Pijet në verë na ndihmojnë të luftojmë kundër nxehtësisë. Sigurisht që kur bën shumë nxehtë duhet të pimë më shumë lëngje. Ekuacioni është matematik dhe duhet të respektohet me kujdes, nëse nuk duam të pësojmë shqetësime të dëmshme dhe të dëmtojmë shëndetin tonë.
Por, pijet nuk janë të gjitha njësoj: për etjen e verës ju duhet të zgjidhni me mençuri pijet për të ruajtur ekuilibrin e trupit si dhe në të njëjtën kohë t’i shijoni.
Si e shuajnë etjen kinezët ?
Çaji kinez është një pije mbarëbotërore dhe tashmë pirja e çajit është një zakon jo vetëm i aziatikëve, por dhe i pjesës tjetër të botës, madje ajo ka ndikuar dhe në lidhjen e ngushtë të të huajve me çajin kinez.
Ndërkohë që veriu është i thatë dhe i nxehtë, rajonet jugore përballen me një klimë që ngjason me saunën, vapë dhe lagështi në të njëjtën kohë. Prandaj çajrat bimorë janë gjithnjë një pjesë e rëndësishme e sezonit. Këto çajra bëhen nga bimë kineze ose fruta dhe mund të kenë shije pak të ëmbël ose madje edhe shumë të hidhur, varet nga përshkrimi i specialistit.
"Çajrat bimore freskuese" janë një pjesë shumë e pranishme në jetën e kinezëve madje janë listuar si trashëgimi kombëtare kulturore. Pjesa jugore e Kinës, në veçanti, nuk e mendon ta kalojë verën pa dozën ditore të çajrave freskues. Dhe tani po bëhet trend, pirja e çajit freskues edhe në pjesën veriore të vendit.
Çaji bimor më i famshëm në një kanoçe të kuqe vjen nga një recetë kantoneze me jetëgjatësi mbi disa qindra vjet. Çdo dyqan bimor në Guangdong dhe Guangxi ka stilin e veçantë. Ato ndodhen të gjitha në një zonë të quajtur si Lingnan, një luginë me lagështi që është një thesar botanik bimësh të rralla në shërbim të recetave në kushtet e shtëpisë. Ata i mbledhin këto bimë dhe i thajnë dhe më pas i kombinojnë për të përftuar çajrat freskues kundër vapës së verës.
Pra, pjesa më e madhe në përbërjen e këtyre çajrave janë lule, gjethe dhe rrënjë të thara. Disa nga lulet janë krizantema, rrënjë licorice e egër, xhinsen, gjethe lotusi, mente, perilla, murriz, goji, dhe fruta si dardhë, hide kineze, arhat dhe longan të tharë.
Pjesa më e madhe e çajrave bimore në Kinë ndahen në katër kategori, sipas efikasitetit të tyre.
Në grupin e parë janë çajrat kundër helmeve që pastrojnë toksinat e akumuluara në trup dhe janë të përshtatshëm për ata që irritohen shpejt. Përbërësit kryesorë të këtyre çajrave janë krizantema dhe manjola e egër.
Grupi i dytë i çajrave është për ata që sëmuren nga i ftohti në verë.
Një tjetër grup i çajrave është për konsum në vjeshtë kur klima është e thatë nis kolla apo irritimet e fytit. Në këto raste pihet çaj me gjethe dardhe, kërpudhe dhe përbërës të tjerë. Në grupin e fundit futen çajrat që largojnë "nxehtësinë e lagësht", një gjendje që vjen nga ngrënia e ushqimit shumë pikant dhe të skuqur si dhe nga frutat me shumë sheqer si bananet, mangot etj.
Çaji i bardhë: Sipas një studimi publikuar në revistën "Nutrition and Metabolism" tregohet se çaji i bardhë rrit lipolysis dhe bllokon adipogenesis (formimin e qelizave yndyrore).
Çaji i mentes: Sipas një studimi menteja apo çaji i saj çon sinjale në tru, që duhet të ndalojmë së ngrëni. Nga studimi rezultoi që personat që përdornin mente apo e mbanin erë atë çdo 2 orë, humbën deri në 3 kg në muaj.
