Karakteristikat e ushqimeve tradicionale të Kinës dalin shumë në pah gjatë ditëve të festave. Festa e Pranverës, Festa Tuanwu dhe Festa e Hënës konsiderohen në Kinë si tri festat më të mëdha në zakonet e popullit dhe ushqimet karakteristike të këtyre festave: "Yuanxiao", "Zongzi" dhe "Keku i Hënës" janë cilësuar si ushqimet e tri festave të mëdha.
Festa e Pranverës është festa tradicionale e popullit kinez, ose ndryshe dhe festa e Vitit të Ri kinez. Në ditën e 15-të të muajit të parë, në kuadrin e Festës së Pranverës sipas kalendarit bujqësor kinez, është Festa e Fenerëve, që quhet edhe Festa e Yuanxiaos. Ngrënia e embëlsirës Yuanxiao është ushqimi i fundit sipas zakonit gjatë Festës së Pranverës në Kinë. Në këtë ditë çdo familje ha Yuanxiao, por banorët e Jugut të Kinës e quajnë ndryshe këtë ushqim nga ata banorë të Veriut të Kinës, ata e quajnë "Tangyuan", njëkohësisht kanë edhe një formë tjetër të përgatitjes së saj.
Në Kinën veriore përgatitja e Yuanxiaos bëhet me susam, kikirikë dhe sheqer, përzihen në top të vogël, të lagur me ujë, dhe rrotullohen pandërprerë në mes të miellit të orizit, duke krijuar topthat Yuanxiao. Sot, njerëzit janë të zënë me punë e nuk gjejnë shumë kohë për të përgatitur Yuanxiao, prandaj ata zgjedhin t'i blejnë në treg. Dyqanet më të njohura për shitjen e Yuanxiao-ve në Pekin janë "Daoxiangcun" dhe "Guixiangcun".
Në krahasim me banorët e Veriut, banorët e Jugut të Kinës kanë dëshirë t'i përgatisin vetë "Tangyuan". Ata përgatisin miellin e orizit me ujin e ngrohtë në brum, pastaj i përgatisin ëmbëlsirat me arra, kikirikë, susam, hide, sojë të kuqe etj. në topa të vogla. Tangyuan më të famshëm në Jug janë Tangyuan nga qyteti Ningbo dhe Chengdu të provincës Sëchuan të Kinës jug-perëndimore.
Si Yuanxiao apo Tangyuan janë të gatshme për t'u konsumuar pasi gatuhen në ujë të valuar. Ato janë shumë të shijshme. Sipas thënies së popullit, shqiptimi i këtyre dy fjalëve kineze ka kuptimin "bashkim familjar".
Në ditën e 5-të të muajit të pestë sipas kalendarit bujqësor kinez është Festa Tuanwu, në këtë ditë populli ka zakon të hajë ushqimin karakteristik festiv Zongzi. Zongzi përgatitet me gjethe të kallamit ose të bambusë, të mbështjellë me orizin mushtullor, të lidhur fort me fijë në forma koni, jastëku ose në forma të tjera. Pasi të avullohen, Zongzi hahen të ngrohta ose të ftohta. Në krahina ë ndryshme të Kinës, banorët kanë zakone të ndryshme të përdorimit të materialeve për Zongzi dhe si rrjedhim ata kanë shijë të ndryshme të Zongzisë. Banorët e qyteteve Suzhou, Jiaxing, Ningbo gjatë rrjedhjes së lumit Yangzi të Kinës lindore i përgatisin Zongzi kryesisht me sojë të kuqe, gështenjë, hide me mish të freskët etj. Kurse ata të Veriut të Kinës përdorin kryesisht hide dhe fruta të thata.
Zongzi si ushqim festiv ka një histori të gjatë. Në popull thuhet se ngrënia e Zongzisë është për kujtimin e poetit të lashtë patriot kinez Qu Yuan, i cili jetoi në shtetin Çu të shekullit 3-të para erës së re. Pas rënies së atdheut të tij nga armiqtë, me ndjenjat e urrejtjes së madhe Qu Yuani u hodh në lumin Miluo për vetëvrasje po në ditën e pestë të muajit të pestë. Prandaj, për kujtimin e patriotizmit të poetit Qu Yuan, njerëzit në këtë ditë hidhnin degë të bambusë, të mbushura me oriz, më vonë nga frika e ngrënies së këtyre degëve të mbushura me oriz nga dragoi i lumit, njerëzit i shndërruan degët bambuje në "Zongzi".
Zongzi është jo vetëm ushqimi festiv, por është edhe si dhuratë në popull. Sa vjen Festa Tuanwu, njerëzit i dhurojnë njeri tjetrit Zongzi.
Në ditën e 15-të të muajit të 8-të sipas kalendarit bujqësor kinez është Festa e Hënës, sepse në këtë ditë hëna është më e plotë. Kjo festë quhet edhe "Festa e bashkimit". Në natën e kësaj dite njerëzit sodisin hënën duke ngrënë "kekun e hënës", i cili është një lloj ëmbëlsire në formë të rrumbullakët si hënë, mbështjellë me produkte të ëmbla. Në pjesë e jashtme të kekut janë stampuar figura mitologjike, si Chang er në hënë ose piktura të tjera me lule e hënë, me korrje të bollshme etj.
Në natën e kësaj dite, kur ngrihet hëna në qiell, njerëzit sodisin atë duke shtruar tryezën me "kekun e hënës", fruta të ndryshme, për t'u lutur hënës së plotë. Pas lutjes, e gjithë familja shijon "kekun e hënës" në shenjë të "bashkimit familjar".
Keku i hënës në krahina të ndryshme të Kinës ka edhe shije të ndryshme. Keku i Pekinit, keku i Suzhout, keku i Guandongut dhe keku i Chaozhout janë më të famshit në Kinë.
Krahas përmirësimit të standardit të jetës, përbërësit e ëmbël të mbështjellë në kek kanë ndryshuar, përveç sheqerit, hides, sojës së kuqe, mishit, farës së lotusit, kanë edhe të verdhën e vezës së rosës, frutat, kakaon etj.
Keku i hënës është gjithashtu një dhuratë e mirë për miqtë e mysafirët në kuadrin e festës. Në prag të Festës së Hënës pothuajse në të gjitha dyqanet ushqimore shiten kekë të ndryshëm, të paketuar me finesë, gjë që pasqyron ardhjen e festës së Hënës dhe "bashkimit familjar".
Gazmend Agaj