Jemi në mes të sezonit të gështenjave, një frut me veti të mëdha ushqyese, pasi gështenjat janë të pasura me fibra dhe karbohidrate dhe sikur të mos mjaftonte kjo, ato kanë pak kalori. Për një kohë të gjatë, gështenjat ishin pjesë thelbësore e dietës në Europën Jugore, ku bën pjesë edhe vendi ynë. Ky ushqim i vogël dhe i pasur është një burim natyral mineralesh dhe ka një shije të mrekullueshme.
Nuk ka asgjë më mirë se sa të kesh disa gështenja të pjekura ose të ziera në një pasdite vjeshte. Këta janë në fakt mënyrat klasike se si ne i përdorim gështenjat si frut. Jo më kot ato janë konsideruar si qershitë e dimrit! Njëra tërheq tjetrën. Duke qenë se kanë një shije thuajse neutrale, me gështenjat, mund të bëni gjithfarë recetash të kripura apo të ëmbla. Ajo që ju duhet është vetëm pak durim për t’i pastruar, pastaj procedurat e tjera janë fare të thjeshta.
Me to mund të përgatisim mbushje të mrekullueshme për pulën apo gjelin e detit, mund të shërbejnë si shoqëruese, ose bazë e salcave për pjatat tipike të vjeshtës, mund të përgatisim supë apo t’i shtojmë në recetën e pilafit, mund të bëjmë bukë gështenjash, të shoqërojmë verën, por mund të përgatisim edhe ëmbëlsira të ndryshme.
Ky frut ndonjëherë zëvendëson patatet si garniturë dhe sot po e shohim gështenjën gjithnjë e më shumë të përfshirë në recetat dhe menunë e restoranteve, por edhe në kuzhinat e shtëpive, si kthim në traditën e hershme, kur gështenja ishte mjaft e pranishme.
Geshtenja te pjekura qe shiten ne rrge nga ambulantet - Foto shekulli.com.al
Për një kohë të gjatë, britanikët, grekët dhe francezët i hanin gështenjat vetëm të pjekura dhe i konsideronin ato jo si delikatesë, por më tepër si një produkt të nevojshëm. Çdo njeri i varfër dinte të gatuante gështenja. Ndërsa tani gështenja konsiderohet simbol i Francës, për nder të së cilës ata organizojnë festa dhe shkruajnë këngë. Në Europë dhe Amerikë me gështenjën është e lidhur festa e Krishtlindjes, që nënkupton gjelin e mbushur me gështenja, ndërsa në bota e Lindjes i respekton shumë ato.
Në Shqipëri kemi një traditë të pasur të përdorimit të gështenjës dhe fshatra të tërë krenohen për këtë pasuri të tyre natyrore. Sot do propozojmë për ju tre receta të mrekullueshme me gështenja, të cilat mund tí bëni pjesë e menusë tuaj vjeshtore.
Gjeldeti i mbushur me geshtenja - Foto nga mapo.al
Gjel deti me gështenja dhe arra
Pastrojmë gjelin, e marinojmë atë me kripë dhe piper të zi. Nëse kemi erëza të ftreskëta i vendosim në barkun e gjelit, nëse jo atëherë gjelin e aromatizojmë me këto erëza, por të thata. Lyejmë gjelin me vaj duke e masazhuar atë, vendosim disa copa gjap mbi gjel dhe në bark. Shtojmë 1 gotë ujë dhe e vendosim gjelin në furrë, fillimisht në temperaturë 200 gradë Celsius, për 40 minuta. Gjatë kësaj kohe presim qepën në fije dhe kërpudhat në dy, ose 4 pjesë, në varësi të madhësisë.
Vendosim tiganin në zjarr dhe kaurdisim qepën derisa të zverdhet, shtojmë pançetën dhe i skuqim së bashku me qepën derisa të marrin ngjyrë të kuqerremtë. Shtojmë kërpudhat, i përziejmë në temperaturë të lartë. Në fund shtojmë gështenjat, rregullojmë shijen me kripë dhe piper dhe i lëmë të gatuhen bashkë për 3-4 minuta.