Çaji Oolong: Ky çaj kinez që mban dhe emrin "dragoi i zi," është i lehtë dhe ashtu si dhe çaji jeshil, përmban katekinë, që ndihmon në nxitjen e humbjes së peshës dhe nxit metabolizimin e lipideve (yndyrnave). Sipas një studimi nga Kina, personat që konsumonin rregullisht çaj oolong humbën 3 kg për 6 javë.
Si e shuajnë etjen shqiptarët?
Ndërsa në Shqipëri njerëzit për të shuar etjen në ditët e nxehta të verës përdorin ujin, dhallën si dhe pije të ndryshme freskuese.
Uji – Uji është gjithmonë zgjidhja më e mirë në të gjitha stinët. Nuk përmban kalori, kështu që ne mund ta shuajmë etjen tonë sipas vullnetit, duke e zgjedhur atë natyral ose të gazuar, sipas shijeve tona. Pirja e ujit kullon lëngjet e tepërta, eliminon toksinat dhe e bën lëkurën të ndritshme dhe të hidratuar mirë.
Përveç kësaj, gjithashtu ndihmon për të humbur peshë: zakoni i pirjes së dy gotave me ujë para se të ulemi në tavolinë rrit ndjenjën e ngopjes dhe ndihmon për të ngrënë më pak, e gjitha kjo në avantazh të linjave tona. Për t’i dhënë më shumë gjallëri, ju mund të shtoni disa pika lëng limoni dhe një fetë me fruta të freskëta: ajo do ta shuajë edhe më shumë etjen.
Dhalla - Dhalla është ndoshta një nga pijet më të lehta, që mund të përgatitet në shtëpi. Mjafton të përzihen të gjithë përbërësit në sasi të ndryshme dhe do të përftoni dhallën e mirë e super të shijshme. Dhalla është shumë e shëndetshme. Ajo nuk përmban sheqerna. Nëse ju pëlqen dhalla e kripur, atëherë duhet të dini që kjo pije është një mënyrë shumë e mirë për të marrë dozat e nevojshme të kripës kur dehidratoheni dhe humbisni shumë lëngje dhe kripëra. Për më tepër, dhalla ofron përfitimet e pamohueshme të kosit që ka shumë proteina dhe kalcium.
Çaj i ftohtë – Çaji në shishe dhe në përgjithësi ai i paketuar dhe i gatshëm për t’u pirë, shpesh është shumë i ëmbël. Ka një shije shumë të këndshme, por ne i kushtojmë vëmendje numrit të kalorive dhe shëndetit të dhëmbëve. Më mirë ta përgatisni në shtëpi me bustina, ftoheni dhe ruajeni në frigorifer në një shishe ose në një karak, kështu që gjithmonë do ta keni në dispozicion të freskët. Më mirë të mos i shtoni sheqer: kush ka vështirësi të bjerë në gjumë në mbrëmje, mund të zgjedhë versionet e dekafeinatos.
Një qytetar shqiptar shprehet për mikrofonin e Radio Ejani se ai në verë përveç ujit përdor edhe pije të ndryshme fresukese për të shuar etjen. Ai shprehet se ka dëshirë të provojë edhe çajin kinez që përdoret në stinën e verës nga kinezët.
“Zakonisht në këto ditë të nxheta të verës unë e shuaj etjen me ujë të gazuar, ujë të zakonshëm, me bozë, dhallë dhe ndonjë lloj çaji freskues. Mirë është që njeriu të pijë dy litra ujë në ditë duke e konsumuar gjatë ditës. Ndërsa në këto ditë të nxhehta mund të pish edhe më tepër nëse e pranon organizmi juaj. Edhe çajin kinez që përdoret në stinën e verës për të shuar etjen është mirë që edhe ne ta provojmë dhe ta përdorim gjatë verës edhe ne shqiptarët sepse i bën mirë organizmit të njeriut” u shpreh qytetari për mikrofonin tonë.
Gazmend Agaj