esta e Pranverës ose Viti i Ri Kinez është festa më e rëndësishme dhe më e madhe tradicionale për të gjithë kinezët në botë. Ajo është gjithashtu edhe festa më e madhe në Azi. Darka është vakti më i rëndësishëm i kësaj feste njësoj si Viti i Ri në perëndim. Çdo pjatë e shijshme përmban pritshmëritë dhe urimet e kinezëve për vitin e ardhëm. Kina është një vend me sipërfaqe të madhe dhe kombësi të ndryshme, prandaj në krahina të ndryshme ka kultura të ndryshme të ushqimeve për këtë festë. Në këtë artikull, do të lexoni pjatat e shijshme tradicionale në krahina të ndryshme të Kinës.
1. Provinca Shangdong -Figura prej brumi (Miansu)
Shangdong-u është një provincë e Kinës verilindore që konsumon shumë prodhime brumi. Figurat prej Brumi janë një ushqim tradicional i kësaj province gjatë Festës së Pranverës. Kuzhinieri i Shangdong-ut krijon forma të shumëllojshme prej brumi të gjitha të bërë me dorë ose mjete të thjeshta kuzhine dhe më pas i gatuan në avull. Sot, Figura e Brumit konsiderohet jo vetëm si një pjatë e bukur dhe e shijshme, por edhe si një art i trashëgimisë kulturore jomateriale.
2. Provinca Zhejiang- Kek Orizi (Niangao)
Keku i Orizit i Vitit të Ri bëhet me miell orizi ngjitës dhe gatohet në avull. Në provincën Zhejiang të Kinës juglindore, ky kek u ideua nga gjenerali Wu Zixu si një ushqim rezervë për luftë, pasi ajo mund të rezistojë për një kohë të gjatë. Në kohët e sotme, Keku i Orizit bëhet me drithëra të ndryshme, si oriz i zi, i kuq etj. Në kuzhinën popullore për darkën e Vitit të Ri, duhet të përgatitet ky kek me dy metoda: në avull dhe i skuqur, duke sjellë një pjatë keku të bardhë dhe të verdhë, të cilat simbolizojnë argjendin dhe arin. Keku i orizit ndihmon për lehtësimin e urinimit të shpeshtë dhe të djersitjes së tepërt. Por, në një vakt duhet të konsumoni nga pak.
3. Proshutë nga Sichuan-i
Proshuta e Sichuan-it prodhohet në dhjetor sipas kalendarit bujqësor kinez, që është muaji më i ftohtë. Në të kaluarën, nuk kishte frigorifera në provincën Sichuan të Kinës jugperëndimore me klimë të lagësht dhe të ngrohtë. Prodhimi i proshutës në stinën më të ftohtë të kësaj krahine është mënyra më e mirë për të rezervuar mishin. Në procesin e marinimit të proshutës së Sichuan-it, mund të shtohen kripë, raki, erëza të ndryshme së bashku me kofshën e derrit ose mish derri me dhjamë në një enë prej balte. Pas marinimit për afro 10 ditë, proshuta thahet në ambient të hapur me ajër të freskët. Proshuta e Sichuan-it ndihmon shëndetin veçanërisht për hapjen e oreksit, largon të ftohtin dhe nxit trejtjen. Megjithatë, ata që vuajnë nga hipertensioni dhe diabeti nuk duhet të konsumojnë shumë proshutë.
4. Guangdong- Derr me perime të kripura "Mei" (Meicai Kourou)
Derri me perime të kripura "Mei" është një pjatë e njohur tradicionale kineze, që gatuhet shpesh në Darkën e Vitit të Ri. Duhet ta përzgjedhim mish derri me dhjamë dhe ta skuqim me vaj. Pastaj e presim në feta dhe vendosim perimet e kripura "Mei" në pjesën e poshtme të pjatës dhe mishin e derrit të prerë në pjesën e sipërme. Ky gatim përgatitet në avull për rreth 1 orë. Perimja "Mei" është mbjellë për herë të parë në distriktin Meizhou të provincës Guangdong të Kinës jugore. Prandaj, kjo është një pjatë e njohur dhe e pashmangshme në Darkën e Vitit të Ri në shumë familje të Guangdong-ut. Dhjami i mishit mund të përthithet nga perimet e kripura "Mei" dhe shija e perimeve mund të futet te mishi, duke formuar një aromë të veçantë. Konsumi i kësaj pjate mund të lehtësojë aneminë.
5.Hangzhou- Rrënjë Lotusi me oriz ngjitës (Guihua Nuomiou)
Rrënjët e lotusit të mbushura me orizin ngjitës janë një ëmbëlsirë e njohur tradicionale kineze që përfaqëson shijen e qytetit Hangzhou të Kinës jugore. Së pari, duhet ta pastrojmë rrënjët e lotusit dhe ta mbushim me oriz ngjitës. Pastaj e ziejmë rrënjën me ujë me sheqer dhe hide kineze për mbi 1 orë. E nxjerrim rrënjën dhe e presim në copa të holla. Më pas shtojmë lulet "Gui" ose verë orizi në supë dhe e ziejmë derisa të trashet. Në fund e hedhim supën e trashë mbi rrënjët e lotusit me orizin ngjitës. Mund të shtoni pak mjaltë në fund në këtë pjatë. Ajo ndihmon në forcimin e imunitetin dhe eleminon nxehtësinë e brendshme.