Nxjerrim pulën nga furra, e lagim me lëngun që ka nxjerrë dhe mbushim pulën por edhe tavën me gështenjat e gatuara. Vendosim në tavë dhe 150 gr arra në copa të dukshme dhe vendosim gjelin përsëri në furrë, por tani në temperaturë 170 gradë Celsius, për 1 orë- 1 orë e 15 minuta. Në fund vendosim gjelin në tryezë dhe e shërbejmë me copat e gështenjave dhe arrat anash. Ju bëftë mirë.
Supe me geshtenja - Foto nga sot.com.al.
Supë me gështenja
Supa me gështenja është e përsosur për mbrëmjet e vjeshtës, kur koha nis të freskohet. Është një recetë e lehtë dhe e shijshme njëkohësisht. Për të përgatitur një pjatë të tillë, mirë është që një natë përpara të nisni përgatitjet. Zhysni qiqrat në një enë me ujë të ftohtë. Të nesërmen i shpëlani mirë dhe i vendosini të ziejnë në një tenxhere me ujë për 1 orë. Pasi të jenë zier, i shtoni kripë.
Lani gështenjat mirë, pritini me një kryq në pjesën e sipërme, vendosini në një tenxhere me ujë të ftohtë dhe fletën e dafinës, gatuajini për 30-40 minuta. Pasi të zihen, i kulloni, i qëroni dhe i hiqni lëkurën.
Qëroni thelpinjtë e hudhrës, i prisni në feta të holla dhe i vendoseni në një tigan me vajin e ullirit për t’i skuqur për disa minuta. Shtoni gështenjat pasi t’i keni thërrmuar trashë dhe i mbani mbi zjarr për 5 minuta. Në fund shtoni qiqrat, pak ujë nga uji i zierjes së tyre, kripë e piper dhe i gatuani edhe 10 minuta në zjarr të ulët.
Shërbejeni supën e gështenjës dhe të qiqrave të nxehtë. Nëse dëshironi, shtoni edhe pak vaj ulliri.
Krem geshtenjash - Foto nga panorama.com.al
Krem gështenjash
Kremi i gështenjave është mjaft i shijshëm dhe shumë i mirë për t’u përdorur si shoqërues ëmbëlsirash ose thjesht ashtu, për të lyer bukën në mëngjes apo pasdite. Receta kërkon një kohë relativisht të gjatë për t’u përgatitur për shkak të kohës së zierjes së gështenjave që më pas do të shndërrohen në krem. Veç të tjerash, është një ide mjaft ekonomike, por që nuk se mund ta bëni në çdo kohë pasi tani gështenjat janë në sezonin e tyre dhe çmimi është i mirë.
Hapni secilën prej gështenjave me majën e thikës. Hidhini në një enë të madhe për t’i zierë duke i mbuluar me ujë. Shtoni një lugë të vogël me kripë të trashë dhe lërini të ziejnë të mbuluara për 40 minuta. Pasi të kenë zierë, hapini dhe pastrojini nga lëkura. Shtypini në një enë me lugë ose mund t’i kaloni në frulator.
Më pas, masën e brumit të përftuar prej tyre kalojeni në një tjetër enë ku do të shtoni edhe 2 gota ujë bashkë me sheqerin. Vazhdojeni zierjen për gjysmë ore, gjithnjë duke e përzier. Në 10 minutat e fundit, përpara se ta hiqni nga zjarri, shtoni rumin. Lëreni të ftohet dhe konservojeni në enë qelqi.
Dhe një këshillë të fundit. Mos hiqni dorë nga gështenjat sepse janë një frut i dobishëm për shëndetin, i shijshëm dhe plot frymëzim! Ato mund t’i konsumoni edhe jashtë sezonit, mjafton që t’i ruani në qese të vogla e të mbyllura mirë, pasi t’i keni zier apo pjekur. Ruhen në ngrirje për disa muaji. Pas shkrirjes i ngrohni pak, para se t’i konsumoni si frut, apo për gatim.
Neritana Kraja