Drogat dhe problemet që shkaktojnë ato janë bërë shumë evidente sidomos pas viteve ’90. Abuzimi nga droga tek adoleshentët mund të ketë një ndikim të madh në jetën e tyre, por ju mund të zbuloni se si ta ndihmoni adoleshentin, që të bëjë zgjedhje të shëndetshme dhe të shmangë përdorimin e drogës. Adoleshentët që eksperimentojnë me drogën, vënë në rrezik shëndetin dhe sigurinë e tyre. Për shumë te prindërit mendimi se fëmija në moshën e adoleshencës mund të ketë kuriozitet për të provuar qoftë edhe një herë të vetme drogën, i fut në ankth. Ky është një problem i gjithë botës dhe madje është shumë serioz. Arsyet përse një adoleshent fillon të provojë drogën janë nga më të ndryshmet:

Foto nga Portali.info

Foto nga Portali.info

Mungesa e mbështetjes dhe vëmendjes së prindërve.

Presioni i bashkëmoshatarëve, si dhe shokëve më të mëdhenj.

Problemet në sistemin nervor si, ankthi, stresi etj.

Kanë vetëbesim të dobët, dhe në raste të tilla droga i bën të ndihen më mirë, duke e filluar si eksperiment dhe më pas krijojnë varësi. Shumë të tjerë e nisin edhe për arsye argëtimi, etj.

Si duhet të veprojnë prindërit për ta parandaluar këtë gjë?

Janë të shumtë specialistët, psikologët që japin këshilla të vlefshme në mënyrë që prindërit të tregohen të kujdesshëm në lidhje me këtë temë kaq delikate.

Sipas YRBS (Youth risky bihevior survey) një studim i kryer në shkolla me të rinjtë e moshave 14-18 vjeç tregohet se:

5.4 % e të anketuarve kishin eksperimentuar me kanabis,

4 % me ekstazi

1.4 % kishin përdorur heroinë dhe

1.6 % kishin përdorur kokainë

Ardita Demaj Psikologe (Foto personale)

Ardita Demaj Psikologe (Foto personale)

Përdoruesit më të mëdhenj janë adoleshentët. Për Grupin Mediatik të Kinës pyetjeve tona, i përgjigjet, psikologe, Ardita Demaj.

CMG: Përshëndetje! Cilat janë shkaqet e varësisë nga droga tek adoleshentët?

Psikologe, Ardita Demaj: Përshëndetje! Tema e sotme është shumë interesante. Shkaqet kryesore, përse adoleshentët krijojnë varësi nga droga është mjedisi, ekspozimi nga një grup moshatarësh, së dyti është historia familjare e varësisë në momentin kur në familje ka qenë një përdorues më përpara një motër, vëlla apo prindi. Pra momenti dominant për një adoleshent është mjedisi. Presioni që ushtrojnë bashkëmoshatarët dhe një lloj inkurajimi të përdorimit të saj

CMG: A mund shfaqë varësi nga droga pas një përdorimi të vetëm?

Psikologe, Ardita Demaj: Kryesisht eksperiencat e para të përdorimit të drogës janë nga kurioziteti. Nuk mund të flasim për varësi që krijon droga për një përdorim të vetëm, një eksperiencë fillestare, por përdorimi herët i këtyre substancave ka efekt më dominant tek zhvillimi i trurit të fëmijës apo adoleshentit.

CMG: Cilat mund të jenë shenjat dalluese për ta kuptuar prindi?

Psikologe, Ardita Demaj: Shenjat dalluese që duhet të kuptojë një prind që fëmija i tij ka probleme, pra varësi nga droga, më shumë kuptohet tek shëndeti fizik, dallohet një humbje peshe, mungesa e energjisë, sytë e skuqur, adoleshentët shfaqin mungesë interesi në veshje apo në pjesën e aparencës. Kanë ndryshime sjellje të dukshme, ndalojnë prindërit që të hyjnë në dhomë, shoqërohen me pak njerëz, kryesisht disa bashkëmoshatarë, me ata të cilët ndajnë të njëjta prirje, të përdorimit të drogës. Të gjitha këto janë shenja dalluese të lehta, për të kuptuar se fëmija ka filluar varësinë nga droga.

Foto nga Gazeta Scanner

Foto nga Gazeta Scanner

CMG: Si mund të parandalohet apo të trajtohet ky problem?

Psikologe, Ardita Demaj: Sa i takon parandalimit ndaj varësisë nga droga, është marrëdhënia që ka prindi me fëmijën, kryesisht komunikimi është shumë i rëndësishëm, pasi nëpërmjet komunikimit arrin prindi që t’i shpjegojë fëmijës edhe rreziqet që ka droga. Së dyti është shumë e rëndësishme që adoleshentët t’i dëgjosh. Një prind duhet të jetë një dëgjues i mirë, aq më tepër kur fëmija shfaq këto problematika, aq më tepër për presionin që bëjnë bashkëmoshatarët. Prindi duhet ta mbështesë përpjekjen e fëmijës së tij për rezistencë ndaj këtij presioni që bëjnë bashkëmoshatarët, sidomos ata që janë përdorues. Pra një forcim i lidhjes së prindit me fëmijën, luan një rol shumë të rëndësishëm që ndodh parandalimi i këtyre sjelljeve që i krijon varësi ndaj drogës.

Duhen pasur gjithmonë parasysh këshillat e psikologëve, por edhe personave kompetentë në lidhje me këtë temë. Anjëherë mos e akuzoni fëmijën tuaj, se është përdorues i drogës pa qënë 100 % të sigurt dhe pa pasur fakte në lidhje me këtë gjë. Duhet të krijoni patjetër një marrëdhënie të bazuar në komunikimin e hapur me fëmijën tuaj, në vend që t’i vendosni ultimatume apo dhunë, duhet të përdorni një mënyrë të ngrohtë komunikimi. Tregohuni të duruar dhe mundohuni t’i shpjegoni me qetësi fëmijës tuaj adoleshent, për efektet e përdorimit të drogës.

Përcaktoni disa rregulla në lidhje me të dalat dhe mënyrat e argëtimit, si duhet të ketë një orar në lidhje me qëndrimin jashtë shtëpisë dhe i jepni ju vetë një shembull të mirë. Ajo çfarë të gjithë psikologët theksojnë është se; “fëmija nuk do të bëjë atë që ju i thoni, por atë që ju bëni”. Pra jetojeni jetën tuaj, duke u ushqyer shëndetshëm dhe duke jetuar shëndetshëm. Nëse edhe ju jeni një përdorues droge, fëmija juaj do të jetë më tepër i rrezikuar.

Intervistoi: Sava Lena