prandaj, herën tjetër kur keni nevojë që të relaksoheni, uluni dhe lëreni aromën qetësuese dhe shijen e jasminit të mbledhur nga fushat e Fuzhou-t të mbushin filxhanin tuaj të çajit. (Xu Guang)